Bahri Hyseni, kryesues i ri i KPK-së

Aktuale

Bahri Hyseni, kryesues i ri i KPK-së

Më: 14 janar 2019 Në ora: 12:22
Mbledhja e Këshillit Prokurorial

Kryesues i Këshillit Prokurorial me vota anonime është zgjedhur Bahri Hyseni, i cili është zotuar se do të punojë për avancimin e sistemit të drejtësisë, e po ashtu që të shtohet llogaridhënia.

Në këtë takimi është vendosur që t’i vazhdohet mandati drejtorit të sekretariatit  të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi.

Me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Bahri Hyseni, është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial i Kosovës. Hyseni ishte i vetmi kandidat i nominuar, si kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ai është zotuar se ka përgatitje profesionale dhe se ka arsye pse ka konkurruar për këtë post.

Hyseni: Do të angazhohem që të fuqizojë Këshillin Prokurorial

“Do të angazhohem që të fuqizojë Këshillin Prokurorial të Kosovës për të mbrojtur edhe më tutje parimin kushtetues, parimet kryesore të drejtësisë. Që t’i lejojmë qasje të barabartë të gjithë individëve në sistem duke u bazuar në efikasitet, llogaridhënie, transparencë, mbi të gjitha në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve”, ka thënë ai.

Hyseni po ashtu tha se vetëm gjatë vitit 2017-2018 si prokuror, ka arritur të zgjedh mbi 1550 akte akuzuese. Me zgjedhjen e kryesuesit të ri, Blerim Isufaj ka përfunduar mandatin e tij tre vjeçar. Ai ka uruar Hysenin për postin e ri, si dhe ka lavdëruar punën e drejtorit të sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqit.

Isufaj: Nën udhëheqjen e Lavdim Krasniqit janë realizuar projekte të rëndësishme

 “Nën udhëheqjen dhe menaxhimin e tij janë realizuar projekte të rëndësishme për sistemin prokurorial. Përfshirë, infrastrukturën, teknologjinë informative dhe sistemin informativ për menaxhimin e lëndëve”, ka thënë Isufaj.

Me votat e anëtarëve të këshillit prokurorial, Krasniqit i është vazhduar mandati edhe për tri vjet.  

Kurse, drejtori për vlerësimin e performancës së prokurorëve, Valon Jupa, tha se gjatë vitit 2019, 89 prokurorë do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit.

Jupa: 89 prokurorë do të vlerësohen gjatë vitit 2019

 “89 prokurorë në vitin 2019 duhet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të përformacës. Sipas kriterit të mandateve, periudha kohore e vlerësimit të përformcës. Në këtë drejtim janë tri kategori të prokurorëvve që do të vlerësohen. Janë 44 prokurorë me mandat të përhershëm, 23 prokurorë me mandat fillestarë, që është vlerësimi i parë  dhe 22 prokurorë me mandat fillestar është vlerësimi i dytë”, tha Jupa.

Sipas Jupës, dy do të vlerësohen në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, dy në zyrën e apelit dhe pesë prokurorë në Prokurorinë Speciale, 12 prokurorë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, dy prokurorë në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, gjashtë prokurorë në Prokurorinë Themelore të Pejës, pesë prej tyre në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, gjashtë në atë të Mitrovicës, dy në Prokurorinë e Ferizajt dhe dy në atë të Gjakovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat