Amaneti i Ibrahim Rugovës: Ruani raportet me SHBA-në, Britaninë dhe Gjermaninë

Aktuale

Amaneti i Ibrahim Rugovës: Ruani raportet me SHBA-në, Britaninë dhe Gjermaninë

Më: 20 janar 2019 Në ora: 12:16
Ibrahim Rugova

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në prag të 13 vjetorit të vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, ka folur për raportet që ka pasur ai me këtë të fundit.

Sejdiu në RTV Dukagjini, ka rrëfyer për sëmundjen e Rugovës dhe momentet e fundit të jetës së Presidentit Historik.

“Kam takuar Rugovën për herë të fundit, dhjetë ditë para se ai të vdiste… Një mesazh i tij ishte që Kosova të mbante lidhjet e forta me shtet e fuqishme që na kishin ndihmuar, sidomos me SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe”, tha ai.

Ish-presidenti Sejdiu rrëfen se në momentet që sëmundja e Rugovës kishte avancuar, ky i fundit e kishte kuptuar më që nuk mund të vazhdojë t’u prijë proceseve të rëndësishme në atë kohë, e sidomos procesit me në krye Marti Ahtisarin.

“Më është përcjellë qëndrimi i tij për situatën që kemi pasur para vetës, sepse kishte filluar procesi i bisedimeve. Me Presidentin Ahtisaari ishin mbajtur një apo dy takime me Presidentin Rugova. Rugova kishte hyrë në një situatë të pamundësisë për të vazhduar më tutje me këtë proces. E di se personalitete të rëndësishme ndërkombëtare edhe ndonjë nga brenda kanë shkuar të bisedojnë me të me shqetësimin se çfarë do të bëjmë”, tha ai.

Sejdiu, thotë më tej, se asnjëri nga të pranishmit nuk i ka thënë: “President ti po shkon e çfarë të bëjmë tash”, por, thotë se janë konsultuar si të veprojmë me procesin e bisedimeve, pasi ishte proces që duhej bërë.

“President kemi këtë hall të përbashkët, çka mendon si ta vazhdojmë punën në këtë proces të rëndësishëm? Ishte vërtet një rrugë që duhej bërë. Ai [Rugova] ka përmendur emrin tim, me emër dhe mbiemër të përveçëm. ‘Fatmir Sejdiu të vazhdojë punën ku unë kam lënë’. Natyrisht në atë proces, derisa të kalojnë ato çështje”.

Pasuesi i Rugovës në presidencë, thotë më tej se për të ky “amanet” ishte barrë shumë e madhe për të, por edhe një respekt që Rugova kishte për të.

“Ishte një respekt i veçantë që kishte Rugova për mua. Pa paragjykuar raportet me tjerët, por unë kam pasur një qëndrim korrekt me të [Rugovën] dhe tepër të sinqertë më të gjatë bashkëpunimit me të”, tha ndër të tjera Fatmir Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat