Ismaili: Interesat e Amerikës, interesa të Kosovës

Aktuale

Ismaili: Interesat e Amerikës, interesa të Kosovës

Më: 16 janar 2019 Në ora: 20:55
Uran Ismaili

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka deklaruar se interesat amerikane në Rajon janë interesa të Kosovës.

Këto komente ai i ka bërë në RTK, duke folur për çështjen e taksës dhe trysnin amerikane për heqjen ose suspendimin e saj.

“Taksa që është vendosur nga Republika e Kosovës ka funksionuar. Edhe në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin politik, janë arritur rezultatet me këtë taksë”, ka thënë Ismaili.

“Tani jemi në një situatë kur medialisht thuhet se kemi një trysni nga SHBA-të për heqjen e taksës. Ajo që ne e shohim në politikë, interesat amerikane dhe interesat e Kosovës kanë qenë goxha të harmonizuara. Ne kemi qenë një shtet që kemi pasur mbështetje tepër të madhe të Amerikës dhe ende e kemi atë”, ka shtuar ai.

Ismaili ka pohuar se duhet gjithnjë të shihet se interesat amerikane në Rajon janë interesa të Kosovës.

“Interesat e Kosovës në këtë rast duhet t’i harmonizojmë me interesat amerikane, sepse në të kundërtën rrezikimi i interesave amerikane në Kosovë mund të jetë rrezikim edhe i vetë shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj që menjëherë ta heqë ose pezullojë taksën 100 % të vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, si dhe për të vazhduar me Dialogun Kosovë-Serbi.

“Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të Dialogut”, është thënë ndër të tjera në porosinë e SHBA-ve për autoritetet vendore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat