Qeveria ka një kërkesë urgjente për mësimdhënësit

Aktuale

Qeveria ka një kërkesë urgjente për mësimdhënësit

Më: 20 janar 2019 Në ora: 20:43
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi që kishte sonte me përfaqësuesit e SBASHK-ut, ka bërë të ditur Qeveria ka vendosur të rrisë pagat për mësimdhënësit, ndërsa ka kërkuar nga SBASHK-u të ndërpresë grevën e filluar më 14 janar.

Ai tha se Qeveria ka ndarë 20 milionë euro rritje të pagave në arsim dhe se rritja substanciale e pagave është votuar nga të gjitha partitë, si dhe është përkrahur nga Ministria e Financave.

Haradinaj: Qeveria ka rënë dakord për rreth 20 milionë rritje për paga në arsim

“Tani ka ndodhur një rritje substanciale e pagave dhe kjo rritje është votuar në Komisionin për Buxhet nga të gjitha partitë, edhe atyre opozitare. Edhe e atyre në koalicionin qeverisës, njëkohësisht është e përkrahur edhe nga ministri i Financave dhe rritja është si vijon:  Për mësimdhënësit e shkollave të mesme paga është rritur nga 523 në 597.8 euro, që i bie 74 euro rritje nga paga aktuale. Numri i mësimdhënësve janë rreth pesë mijë për arsimin e mesëm. Për arsimin fillor rritja është nga 479 në 525.8 euro, rritja është 46 euro. Për mësimdhënësit në arsimin parashkollor ka rritje nga 447 në 501.9 euro, rritja 54 euro. Me këtë nëse flasim për 30 mijë mësimdhënës sa janë, atëherë i bie që Qeveria e Kosovës e ka pranuar  dhe respektuar kërkesën e grevistëve, dhe ka rënë dakord për rreth 20 milionë rritje për pagat për arsimin”, ka thënë ai.

Haradinaj tha se përmes një letre ka kërkuar nga kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj që nesër urgjent të takohet me këshillin grevist dhe që nesër të fillojë mësimi.

Haradinaj: S’ka oferta tjera

“Ekziston një rrezik- nëse këshilli grevist vlerëson të vazhdojë grevën me bindjen se kjo është një ofertë dhe vjen tjetra, në fakt nuk kemi oferta tjera, është e pamundshme të shkojmë në ofertë të re, sepse kur votohet ligji, nuk ka kush me e nxjerr prej greve, mbesin peng. Ata që japin këshilla se mund të ndodh edhe një ofertë, bëjnë kalkulime gabim. Ekziston një mundësi pas votimit të ligjit të vendoset në dialog për të biseduar për statusin e tyre të ardhshëm, por nuk diskutohet më për këtë ligj... Nëse fillojnë me mësim nesër këtë e fitojnë”, tha Haradinaj.

Derisa përfaqësuesit e SBASHK-ut nuk ishin pjesë e konferencës për media të kryeministrit Haradinaj, ky i fundit ka shtuar se nuk ka marrë ndonjë aprovim nga përfaqësuesit e SBASHK-ut rreth rritjes së pagave.

Haradinaj: S'kemi pajtimin e SBASHK-ut

“Nuk kemi marrë një konfirmim të pajtimit, por kam bërë përpjekje për t’i informuar se për çfarë është fjala që të mos e keqkuptojnë”, tha Haradinaj.

Greva e mësimdhënësve ka filluar më 14 janar dhe ata, ndër të tjera, kërkojnë rritjen e koeficientit për paga prej 30 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat