Thaçi: Kosovës nuk i duhet pavarësia pa mbështetjen e Amerikës

Aktuale

Thaçi: Kosovës nuk i duhet pavarësia pa mbështetjen e Amerikës

Më: 21 janar 2019 Në ora: 18:31
Hashim Thaçi

Shteti i Kosovës cenohet vetëm atëherë kur lëndohet raporti me SHBA-në, dhe kushdo që dëmton këtë relacion nuk e gëzon mbështetjen e qytetarëve.

Kështu ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media takimit me kryesuesit e ekipit negociator, të cilëve ia ka dorëzuar dokumentacionin për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, raportet me ShBA-në janë më të rëndësishme se çdo interes tjetër, dhe çdo devijim i mundshëm nga ky parim është devijim nga angazhimet strategjike Kosovë – ShBA.

Këtë qëndrim i pari i vendit e pati edhe për taksën 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë, me ç’rast u shpreh se nuk i takon asnjë lideri që për interesa momentale të vë në pikëpyetje raportet me ShBA-në.

Ai u shpreh se Serbia meriton ndëshkim edhe përtej takës për ato që i ka bërë në Kosovë, porse ka shtuar se Kosova duhet të shikojë më larg sesa politikat momentale, duke mos vendosur pengesa për dialog. 

Thaçi: Shteti i Kosovës cenohet kur lëndohen raportet me ShBA-në

“Shteti i Kosovës cenohet atëherë kur ne lëndojmë  marrëdhëniet me ShBA-në, kush do që të jetë ai, qoftë lider institucional, qoftë  lider opozitar, qoftë deputet, qoftë ministër, kush do që të jetë... Raportet me SHBA-në, janë më të rëndësishme se çdo interes momental. Tash është momentumi për të punuar  të fuqishëm dhe të bashkuar, të gjithë. Unë nuk predikoj në deklarimet e mia  kurrë, për këtë njeri apo për këtë njeri, për këtë lider apo për këtë lider, unë flas në parim. Dhe kush do që i cenon këto parime, kush do që i cenon investimet e SHBA-së  në Kosovë dhe relacionet me SHBA-të, natyrisht se nuk ka mbështetje qytetare dhe është devijim nga angazhimet strategjike Kosovë-ShBA. Kosovës as liria e as pavarësia, nuk i duhet pa mbështetjen amerikane”, tha ai.

Njëherësh, duke folur për rëndësinë që ka arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, obliguese për të dyja palët, Thaçi tha se duhet ndalur thashethemet për ndarje territoriale.

Ai mohoi se veriu apo ndonjë pjesë tjetër mund të shkëputet nga Kosova, teksa përsëriti se Lugina e Preshevës do t’i bashkohet vendit.

Thaçi: Të ndalen thashethemet për ndarjen e territorit

“Edhe Gazivoda, edhe veriu i Mitrovicës, Trepça, do të jenë pjesë të Republikës të Kosovës dhe duhet definitivisht të ndalen këto thashetheme tejet të ekzagjeruara dhe të panevojshme. Jo të ndalen por t’i hedhë poshtë”, u shpreh ai.

Po ashtu, presidenti ka njoftuar se i ka ofruar ekipit negociator dokumentin informues, dokument ky që përfshinë sfondin e dialogut Kosovë-Serbi. Teksa tha se në këtë dokument përfshihen edhe vërejtjet dhe sugjerimet e po ashtu rekomandimet e zyrës së presidencës.

Thaçi: Dokumenti përfshinë sfondin e fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi

“Unë si president i Republikës së Kosovës kam ofruar informatën e nevojshme apo informatën, të përgatitur nga zyra e presidencës së Republikës së Kosovës. Një dokument informues për delegacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, me qëllim që të informoj dhe të ndihmoj ekipin negociator të Republikës së Kosovës  në përmbushjen e detyrave të përcaktuara me përgjegjësitë që kanë marrë, rezolutës së kërkuar të Kuvendit të Kosovës, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve  ndërmjet Republikës së Kosovës  dhe Serbisë të datës  15.12.2018... Ky dokument informues përfshin sfondin e fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi. Pastaj, pozicionet e përgjithshme  të palës kundërshtare në takimet e zhvilluara me  përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel, të udhëhequr nga zonja Mogherini dhe ekipa e saj”, u shpreh ai.

Në fund, ai ka komentuar edhe grevën e SBASHK-ut.

Thaçi: Kur te ulesh me SBAHSK-un mund të merresh vesh

"Unë i kuptoj vendimet e Qeverisë të Kosovës, respektoj të drejtën për protestë dhe grevë, por inkurajoj palët për dialog social. Jam kundër veprimeve të njëanshme, të kujdo qoftë. Unë me ata njerëz kam punuar gjatë, i njoh, kur të ulesh merresh vesh me ta", u shpreh ai.

Ndërsa, ka shtuar se nëse do të ketë ftesë nga Gjykata Speciale do t’i përgjigjet me korrektësi./N.Jakupi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat