Vitia: Duam të hetohen ata që abuzuan me luftën

Aktuale

Vitia: Duam të hetohen ata që abuzuan me luftën

Më: 20 janar 2019 Në ora: 12:22
Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinë, Arben Vitia, duke folur për ftesat që Gjykata Speciale po iu bën ish-komandantëve të UÇK-së, ka thënë se Vetëvendosje do që të hetohen ata që abuzuan në emër të luftës.

"Nuk duam të hetohet lufta e UÇK-së si luftë kriminale, sepse ajo ishte luftë çlirimtare kundër pushtuesit, por ne duam të hetohen njerëzit që abuzuan me luftën", ka thënë Vitia në mbledhjen e Këshillit të Qendrës së VV-së në Prishtinë.

Vitia po ashtu ka thënë se pas dhjetë viteve Kosovën po e njohin më pak vende.

"Situata në Kosovë nuk është aspak e mirë, po edhe nëse e bëjmë krahasimin për dhjetë vite si ajo sfida me fotografi që po bëhet në rrjetet sociale, vërejmë se në Kosovë shumë pak kanë ndryshuar. Me këtë nivel të zhvillimit, Kosovës do t'i duhen edhe 40 vite për t'u bërë si Kroacia", ka thënë Vitia.

Lidhur me vitin që lamë pas, ai tregoi se në këtë qendër u anëtarësuan qindra aktivistë të rinj.

"Përkundër një viti me sfida të shumta, qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë arriti mbi 6000 anëtarë në total, prej tyre 4000 anëtarë aktiv", ka thënë Vitia

E për këtë vit, Vitia ka thënë se synojnë të hapin pika në çdo cep të Prishtinës dhe njëherësh të rrisin edhe angazhimin e grave e vajzave në këtë parti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat