Këshilltari i Veselit: PDK s’ka diskutuar asnjëherë heqjen e pakusht të taksës

Aktuale

Këshilltari i Veselit: PDK s’ka diskutuar asnjëherë heqjen e pakusht të taksës

Më: 20 janar 2019 Në ora: 21:12
Blerim Latifi, Këshilltar i Kadri Veselit

Blerim Latifi, Këshilltar i Kadri Veselit, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë deri më tash s’e ka diskutuar heqjen pa kushte të taksës ndaj produkteve të Serbisë.

“Sa i përket qëndrimit të PDK’së, as në forumet e PDK’së, as në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, asnjëherë, nuk është debatuar për heqjen e pakusht të taksës ndaj mallrave të Serbisë”, ka thënë Latifi të dielën.

Reagimi i tij erdhi ka akuzave të deputetit të AAK’së, Muharrem Nitaj, i cili tha se zyrtarët e PDK’së e NISMA’s kanë dezertuar prej qëndrimit pro taksës ndaj Serbisë prej momentit kur erdhi kërkesa e SHBA’së për heqjen e saj.

Megjithëkëtë, Blerim Latifi ka thënë se kërkesa amerikane për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe duhet të trajtohet me seriozitet maksimal shtetëror.

“Taksa është vendosur për të mirën e Kosovës. Vendosja e taksës nuk ka qenë demonstrim, përkundrazi, ka qenë vërejtje që të ndalet agresiviteti serb ndaj Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë ai.

 Ky zyrtar i Parlamentit të Kosovës u ka bërë thirrje zyrtarëve shtetërorë të jenë të kujdesshëm kur flasin për veprime strategjike të Shtetit.

“Vendimi për këtë taksë ka qenë vendim shtetëror dhe ecuria e mëtutjeshme e saj duhet të trajtohet me seriozitet maksimal shtetëror dhe duke mos lejuar që komentet e lira në portale dhe faqet e facebook’ut të zëvendësojnë arsyen shtetërore, nga kushdo”.

Muharrem Nitaj, Nënkryetar i AAK, ka thënë se ata që merrnin merita se kush vendosi taksën ndaj Serbisë e Bosnjës kanë dezertuar dhe janë fshehur.

Nuk ka përmendur emra, por, merita për këtë taksë kanë marrë zyrtarët e PDK’së e NISMA’s.

Së fundmi, Jakup Krasniqi i NISMA’s kërkoi të mos hiqet taksa edhe nëse shkarkohet Haradinaj.

Muharrem Nitaj ka pyetur nëse Ramush Haradinaj duhet të jetë i vetëm në betejën për mbrojtjen e taksës.

“Ra ky mort e u pamë dhe edhe ata që ende nuk kanë guxim të shprehen kundër taksës, nuk thonë “Kryeministër jemi ne ty”, por i sugjerojnë atij që më mirë të japë dorëheqje se sa ta heqë taksën. Thua që kjo taksë është e Ramush Haradinjat dhe vetëm ai duhet të luftoj e ta mbrojë atë”, ka thënë Nitaj.

Ky zyrtar i AAK’së është treguar i ashpër me udhëheqësit e PDK’së që po kërkojnë heqjen e taksës. Ka thënë se të njëjtit po flasin sikur taksa ishte kundër SHBA’së e BE’së.

“Madje qe vlerësuar si vendimi më i rëndësishëm i kësaj Qeverie, meritat për të cilin u munduan t’i marrin nga i pari te i fundit. Por pak ditë më vonë, e pas reagimit amerikan, ata që e kishin mbështetur, filluan të dezertojnë e të distancohen nga taksa, dhe të flasin sikur ajo ishte taksë kundër ShBA dhe BE! Prandaj a duhet që Kryeministri Haradinaj të shndërrohet në luftetarin e fundit edhe për mbrojtjen e kësaj takse, kur të tjerët tashmë po bëjnë sehir!”, ka shtuar Nitaj. 

Ramush Haradinaj kishte dhënë fjalë të mëdha kur e kishte marrë vendimin për taksë. Ishte zotuar se nuk do ta hiqte këtë masë derisa Serbia të njohë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat