Haradinaj në tubimin për Skenderbeun: Nuk do të merret më tokë prej Kosovës

Aktuale

Haradinaj në tubimin për Skenderbeun: Nuk do të merret më tokë prej Kosovës

Më: 17 janar 2019 Në ora: 20:24
Këto deklarata Haradinaj i ka bërë gjatë ceremonisë përmbyllëse të vitit të Skënderbeut

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosovës nuk do t’i merret më tokë nga të tjerët. Këto deklarata Haradinaj i ka bërë gjatë ceremonisë përmbyllëse të vitit të Skënderbeut, me ç’rast u shënua edhe 37 vjetori i vdekjes së veprimtarëve të çështjes kombëtare Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla.

Haradinaj kujtoi kontributin që këta heronj kanë dhënë në mbrojtjen e tokave shqiptare, duke pohuar se në Kosovë e Shqipëri nuk ka toka të huaja.

Haradinaj tha se Kosova nuk ka më tokë për të falur, e njëherësh bëri thirrje për paqe.

Haradinaj: Nuk do të merret më tokë prej Kosovës

“Ne nuk kemi tokë të huaj në shtetin tonë, ne jemi të rrethuar me tokën tonë që sot është në shtetet tjera. A e vendosim një paqe një herë, a e ndalim njëherë praktikën që ne me dhanë ende tokë tonën për të tjerët, të cilët na kanë marrë në vazhdimësi. Unë dëshiroj të besoj se i takoj brezit që do ta ndalë këtë praktikë, që dikush të marrë prej shqiptarëve, dëshiroj ta besoj, unë i takoj këtij brezi, do të jetoj me këtë bindje, nuk do të marrë më dikush tokë të Kosovës, as të atdheut tonë”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, Haradinaj ka thënë se liria që gëzojnë shqiptarët është meritë e shumë brezave, e sipas tij, as qeveria e as populli nuk mund t’i dalë hak.

Ai çmoi lart figurën e Gjergj Kastriotit, për të cilin tha se tashmë po e kujton e gjithë bota.

Haradinaj: Veprën e Skënderbeut e kujton gjithë bota

“Veprën e tij e kanë nxjerrë shqiptarët, e kanë nxjerrë dijetarët e asaj kohe, kronistët, vazhdojnë me e nxjerrë në dritë sot e kësaj dite studiues të ndryshëm nga i gjithë globi. Por, më së miri të vërtetën për Skënderbeun e kanë ruajtur në zemër e mendje edhe e kanë bartur brez pas brezi njerëzit e gjakut të tij, e kemi ruajtur ne, populli ynë shqiptar e krenohem me këtë”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë kësaj ceremonie, Haradinaj ka ndarë dekoratë për akademik Pajazit Nushin, në falënderim të punës së Nushit si kryetar i Këshillit organizativ për aktivitetet kushtuar 550 vjetorit të ndarjes nga jeta të Skënderbeut.

Me këtë rast, u promovua edhe pulla postare dedikuar 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, të cilën Haradinaj e pranoi nga drejtori i Postës, Sejdi Hoxha.

Ndërsa këshilltari i Haradinajt, Jahja Lluka, i dhuroi regjisorit Xhevat Limani librin e sapobotuar “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” të autorit Luan Tashi.

Kjo dhuratë iu nda Limanit në nderim të kontributit të tij për promovimin e Gjergj Kastriotit, përmes shfaqjes së tij “Skënderbeu”, të cilën e ka shfaqur në disa vende të botës.

Gjatë programit u shfaq edhe dokumentari përmbledhës i aktiviteteve kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut.

Ceremonia përmbyllëse u përcoll edhe me shfaqje, muzikë e poezi, në mesin e të cilave ishin shfaqja teatrale “Skënderbeu” e regjisorit Xhevat Limani dhe performimi nga valltarët e Ansamblit “Shota”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat