Shtegtimi i Shpendit nga Prishtina në Bruksel

Aktuale

Shtegtimi i Shpendit nga Prishtina në Bruksel

Më: 14 janar 2019 Në ora: 19:17
Shpend Ahmeti Ilustrimi: Trembelat

Pjesëmarrja e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në ekipin negociator ka ngjallur shumë kritika dhe mospërkrahje nga analistët dhe shumica opozitare në asamblenë komunale.

Sipas analistëve, duke marrë pjesë në ekip negociator Shpend Ahmeti do ta lërë anash qeverisjen komunale, për të cilën ka marrë besimin nga qytetarët.

Analisti Artan Murati për gazetën “Jeta në Kosovë” thotë se pjesëmarrja e Ahmetit në bisedime do t’ia kufizojë kohën për t’u marrë më udhëheqjen komunale dhe problemet e qytetarëve të komunës së Prishtinës.

Murati shtoi se kompetencat e kryetarit nuk i ka asnjëri nga vartësit e tij dhe arsyetimi potencial se është i zënë me punë në Bruksel është i papranueshëm.

“Dialogu është në fazën më kritike që nga fillimi i procesit dhe rrjedhimisht edhe intensiteti i punës do të jetë shumë më i lartë këtë vit. Në anën tjetër, në qeverisjen Komunale në Prishtinë është shtuar presioni nga subjektet në opozitë, që së fundi kulmoi edhe me kallëzim penal për kontratën e qumështit. Andaj, për z. Ahmeti pritet të ketë shumë punë, dhe mosorientimi në një front të vetëm mund të paraqesë probleme serioze në punën e cila duhet të kryhet. Në Komunë ekzistojnë edhe nënkryetarët dhe stafi tjetër ekzekutiv, por asnjë nuk ka kompetencat e kryetarit”, tha ai.

Edhe analisti, Haki Abazi, përfshirjen e Shpend Ahmetit në ekipin negociator e ka konsideruar si tentim për të mbuluar dështimet në qeverisjen komunale.

“Është një tentim i Ahmetit për të mbuluar dështimet në qeverisjen me kryeqytetin. Në mandatin e parë është ankuar për mungesë përkrahjeje në Asamblenë Komunale ndërsa në mandatin e dytë duke e konsideruar Prishtinën si vend parashutimi në politikën nacionale. E ka lënë anash plotësisht qeverisjen në Prishtinë. Është fatkeqësi se sa zhgënjyes ka qenë fakti për përtacinë dhe djallëzinë e manipulimit të votuesve që ka bërë Ahmeti dhe PSD”, ka deklaruar Abazi.

Ai po ashtu ka thënë për gazetën “Jeta në Kosovë”, se kjo përfshirje ka disa dimensione duke tentuar të balancojë një grup i cili nuk ka peshë në politikën kosovare.

“Përfshirja e Ahmetit në delegacionin qeveritar ka disa dimensione. Kjo tregon që kjo lëvizje ka qenë taktike për të mbajtur relevant një grup që nuk ka asnjë peshë në politikën kosovare, e cila me mandatet e vjedhura nga LVV po tenton të krijojë pozicion duke mbajtur në mandat një Qeveri, e cila nuk ka legjitimitet dhe as nuk ka mundësi praktike ta avancojnë agjendën zhvillimore e euroatlantike. Por, PSD është e vdekur politikisht në cilindo aspekt meqë nuk ka as përkrahjen minimale”, ka shtuar ai.

Opozita në kryeqytet: Përfshirja e Ahmetit në dialog, ikje prej përgjegjësive lokale

Partitë opozitare në kryeqytet pjesëmarrjen e kryetarit Shpend Ahmeti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cilësojnë si ikje prej përgjegjësive për një qeverisje lokale të denjë për qytetarët.

Asamblisti Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës tha për gazetën JNK, se si grup i asamblistëve të kësaj partie nuk do lejojnë që Shpend Ahmeti t’u ikë përgjegjësive dhe premtimeve të dhëna gjatë fushatës.

“Nuk e mendoj që duhet ndejtur duarkryq nëse nuk realizohen premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës. Ai e ka marrë një përgjegjësi të re dhe duhet me ditë me menaxhu punët, e në anën tjetër, në Komunë të Prishtinës nuk duhet me mbetë assesi tentimet apo punët në gjysmë se qytetarët presin që qeverisja lokale me i përmbush edhe zotimet e tyre e sidomos në lidhje me projekte kapitale që janë në numër të vogël të realizume edhe në mandatin e kaluar edhe këtë mandat”, është shprehur Retkoceri.

Fitnete Bejta, asambliste nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës tha për gazetën JNK se nuk do të vërehet mungesa e Shpend Ahmetit nëse ai do të arrijë t’u ndajë detyrat vartësve të tij.

“Unë mendoj që një menaxher i mirë mund t’i delegojë detyrat e tij te nënkryetarët e Komunës që mos me vërejtë mungesën e Ahmetit gjatë kësaj kohe dhe mendoj që nuk do të ndikojë negativisht, nëse ka me ditë me i delegu detyrat te varësit e tij që të kryhen përgjegjësitë që i ka ndaj qytetareve”, tha Bejta.

Ndërsa, sipas asamblistit Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesëmarrja e Ahmetit në ekip negociator do të paraqesë vështirësi për qytetarët e kryeqytetit.

Ai thotë se duhet që të gjitha partitë e Kuvendit Komunal të organizohen që të ndërmerret diçka në këtë aspekt.

“Nëse e analizojmë për vitin 2018 kjo qeverisje ka dështuar dhe është ndër komunat e pakta që nuk ka arritë me përfitu grant nga MAPL-ja e që tregon më së miri një qeverisje joefikase. Duke e shtuar se tash që është bërë pjesë e ekipit negociator do të ketë ndikim më të madh duke marrë parasysh që ende s’ka arrit me emëru drejtorët e shkarkum të Lëvizjes Vetëvendosje. Është degradu gjithçka në Komunën e Prishtinës, ku shihet tashmë edhe në problemin për mirëmbajtjen e rrugëve që kërkohet intervenim emergjent”, u shpreh Rrahmani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndryshe, më 15 dhjetor të vitit 2018 është votuar në Kuvendin e Kosovës rezoluta e Partisë Socialdemokrate për dialogun Kosovë- Serbi, e cila përfshinte edhe formimin e ekipit negociator.

Shpend Ahmeti nga Partia Socialdemokrate dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate janë kryesues të këtij delegacioni.

Ndërkaq, anëtarë sipas kësaj rezolute janë: Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Mahir Yagcilar, Dardan Gashi dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.

Përveç kësaj, dy vendet e rezervuara për LDK-në dhe LVV-në, i mbajnë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë votimit të rezolutës së Partisë Socialdemokrate e kanë bojkotuar votimin./JNK

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat