Negociatat pushtet – opozitë lënë peng Projektligjin për buxhetin e vitit 2019

Aktuale

Negociatat pushtet – opozitë lënë peng Projektligjin për buxhetin e vitit 2019

Më: 24 janar 2019 Në ora: 15:23
Kuvendi i Kosovës

Viti 2019 e ka zënë Kosovën pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar në parim Projektligjin për buxhetin, ndërsa Kryesia e Kuvendit më 21 janar mbajti mbledhjen ku edhe u vendos që seanca për buxhetin të mbahet me 31 janar të këtij viti.

Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual, pritet që të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro.

Por edhe pse seanca do të mbahet, nuk ka sinjale se opozita do ta votojë këtë projektligj.

Dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë këtë projektligj.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se është hera e parë që nis viti pa buxhet të miratuar.

“Koalicioni PAN bënë pazar politik me 2.3 miliard euro të buxhetit të shtetit për të qëndruar në pushtet. Është hera e parë që nis viti pa buxhet të miratuar (përjashto vitin 2011 kur nuk ka pasur Kuvend për shkak të zgjedhjeve të dhjetorit 2010). Fatkeqësisht, koalicioni PAN po e përdor buxhetin e qytetarëve për pazare politike me PSD-në, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet. Kjo është e vërteta”, ka thënë Hoti.

Ai ka akuzuar koalicionin PAN, se po e përdor buxhetin e qytetarëve për pazare politike me PSD-në, siç thotë ai, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet.

Hoti ka thënë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e kësaj maskaradë, e cila, sipas tij, duhet marrë fund sa më parë.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë se ende nuk është vendosur zyrtarisht nëse do të marrin pjesë në seancë, por që ajo ka thënë se sipas të gjitha gjasave kjo parti nuk do ta votojë këtë Projektligj.

“Ne do ta mbajmë mbledhjen e grupit parlamentarë, pasi ta mbajmë mbledhjen do të informoheni për të gjitha detajet. Me siguri do të marrim pjesë, por kjo nuk është zyrtare. Po ashtu, siç e dini ne kemi shumë vërejtje në projektligjin për buxhet. Tani për tani është qëndrimi ynë i mëhershëm. Megjithatë mbetet të vendoset në mbledhje të grupit parlamentar. Por sipas të gjitha gjasave ne nuk do ta votojmë këtë Projektligj për shkak të vërejtjeve të mëdha”, ka thënë Kollçaku.

E vota e Partisë Socialdemokrate pro këtij projektligji është në dorën e Qeverisë së Kosovës, pasi ata kanë ven disa kushte për votimin e buxhetit.

Zëdhënësja PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë se Partia Socialdemokrate është në pritje të jetësimit të kërkesave të saj për çështjen e Projektligjit për buxhetin.

“Realizmi i kushteve tona është i lidhur me votimin e projekt-ligjit për buxhet në lexim te dytë, përfshirë edhe projekt-ligji për Qeverinë, që e kemi kërkuar më së largu në një afat tremujor. Partia Socialdemokrate është në pritje të jetësimit të kërkesave të saj për çështjen e projekt-ligjit për buxhetin”, ka thënë Kuçi.

Ajo ka thënë se votimi apo jo i PSD, i Projektligjit për buxhetin varet tanimë nga veprimet e Qeverisë, derisa ka shtuar se pa realizimin e tyre, nuk ka vota nga kjo parti për Projektligjin për buxhetin.

“Votimi apo jo i PSD i projekt-ligjit për buxhetin varet tanimë nga veprimet e Qeverisë, përkatësisht shumicës parlamentare. Ligji për pagat, Ligji për Dialogun, Ligji për Qeverinë, Shkarkimi i z.Rikallo dhe Reforma pensionale janë interes i përgjithshëm dhe nevoja të qytetarëve të Republikës. Pa realizimin e tyre, nuk ka vota nga Partia Socialdemokrate për projekt-ligjin për buxhetin”, ka deklaruar tutje ajo.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar kërkesat e PSD-së të parashtruara si kusht për votimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2019.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për lajmi.net se kërkesat e PSD-së janë legjitime dhe se do të merren parasysh.

“Kërkesat e PSD-së janë legjitime dhe Qeveria do t’i respektojë”, ka thënë shkurt Gashi.

Nga 2. 3 miliard euro sa parashihet buxheti i Kosovës, sipas projektimit aktual, rreth 770 milionë euro janë paraparë për investime kapitale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat