Avni Klinaku thotë se taksa i ndihmon dialogut

Aktuale

Avni Klinaku thotë se taksa i ndihmon dialogut

Më: 22 janar 2019 Në ora: 19:46
Avni Klinaku

Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, duke folur për taksën 100 % të vendosur për produktet e Serbisë ka thënë se një masë e tillë duhet të mbetet në fuqi. “Unë mendoj se taksa nuk duhet të hiqet akoma. Kjo taksë përbën një veprim reciprociteti ndaj shtetit të Serbisë, ndaj një fqinji”.

“Reciprociteti si politikë bilateralë ndërshtetërore është rregullator shumë i mirë i marrëdhënieve”.

“Unë nuk jam dakord as me deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj që taksa do të hiqet me njohjen. Taksa duhet të vazhdojë edhe pas njohjes”.

“Reciprociteti është i njohur edhe mes shteteve që njihen mes vete”.

Klinaku ka thënë se një masë e tillë e vendosur nga Qeveria e Kosovës është veprim i vonuar dhe se e njëjta duhet të zhvillohet edhe më tepër.

“Reciprociteti duhet të shtrihet edhe në sferën politike. Po të isha në vendin e kryeministrit, qysh sot do të paralajmëroja edhe faktorët ndërkombëtarë, por edhe Serbinë, që në mandatin e ardhshëm qeveritar dhe të Kuvendit serbët nuk do të kenë më privilegjet që i kanë ose të njëjtat duhet t’i zbatojë Serbia për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

“Sa i përket kërkesave dhe presionit që po bëjnë SHBA-të dhe faktori ndërkombëtar, edhe BE-ja, lidhen ngushtë me dialogun mendoj që duhet të bëjmë përpjekje që të sqarojmë se dialogu pa taksën ka qenë dialog krejt kot që nuk ka dhënë rezultate”.
“Serbia derisa ka hapësira të tilla manovrimi do të manovrojë gjithsesi. Taksa i ndihmon dialogut dhe duhet të mbetet”.

Sekretari i LB-së ka thënë se megjithatë nuk është dakord që kjo taksë të dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-të.

“Nëse kjo shkon deri te prishja e marrëdhënieve me SHBA-të madje edhe me BE-në, nuk do të isha dakord me atë por kjo çështje nuk ka shkuar deri atje”.

“Nuk kemi pse ta largojmë taksën për një presion të tillë, të lehtë”.

“Le të rritet presioni. Nuk jam për të shkuar deri në prishje të marrëdhënieve por mendoj se duhet të rezistojmë deri në momentet e fundit sepse është e drejtë –  ka efekte të mira politike dhe efekte shumë të mira ekonomike.Të gjithë, opinioni në Kosovë, qëndron prapa asaj që taksa është e drejtë, nuk duhet të na çojë në prishje me aleatët dhe nuk duhet të pengojë marrëveshjen finale me Serbinë”.

“Nëse dialogu nuk po jep rezultat dhe nuk ka dhënë rezultat që 10 vjet, taksa i ndihmon edhe marrëveshjes finale”.

Avni Klinaku ka shprehur mosbesim që në Qeverinë e Kosovës ka ardhur një letër me paralajmërimin amerikan për heqjen e taksës.

“Nuk kam parë letër zyrtare. Ajo çfarë unë kam parë ka qenë një letër e përpiluar dobët, sidomos në mesazh. Amerika nuk përpilon letra të tilla”.
“Krahasojeni atë me letrën e presidentit Donald Trump dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi – është ndryshim shumë i madh”.

Sipas tij, Serbia po përpiqet të bëjë presion për dialogun me taksën.

“Pa qenë dakord Serbia nuk ka marrëveshje – të dy palëve duhet t’u bie taman ajo marrëveshje që të realizohet. Serbia po përpiqet ta bëjë një presion ‘nuk vi në dialog pa e hequr taksën’ që me fjalë të tjera është se mua dialogu nuk po më intereson”.
“Duke vendosur taksën dhe duke u sjellë si shtet, Serbia do të ulet, do të bisedojmë dhe do ta zgjidhim këtë problematikë, përndryshe nuk zgjidhet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat