PSD-ja s’e voton buxhetin pa iu plotësuar kushtet, Qeveria synon ta miratojë në fund të muajit

Aktuale

PSD-ja s’e voton buxhetin pa iu plotësuar kushtet, Qeveria synon ta miratojë në fund të muajit

Më: 19 janar 2019 Në ora: 00:51
PSD

Pesë kushte kishte vënë Partia Socialdemokrate kur si parti opozitare, më 21 dhjetor të vitit të kaluar bëri të mundur të kalojë në parim Projektligji për Buxhetin e vitit 2019. Por, kjo parti thotë se nuk do të votojë buxhetin në lexim të dytë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Media ka mësuar nga një burim brenda Qeverisë se buxheti në lexim të dytë do të votohet në fund të këtij muaji dhe ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, me kërkesë të PSD-së, do të shkarkohet para se të ndodhë votimi.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, tha se realizimi i kushteve të tyre është i lidhur me votimin e projekt-ligjit për buxhet në lexim të dytë, përfshirë edhe projekt-ligji për Qeverinë, që sipas saj, e kanë kërkuar më së largu në një afat tremujor.

“Partia Socialdemokrate është në pritje të jetësimit të kërkesave të saj për çështjen e projekt-ligjit për buxhetin. Votimi apo jo i PSD-së i projekt-ligjit për buxhetin varet tanimë nga veprimet e Qeverisë, përkatësisht shumicës parlamentare. Ligji për pagat, Ligji për Dialogun, Ligji për Qeverinë, Shkarkimi i z.Rikallo dhe Reforma pensionale janë interes i përgjithshëm dhe nevoja të qytetarëve të Republikës. Pa realizimin e tyre, nuk ka vota nga Partia Socialdemokrate për projekt-ligjin për buxhetin”, tha Kuçi.

Javë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj e la të hapur mundësinë e shkarkimit të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, por një gjë e tillë ende s’ka ndodhur. PSD-ja, thotë se nëse ky ministër nuk shkarkohet, atëherë ata s’do ta votojnë buxhetin në lexim të dytë.

“Shkarkimi i Ministrit të Bujqësisë, z. Nenad Rikallo është një nga 5 kushtet e parashtruara nga Partia Socialdemokrate për votimin e projekt-ligjit për buxhetin. Partia Socialdemokrate nuk e voton projekt-ligjin për buxhetin në lexim të dytë, pa shkarkimin e z.Rikallo, të cilën konsiderojmë se ka dështuar në drejtimin e sektorit të bujqësisë, që është prioritet dhe interes i Republikës së Kosovës”, tha tutje Kuçi për Kohen.

Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës thonë se janë në negociata me PSD-në. Avni Arifi, shef i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, tha se po shqyrtojnë kërkesat e tyre që kanë parashtruar si kusht për votimin e buxhetit.

“Qëndrimi im është i njëjti që e ka thënë kryeministri, kërkesat e tyre pritet të implementohen”, tha Arifi.

Por një tjetër burim brenda Qeverisë së Kosovë, i ka thënë portalit Koha.net se buxheti për vitin 2019, në lexim të dytë do të votohet në fund të këtij muaji. Gjithashtu, ka thënë se ministri Nenad Rikallo, do të shkarkohet para se të ndodhë votimi.

Në kushtet e PSD-së, përfshihet Ligji për pagat që të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të projektbuxhetit, me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë. Ligji për dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend. Ky Ligj ka kaluar në Qeveri dhe pret votën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim në një afat prej tre muajve, pastaj kërkohet funksionalizimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë dhe lirimi nga detyra i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo si dhe i tërhiqet vërejtja Qeverisë se projektbuxheti është i ngarkuar së tepërmi me skema sociale e beneficione pensionale.

Buxheti i Kosovës për vitin 2019 pritet të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat