‘LDK e LVV të gatshme të ulen më Vuçiqin, por jo edhe me neve’

Aktuale

‘LDK e LVV të gatshme të ulen më Vuçiqin, por jo edhe me neve’

Më: 14 janar 2019 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë edhe një herë u ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të bëhen pjesë e ekipit. Por, këto dy këto parti thonë se refuzojnë të bëhen pjesë e një delegacioni që sipas tyre nuk ka legjitimitet.

Ndërkohë, që ata që merren me mbikëqyrjen e procesit të dialogut thonë se duhet të ketë një unitet sa i përket procesit të dialogut dhe se të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësi.

Delegacioni shtetëror për dialog sot ka mbajtur takimin koordinues me krerët shtetërorë, por në takim nuk morën pjesë partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe LVV.

Pas takimit, bashkëdrejtuesi i ekipit për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, potencoi se është papërgjegjësi e LDK-së dhe Vetëvendosjes që nuk po tregojnë gatishmëri për t’u ulur në tavolinën për dialogun.

Ahmeti: LDK e LVV të gatshme të ulen më Vuçiqin, por jo edhe me neve

“Mund të kritikosh, por pa e pasur informatën, mund të kritikosh për qëllime elektorale se gjoja nesër po mbahen zgjedhjet dhe mos po përfitoj diçka duke e sha një proces, por këtu po flitet për Kosovën nuk është duke u folur për pronën as timen as të Veselit, as të presidentit as të askujt. Prandaj, është e rëndësishme ata që kanë kundërshtime, ata që kanë qëndrime, ata që mendojnë që duhet të bëhet ky proces ndryshe të vijnë dhe të ulen në tavolinë. Po thonë janë të gatshëm të ulen me Vuçiqin, edhe LDK edhe LVV, e nuk janë të gatshëm të ulen në tavolinë me neve. Çka do të thotë, do të thotë çfarë papërgjegjësie është kjo me thënë nuk po dua të ulem me shqiptarët, por jam i gatshëm me fol me Serbinë”, tha Ahmeti.

Këtë ftesë të ekipit negociator, po e refuzojnë LDK dhe LVV. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk shohin asnjë arsye e as mundësi që të bëhen pjesë siç e ka quajtur ‘dekorues’ ekipin negociator.

Mustafa ka thënë se qëndrim i organeve të partisë që drejton është se dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri që ka legjitimitet e që ka shumicën në Kuvend.

Mustafa: Nuk shohim arsye të bëhemi pjesë dekoruese e këtij grupi negociator

“Ne kemi dhënë qëndrimet tona, ne nuk shohim asnjë arsye e as mundësi që ne tash të bëhemi pjesë dekoruese e këtij grupi negociator. Qëndrimi i LDK-së ka qenë dhe mbetet që dialogun duhet ta zhvillojë Qeveria dhe përgjegjësinë për procesin e dialogut, jo përgjegjësinë për dialogun, për procesin duhet ta merr një Qeveri e cila duhet të jetë legjitime, Qeveri që të përfaqësojë shumicën dhe Qeveri, e cila do të sigurojë që marrëveshjet e arritura të ratifikohen në Kuvend me shumicën e votave, me 2/3 të votave. Ne do ta marrim dhe kemi thënë që e marrim përgjegjësinë, e përkrahim dialogun, por oferta e LDK-së dhe orientimi i LDK-së nuk është ky që tani po e bëjnë institucionet e ndryshme. Nëse ata janë të gatshëm që ne të ulemi seriozisht dhe të shohim se si Kosova duhet të del nga ky proces LDK është e gatshme që të ofrojë zgjidhjen e cila është në harmoni me vendimet që i marrin organet e LDK-së”, u shpreh Mustafa.

Se nuk do të bëhen pjesë e ekipit negociator thotë edhe deputetja nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci, sipas së cilës ky ekip është themeluar për t’ia larguar presidentit Thaçi ‘vetminë e madhe’.

Ajo tha se për të qenë pjesë e dialogut duhet të ketë një legjitimitet të atyre që udhëheqin këtë proces dhe sipas saj këtë legjitimitet nuk e kanë asnjë nga anëtarët e ekipit.

Nagafci: Ne nuk e mbështesim këtë dialog në formën aktuale

“Të marrit përgjegjësi nuk do të thotë se duhet të marrësh përgjegjësi për të vepruar në dëm të vendit dhe tash është e qartë që ky ekip negociator është një ekip i themeluar për t’ia larguar presidentit Thaçi vetminë e madhe. Presidenti e mori përgjigjen me 29 shtator nga qytetarët e këtij vendi dhe ajo është mënyra më e mirë për t’i treguar se ne nuk e mbështesim këtë dialog në formën se si është duke vazhduar. Andaj edhe ky ekip negociator vetëm se po e legjitimon Thaçin. Gjithsesi, LVV do të jetë një opozitë e fuqishme në këtë drejtim, aq më tepër do të jemi opozitë e dyfishtë dhe shumë këmbëngulëse për të penguar ata që bëjnë pazare në dëm të vendit”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, ata që merren me mbikëqyrje të dialogut shprehen se do të duhej që të gjitha partitë të marrin përgjegjësinë për procesin e dialogut.

Eugen Cakolli nga KDI, për KosovaPress ka thënë se një ikje nga përfshirja aktive në dialog nuk i konvenon askujt, madje sipas tij as LDK-së dhe as LVV-së si parti opozitare.

Cakolli: Edhe partitë në pozitë dhe ato në opozitë kanë përgjegjësi parlamentare

“Duhet që një proces i tillë të jetë më gjithëpërfshirës në kuptimin që të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësinë të cilat u takojnë. Edhe partitë në pozitë dhe ato në opozitë kanë përgjegjësi parlamentare duke qenë se çfarëdo varianti i marrëveshjes edhe në rast se një e tillë do të dalë në një referendum sërish do të jenë deputetët, të cilët me 2/3 e votave do të ratifikojnë ose do të hedhin poshtë një marrëveshje të tillë. Pra, të gjitha partitë parlamentare duhet të marrin përgjegjësinë e tyre duke u bërë pjesë aktive e procesit të dialogut në varësi të formës se si ata e vlerësojnë që kontributi i tyre mund të jetë më i madh”, tha Cakolli.

Ndërkaq, Përparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se opozita po shmanget për shkak se projektligji në vetvete nuk i jep forcë vendimmarrëse opozitës brenda për brenda delegacionit.

Ai ka thënë se te neni që flet pikërisht mbi procesin e vendimmarrjes në delegacionin shtetëror, thotë që vendimet i merr të gjitha unanimisht, njëzëri. Por, nëse dy herët e para nuk arrihet ky unanimitet, atëherë vendimmarrja bëhet me shumicë të kualifikuar të anëtarëve të pranishëm.

Kryeziu: Kuorumi për arritjen e marrëveshjeve kërkon 50 % plus 1

“Ndonëse delegacioni ka 12 anëtarë, kuorumi për mbajtjen e mbledhjeve dha arritjen e vendimmarrjeve kërkon 50 për qind plus një anëtar, që kërkon jo më shumë se 7 anëtarë që të mbahet një takim dhe të merret një vendim. Tash, nëse opozita është pjesë e delegacionit shtetëror dhe opozita nuk pajtohet me atë se si gjërat po rrjedhin dhe ajo largohet nga salla, atëherë këtu mbetet që delegacioni të funksionojë me 7 anëtarë, sepse kjo është 50 përqindëshi plus 1 anëtar. Vendimmarrja do të zhvillohet me shumicë të anëtarëve të përgjithshëm, me shumicë të kualifikuar të anëtarëve të pranishëm që do të thotë që një vendim brenda delegacionit shtetëror mund të merret me 5 vota. 7 vota të pranishme, shumica e kualifikuar e 7 votave është 5 vota, 5 vota prej të cilave 6 janë me shumë gjasë të pozitës”, ka thënë ai.

Kjo sipas tij nuk i jep asnjëfarë lloj fuqie vendimmarrëse për opozitës.

Ndryshe, ekipi negociator më 8 janar për herë të parë ka qenë në Bruksel, ku kanë zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësuesit e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat