Pupovci: Greva e arsimit universitar e pakuptueshme - Bota Sot
Pupovci: Greva e arsimit universitar e pakuptueshme

Aktuale

Pupovci: Greva e arsimit universitar e pakuptueshme

Më: 22 janar 2019 Në ora: 22:50
Dukagjin Pupovci

Greva e mësimdhënësve në Kosovë ka hyrë tashmë në javën e dytë, teksa oferta e kreut të ekzekutivit, Ramush Haradinaj u refuzua nga ana e SBASHK-ut.

Këta te fundit kanë potencuar se oferta e kryeministrit nuk do të pranohet pasi që në të kishte ngritje të koeficientit prej 0.2, gjë që nuk i plotëson kërkesat e SBASHK-ut.

Drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci e ka konsideruar si të arsyeshme grevën e mësimdhënësve të arsimit parauniversitar.

Ai për Indeksonline ka thënë se koeficientet për këtë kategori duhet të rishikohen, por sipas tij nuk ka nevojë të rriten pagat nëse nuk ekziston një mundësi e tillë.

“Mendoj se revolta e mësimdhënësve të arsimit parauniversitar me koeficientet e përcaktuar në Projektligj është e arsyeshme,  pasi nuk janë kategorizuar me punonjësit me kualifikime të ngjashme dhe kompleksitet të ngjashëm të detyrave të punës.  Koeficientet për këtë kategori duhet të rishikohen, por nuk është e thënë që pagat të rriten nëse nuk ka mundësi. Thjeshtë, mund të zvogëlohet vlera e koeficientit nga 329 EUR sa është tani në shumën e cila është e përballueshme, gjë që ka kërkuar edhe SBASHK-u” është shprehur Pupovci.

Por, Drejtuesi i Qendrës për Arsim të pakuptueshme po e konsideron grevën e punëtorëve të arsimit universitar, të cilët i kanë rrogat më të mëdha në rajon.

“Për mua është posaçërisht e pakuptueshme që grevës i janë bashkëngjitur edhe universitetet publike me kërkesa për rritje koeficienti për mësimdhënësit e këtij niveli, ku pagat tanimë janë më të larta se në çdo vend tjetër të rajonit.  Sikur të ishin bashkëngjitur në shenjë solidarizimi me punonjësit e arsimit parauniversitar, do ta mirëkuptoja plotësisht këtë veprim” është shprehur Pupovci.

Pupovci, tërheqjen e mësimdhënësve të disa komunave nga greva e ka konsideruar si politike, duke i cekur kështu komunat ku qeverisë AAK-ja.

“Punë e sindikatës është të bëj greva, punë e shtetit është t’i “thyej” ato, prandaj këtu nuk ka asgjë jonormale. Megjithatë, duhet vërejtur se nisma për rifillimin e mësimit ka në komunat kur qeverisë AAK-ja, që tregon se edhe brenda vet koalicionit qeverisës mund të ketë të tillë që, për agjenda të veta, e mbështesin grevën, ose, të paktën, nuk kanë interes ta “thyejnë”.

Sipas tij,  fëmijët po dëmtohen shumë, duke theksuar se numri i ditëve të humbura nëse vazhdohet kështu pritet të jetë i lartë.

“Unë nuk konsideroj se greva është rruga e duhur për adresimin e këtij problemi. Projektligji ndodhet në Kuvend dhe ka hapësirë ende për ndryshime, bile mund të ndodhë që Projektligji të tërhiqet fare, sepse ka shumë kategori të pakënaqura. Kuptohet se dëmtohen nxënësit, pasi tanimë janë humbur 7 nga 185 ditë pune sa i ka një vit shkollor dhe ka mundësi që numri i ditëve të humbura të jetë edhe më i madh” ka thënë ai.

Por, të gjithë këtë gjendje Pupovci ia ka atribuuar edhe marrëveshjes së nënshkruar mes koalicionit PAN dhe SBASHK-ut, ku parashihej rritja e pagave për këtë sektor për 30%. Gjë e cila, sipas drejtorit të Qendrës për Arsim është përdorur shpesh vetëm si strategji për të fituar zgjedhjet.

“U bë një dekadë e plotë që premtimet për rritje të pagave dhe të pagesave sociale janë shndërruar në strategji për t’i fituar zgjedhjet. Të mos harrojmë se gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale të vitit 2017, Koalicioni PAN ka nënshkruar një marrëveshje me SBASHK-un për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit për 30%, e cila, natyrisht, nuk është realizuar, sepse ka qenë krejtësisht jorelae. Uroj që kjo të jetë marrëveshja e fundit e këtij tipi, sepse premtimet e kësaj natyre rrezikojnë stabilitetin buxhetor të vendit. Po ashtu,  sindikatave nuk ju takon të rreshtohen pas subjekteve politike, pasi në vete mbledhin anëtarë me orientime të ndryshme politike”

Në anën tjetër, gjendjen e punëtorëve të sektorit privat po e konsideron edhe më të keqe edhe vet Dukagjin Pupovci. Ai ka theksuar se mbi 70% e të punësuarve në Kosovë janë nga sektori privat, ku askush nuk flet për rritje pagash, ndërkohë që me paratë e taksave të tyre vazhdon të zgjerohet hendeku në mes të sektorit privat dhe publik. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...