Të hyrat e kryeministrit Haradinaj nuk ulen me Projektligjin i ri për pagat

Aktuale

Të hyrat e kryeministrit Haradinaj nuk ulen me Projektligjin i ri për pagat

Më: 19 janar 2019 Në ora: 20:05
Ramush Haradinaj

Paga e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk pritet të ketë ulje.

Përkundër deklarimeve të tij se paga e vetme që do të pësojë ulje do të jetë ajo e kryeministrit , të hyrat vjetore të Haradinajt nuk pritet të pësojnë ulje në rast se hyn në fuqi projektligji i ri për pagat në sektorin publik.

Është pikërisht neni 27 i projektligjit për pagat, i cili siguron që nëse një zyrtar publik pëson ulje të pagës, atij do t’i ofrohen shtesa që e mbulojnë diferencën e pagës.

“Nëse një individ, zyrtar apo funksionar publik, përfitonte përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, një pagë të plotë (paga bazë me të gjitha llojet e shtesave të rregullta), që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe një shtesë transitore të posaçme të barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vjetër dhe pagës së re”, thotë neni 27 i këtij projektligji.

Dispozitat e këtij neni thonë se këto shtesa do të ofrohen në masën 100 përqind në vitin e parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, 75 përqind në vitin e dytë, 50 përqind në vitin e tretë dhe 25 përqind në vitin e katërt.

Por, për Vetëvendosjen, deklarimet e Haradinajt janë propagandë derisa ai vazhdon ta ketë pagën më të madhe në rajon, në krahasim me homologët e tij.

Derisa Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Politike e Juridike, thotë se kjo rritje vë në rrezik qëndrueshmërinë e buxhetit të Kosovës.

E, se pagat në sektorin publik nuk do të pësojnë ulje, e ka thënë edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ajo, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, një ditë më parë, tha se të gjitha këto greva, origjinën e kanë te dyfishimi i pagave në kabinetin qeveritar dhe draft-ligji për pagat që i betonon ato tutje. “Ju bëj thirrje që të mos dorëzoheni! Nëse pagat e juaja nuk ngrihen, atëherë le të zbriten pagat e politikanëve”, ka shkruar Bajrami.

KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim nga Zyra e Kryeministrit për këtë projektligj për pagat, por zyrtarët e qeverisë nuk kanë dashur të flasin.

Kryeministri është vetëm njëri nga zyrtarët që do të ketë ulje të pagës me ligjin për pagat, krahasuar me pagën aktuale.

Ulje të pagës do të pësojnë edhe prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët gjithashtu pësuan një rritje prej 100 përqind pas vendimit të kryeministrit, të datës 20 dhjetor të vitit 2017.

Ndryshe, këtë projektligj të pagave po e kundërshtojnë disa sektorë publikë, duke përfshirë arsimin dhe shëndetësinë, të cilët kanë hyrë në greva të përgjithshme, me të vetëm kërkesë ngritjen edhe të pagës së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat