Mustafa thotë se PDK ofertën për të qeverisur bashkë ua bëri në ndeja private

Aktuale

Mustafa thotë se PDK ofertën për të qeverisur bashkë ua bëri në ndeja private

Më: 18 janar 2019 Në ora: 21:18
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se PDK-ja nuk i ka bërë ofertë zyrtare për bashkëpunim me LDK-në për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, ndonëse një ofertë e tillë, siç theksoi Mustafa, mund të jetë shtruar jo zyrtarisht nga zyrtarë të PDK-së.

“Ne nuk kemi pasur ndonjë ofertë zyrtare nga PDK-ja, për shkak edhe të gjendjes që jam tani nuk kam lëvizje të madhe jashtë në mënyrë që të kontaktoj me njerëzit e PDK-së. Nuk mund të them që nuk ka pasur takime ose ndeja të ndryshme që edhe mund të jetë shfaqur ndonjë variant apo propozim i tillë, por propozim zyrtar nuk kemi pasur në LDK”, tha Mustafa.

Ai tha së LDK nuk pranon në asnjë mënyrë të bashkëpunojë me PDK-në,  por në të njëjtën kohë theksoi se kjo parti nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt.

“Edhe po të kishim pasur ftesë ne nuk do të bashkëpunonim në asnjë rast sepse kemi konsideruar se kjo Qeveri duhet të bie dhe të shkohet në zgjedhje dhe të fitohet legjitimiteti për këto procese që janë të rëndësishme tani dhe që Kosova të jetë bashkë në këto procese. Mirëpo, nuk mund të themi se nuk bashkëpunojmë në asnjë mënyrë sepse duhet të kemi parasysh që PDK si parti ka një pjesë të rëndësishme të anëtarësisë të qytetarëve që e parapëlqejnë programin e saj dhe natyrisht që nuk mund ti përjashtojmë ata ose të sillemi në mënyrë përjashtuese për ta në procese të rëndësishme. Por duhet edhe PDK të bartë pasojat për mosrespektim të kontratave, marrëveshjes që kemi pasur me ta. Për zgjedhje të reja ne do të hyjmë si LDK dhe varësisht prej vendimeve që marrin organet e LDK ne do të përcaktohemi për partnerët qeverisës”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat