Të bllokuar në -45 Gradë në Antarktik – flasin babë e bijë që panë me sy vdekjen

Aktuale

Të bllokuar në -45 Gradë në Antarktik – flasin babë e bijë që panë me sy vdekjen

Më: 11 janar 2019 Në ora: 19:32
Arianit e Mrika Nikçi

Deri sa po tentonin të thyenin një rekord botëror, Arianit e Mrika Nikçi nga Peja u bllokuan për 11 ditë në majën e Antarktikut, kontinentit më jugor të planetit Tokë. Babë e bijë kanë rrëfyer për sfidat e jetës pa ushqim e nën 45 gradë, duke treguar edhe se si po tentojnë të thyejnë rekordin e amerikanes.

Kishin mbetur të ngujuar për 11 ditë në majën më të lartë të kontinentit të bardhë, në Antarktik.

Babë e bijë nga Peja nuk e patën të lehtë udhëtimin e as qëndrimin aty gjatë kohës sa po tentonin që në Kosovë të binin një rekord botëror.

Madje, çdo ditë me rezerva të pakta të ushqimit ata po përballeshin për mbijetesën deri në ditën tjetër.

Por, rreziku me të cilin u përballën Arianti e Mrika në njërën nga majat më të larta të botës nuk i ka zmbrapsur ata. 

Të dy këta, po synojnë ta përmbushin një ëndërr të 17-vjeçares, që po tenton të bëhet e para në botë që ka ngjitur shtatë majat më të larta në shtatë kontinente, ende pa e mbushur moshën madhore.

Express ka qëndruar gjatë ditës në Pejë, nga ku avokati Arianit Nikçi, së bashku me bijën 17-vjeçare, Mrikën kanë treguar për sfidat e ngujimit në temperatura deri në minus 45 gradë, e se si po tentojnë që të “pushtojnë” majat më të larta të botës për pak muaj.

Mrika që është marrë me sport që e vogël, thotë se alpinizmin e ka filluar në moshën 13-vjeçare. Fillimisht, ajo ishte marrë me karate e skijim.

“Qysh e vogël jam marrë me sport, jam merr fillimisht me karate dhe skijim edhe gjithmonë kam qenë e inkuadrume në sporte. Me kohë tu dal nëpër natyrë nëpër bjeshkë kam fillu me ndi një dashni të madhe për to. Mundem me thanë që katër vitet e fundit merrem me shumë ma intenzivisht me bjeshkatari dhe para katër vite dmth ka fillu çdo gjë”, thotë 17-vjeçarja.

Ajo pohon se ndjenjat gjatë ngjitjes janë të papërshkrueshme sepse në atë moment shpërblehet çdo sakrificë. Ngjitja më sfiduese sipas saj është kjo e fundit në Antarktidë, të cilën thotë se nuk do ta harrojë asnjëherë. 

“Kem ngjit maje edhe në Bullgari kemi tentu edhe në një vend tjetër po për shkak të motit të keq udhëheqësi i rrugës ka udhëzu me u kthy mprapa. Kemi ngjit majën e Kilimanxharos në Afrikë edhe ngjitje tjera, por, ngjitja më e mirë ma sfiduese ka qenë ajo në Antarktidë të cilën nuk besoj që ka me e harru ndonjëherë”, rrëfehet Mrika, duke treguar se si kishin mbijetuar në temperaturat deri në minus 45 gradë e pa rezerva të shumta ushqimi.

“Ngjitja ka qenë mjaft e vështirë jemi ballafaqu me sfida të ndryshme, duke fillu prej kampit bazë ecja ka qenë çdo ditë 8 orë 9 orë, kemi pas çanta të rënda nga 30 kg çdo ditë kemi pas me tërheq edhe sajat ku ka qenë një pjesë e ushqimit, por, nuk ka mungu pozitiviteti i njerëzve e kemi kalu mirë. Ka pas edhe momente të lumtura se nuk munden që momentet e këqija mi mposht ato të mira, sidomos momenti i majës ka qenë moment i gëzueshëm nuk harrohet, por pas momentit të majës, ato momente të bukura janë harru menjëherë sepse na ka prit një stuhi e madhe në kampin e dytë e cila stuhi ka qenë brutale siç e quajshin ata, ka pas era të forta, temperaturat shumë të ulëta ka pas borë shumë edhe ka qenë nuk e di diçka shumë keq”, shton ajo.

 I vetmi kontakt me familjen u bë pas shumë ditëve kur nëna e vëllai i saj nuk e kishin ditur a janë të dy këta ende gjallë. 

Kjo, ishte mundësuar me anë të një GPS e përmes disa emailave të shkurtë që i kishin përcjellë për në shtëpi. “Komunikimin e kemi kry përmes një GPS, kemi fol me nanën kontaktet kanë qenë shumë të vogla, vetëm i kemi tregu që jemi mirë. Ushqimi ka qenë i planifikuar që pas kthimit të kemi rezerva për 4 ditë, po pasi që po na përfundonin rezervat kemi ngrënë bukë vetëm çdo 12 orë. Kemi qenë të veshur me rroba speciale për ngjitje, kemi veshë diku tri ose katër palë pantallona, gjithmonë me kapela, shalla, skemi mujt me nejt pa dorëza, se për një kohë të shkurtër durt tu kanë ngri”, tregon Mrika për sfidën që ka kaluar së bashku me prindin.

Edhe pas të gjitha këtyre sfidave, ajo po tenton të thyej një rekord të një amerikanes, duke ngjitur para moshës 18-vjeçare shtatë majat më të larta në shtatë kontinente, në atë që njihet si “Seven Summits”.

“Projekti planifikohet të përfundohet në fund të gushtit të këtij viti, unë deri atëherë do të jem 17 vjeçare e disa muaj. Dmth i bjen për 6 muaj të përfundojnë 6 maja. Nëse arrihet projekti i bjen që të thyhet rekordi i bjen që do të jem vajza më e re që i ka ngritur 7 maje në 7 kontinente duke ja mundësuar Kosovën futjen në libër Guiness.

 Krahu i djathë i vajzës nga Peja, është prindi i saj, avokati Arianit Nikçi. 

Arianiti i ka thënë se nga alpinizmi po arrin qetësi psikike duke rrëfyer se si fillon një ditë e tyre.

“Dita jonë, zgjohemi zakonisht në ora 5, ne jetojmë në Pejë, e Peja është e privilegjume se ka bjeshkë dhe ushtrojmë me pesha të cilat i ngarkojmë. Ecim te këto pjesët afër Pejës, 2 orë, 2 orë e gjys ecim zakonisht pastaj kthemi 8, 8 e 30 jemi të përgatitur për punë e Mrika për mësim”, thotë ai, duke treguar se në cilat maje janë ngjitur deri më tani.

“Ne fillimisht i kemi realizu disa ngjitje në Kosovë, Shqipëri, pastaj kemi qenë edhe në Bullgari edhe në disa vende të tjera të rajonit, ndërkohë jemi ngjit edhe në Kilimanxharo që është maja më e lartë në Afrikë e gjatë zbritjes ka lind edhe ideja. Mrika aty e ka pas edhe një krizë pak për shkak të lartësisë, ka qenë e re sa i pat mbush 16 vjet, krizë në kuptimin fizik. Tu u kthy më tha çka po ta merr mendja bab a te realizojmë Seven Summits. Kjo është një sfidë ngjitja e 7 majave më të larta në 7 kontinente. Pastaj kemi fillu përgatitjet edhe kemi kriju një program, kemi kontaktu një kompani të Amerikës e cila është shumë profesionale. Këto udhëtime janë të rrezikshme dhe duhet të udhëhiqen nga dikush. Fillimisht e përfunduam Kilimanxharon dhe së fundmi është kjo në kontinentin e akullt”, pohon ai.

Arianiti thotë se është krenar për vajzën dhe do të vazhdojë ta shoqërojë nëpër të gjitha udhëtimet tjera deri në përfundim të sfidës.

Megjithatë, i zhgënjyer thotë se ka mbetur nga institucionet që nuk i kanë bërë, deri më tani, asnjë ndihmesë.

“Kemi pas kontakte me institucionet, deri sot nuk janë përgjigje, janë disa premtime janë disa procedura, përveç qëllimit të Mrikës, kjo është me interes kombëtar sepse ka me miliona bjeshkatar nga gjithë bota e të jetë një kosovare rekordmene është me interes. I jemi mirënjohës presidentit të Shqipërisë Ilir Meta edhe unë edhe Mrika sepse na ka pajisë me pasaporta e kjo ka qenë ndihmesa më e madhe deri më tani”, përfundon ai.

Pas asaj që kaluan në majën Vinston, të dy këta u kthyen në shtëpi më 31 dhjetor të 2018’tës.

 Është hera e parë që një ekip që po tentonte të ngjitej në Antarktidë është ngujuar aty në periudhë prej 11 ditëve. Temperaturat në kohën sa anëtarët e familjes Nikçi ishin aty kishin arritur deri në minus 45 gradë, e ata ishin të vetmit nga Ballkani së bashku me grupin amerikan.

Udhëtimi i radhës po planifikohet për në muajin shkurt, e të gjitha majat planifikohen të ngjiten deri në gusht të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat