Piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës, rrëfen emocionet në ditën e transformimit të FSK-së në Ushtri

Aktuale

Piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës, rrëfen emocionet në ditën e transformimit të FSK-së në Ushtri

Më: 17 janar 2019 Në ora: 21:00
Nëntogeri Afrim Zabeli, diplomoi si pilot i FSK-së në Akademinë Ushtarake të Turqisë.

Piloti i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Zabeli ka rrëfyer emocionet në ditën e transformimit të FSK-së në ushtri.

Diplomimi i Afrim Zabelit nuk ishte aspak i rëndomtë. Ai në këtë rast hyri në historinë e Kosovës. Afrim Zabeli më 15 dhjetor u bë piloti i parë i Ushtrisë kosovare. Për të kjo ditë mbetet ndër momentet më të lumtura të jetës së tij.

Ai në emisionin “Pasdite” të RTV Dukagjini ka rrëfyer emocionet që përjetoi në momentin kur Kosova u bë me ushtri.

“Kjo për mu do të thotë shumë, pasi të gjithë e dimë se lufta e fundit na preku shumë dhe na shkaktoi dëme shumë të mëdha. Ndihem shumë i lumtur dhe shumë krenar që jam pjesë e historisë së re të Kosovës, dhe të jem piloti i parë i Ushtrisë së Kosovës. Kjo më bën të ndjehem krenar dhe është ndjenjë e veçantë”, deklaroi Afrim Zabeli.

Lufta e fundit ia mori Afrimit vëllain dhe babin. E kjo fatkeqësi e shtyu atë drejt këtij rrugëtimi.

“Në luftën e fundit kam humbur babin dhe vëllain në masakrën e Rezallës. Unë në atë moment kam qenë fëmijë 7-8 vjeçar, dhe nga ai moment më ka lindur dëshira për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës. Kur kam qenë i lodhur dhe i mërzitur, gjithmonë i kam kërkuar prindërit, vëllain dhe gjithë dëshmorët dhe aty më është shtuar vullneti për të vepruar më tutje”, tha piloti Afrim Zabeli.

Nëntogeri Afrim Zabeli, diplomoi si pilot i FSK-së në Akademinë Ushtarake të Turqisë. Ai tregon për eksperiencën e tij atje ku edhe pati mbështetjen e kolegëve të tij nga Kosova.

“Ka qenë një eksperiencë ku çdo ditë kemi pasur sfida të reja, mirëpo me angazhim dhe përkushtim të madh ja kemi dalë me sukses. Në akademi kemi qenë pesë kosovarë. Katër djem dhe një vajzë. Po të mos ishin edhe ata do të ishte edhe më e vështirë, mirëpo gjithmonë kemi pasur mbështetje të njëri-tjetrit”.

Afrimi ashtu si ushtarët e ushtrisë kosovare betohet se do i qëndroj ‘gatitu’ shtetit në çfarëdo lloj situate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat