Vetëvendosje bojkoton sërish ftesën e Veselit për dialog

Aktuale

Vetëvendosje bojkoton sërish ftesën e Veselit për dialog

Më: 11 janar 2019 Në ora: 19:24
Vetëvendosje

Kryeparlamentari Kadri Veseli, u ka dërguar sërish ftesa krerëve të institucioneve dhe përfaqësuesve të opozitës për një takim të radhës për tu dakorduar rreth dialogut me Serbinë.

Takimi është thirrur për të hënën më 14 janar në ora 11:00. Në takimin e së hënës janë ftuar Presidenti, Kryeministri, Ekipi Negociator si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare LDK dhe VV.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që sërish ta bojkotojë këtë takim. Ata po thonë se këto takime po mbahen për legjitimimin e Hashim Thaçit.

“Këto takime po mbahen për legjitimimin e Thaçit në dialogun me Serbinë dhe për ta krijuar përshtypjen që Thaçi ka përkrahje që realisht i mungon. Ai është i vetmuar në këtë veprim. Krejt çka ka me vete janë disa parti minoritare që sfidë kryesore e kanë kalimin e pragut të cilët i nënshtrohen një njeriu”, ka thënë për mediat vendore, zëdhënësja e VV-së, Tinka Kurti.

Ajo ka shtuar se Kadri Veseli në vend të tryezave të tilla duhet të thërrasë seancë për shqyrtimin dhe vlerësimin e raportit qeveritar për 33 marrëveshjet e arritura.

Takimi i parë i llojit të tillë ishte mbajtur në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, ku edhe atëherë LDK dhe VV bojkotuan këtë takim.

Të dy këto parti nuk kanë dërguar asnjë përfaqësues të tyre që t’i bashkohen Ekipit Negociator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat