SBASHK-u këmbëngul: S’kemi përçarje, mësimi s’do të rifillojë në asnjë shkollë në Kosovë

Aktuale

SBASHK-u këmbëngul: S’kemi përçarje, mësimi s’do të rifillojë në asnjë shkollë në Kosovë

Më: 20 janar 2019 Në ora: 21:04
Pamje nga takimi i sotëm

(E plotësuar) - Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se vendimet e disa komunave për rifillim të procesit mësimor të hënën nuk përfaqësojnë qëndrimin e mësimdhënësve.

Ai ka deklaruar se greva do të vazhdojë edhe në këto komuna.

“Kryetarët e komunave kanë dalë me këto deklarata, mirëpo për këtë vendosin mësimdhënësit e Kosovës dhe të punësuarit e tjerë në tërë sistemin arsimor. Komunikimin e kemi të vazhdueshëm, të gjithë do të jenë nesër në grevë”, ka thënë Jasharaj për kallxo.

Ai ka mohuar se ka përçarje në SBASHK.

“S’kemi përçarje, nuk besoj që do të ketë. Greva është legjitime dhe nuk besoj se do të ketë luhatje kurrsesi”, ka shtuar ai.

Dy komuna të drejtuara nga AAK-ja e kryeministrit Haradinaj, Deçani e Juniku, paralajmëruan sonte se nesër do të fillojë procesi mësimor.

Edhe Komuna e Mamushës paralajmëroi fillimin e gjysmëvjetorit të dytë nesër, më 21 janar.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sonte se është takuar me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, të cilin e ka njoftuar për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave prej 20 milionë eurosh në vit për mësimdhënësve të sistemit parauniversitar

Ka një rritje substanciale të pagave, tha Haradinaj, duke theksuar se për këtë rritje janë dakorduar të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare.

***

SBASHK-u ka hedhur poshtë ofertën e kryeministrit Ramush Haradinaj për ngritjen e koeficientit prej 0.2 për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, duke paralajmëruar vazhdimin e grevës në ditët e ardhshme.

“Sonte kryetari Jasharaj u takua me kryeministrin Haradinaj dhe ministrin Bytyqi ku mori një ofertë në formë të shkruar  nga kryeministri Haradinaj  në të cilën ofertë kishte ngritje të koeficientit prej 0.2 vetëm për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar (nga çerdhet e deri tek shkollat e mesme), që është rreth 10 % e ngritjes së koeficientit. Kjo ofertë nuk i plotëson kërkesat e SBASHK-ut, aq më shumë  pasi qe nuk janë  përfshirë punëtorët teknik , punëtorët administrativ si dhe i tërë sistemi universitar. Ju njoftojmë se greva vazhdon edhe ditët ne vijmë më shpresën se dialogu do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të anëtarësisë”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi që kishte sonte me përfaqësuesit e SBASHK-ut, ka bërë të ditur Qeveria ka vendosur të rrisë pagat për mësimdhënësit, ndërsa ka kërkuar nga SBASHK-u të ndërpresë grevën e filluar më 14 janar.

Ai tha se Qeveria ka ndarë 20 milionë euro rritje të pagave në arsim dhe se rritja substanciale e pagave është votuar nga të gjitha partitë, si dhe është përkrahur nga Ministria e Financave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat