Përafrohet drafti i marrëveshjes “Mini-Shengen” Kosovë-Shqipëri

Aktuale

Përafrohet drafti i marrëveshjes “Mini-Shengen” Kosovë-Shqipëri

Më: 17 janar 2019 Në ora: 16:56
Pamje nga takimi

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, ka pritur sot në takim një delegacion nga Republika e Shqipërisë, të kryesuar nga zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, me të cilin ka biseduar rreth zbatimit të Marrëveshjes për Heqjen e Kontrolleve Kufitare ndërmjet dy vendeve.

Gjithashtu, në këtë takim u bisedua për përshpejtimin dhe harmonizimin e të gjitha akteve ligjore dhe nën-ligjore, me qëllim të fillimit të implementimit të marrëveshjes “mini-Shengen”, në mes të dy vendeve, e cila është iniciuar dhe dakorduar nga mbledhja e mëhershme e të dy qeverive në qytetin e Pejës.

Me këtë rast, të dyja palët janë pajtuar që kjo marrëveshje të jetë në funksion të lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe lehtësimit të komunikacionit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Të dy grupet punuese janë takuar javën e kaluar në qytetin e Durrësit, me çka kanë përafruar draftin e kësaj marrëveshjeje.

Po ashtu, të dy palët janë dakorduar që në ditët në vijim të kenë takime të radhës, me qëllim të finalizimit të marrëveshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat