Mustafa: Taksa po i mbulon dështimet e qeverisë

Aktuale

Mustafa: Taksa po i mbulon dështimet e qeverisë

Nga: D.RR Më: 24 janar 2019 Në ora: 16:13
Isa Mustafa

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se taksa po i mbulon dështimet e qeverisë.

Ai është shprehur se LDK gjithmonë ka ndjekur rrugën euro-atlantike dhe atë të miqësisë së përhershme me SHBA-në, përcjellë "Bota sot".

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,
LDK është angazhuar dhe angazhohet për miqësi të përhershme me SHBA-të dhe partneritet me BE-në. E vetmja rrugë e Kosovës, për LDK-në, është rruga euro-atlantike. Në këtë frymë është sjellë LDK deri sa ka drejtuar Qeverinë por edhe në kohën kur presidentët e vendit ishin nga LDK.
Tani përgjegjësinë për vendimet që prekin në këto marrëdhënie duhet ta merr Qeveria dhe koalicioni qeverisës. Është rregull që ata që marrin vendime, vulosin edhe fatin e vendimeve të tyre.
Nuk ka nevojë të shfrytëzohet taksa për të bërë dallime të brendshme. Si Kryetar i LDK-së kam theksuar se është një masë e merituar ndaj Serbisë, por po ashtu se është një masë populliste, e pamatur mirë në momentin që është marre. 
Dihet se taksa u vu një ditë pasi Qeveria dështoi të anëtarësoj Kosovën në Interpol. Dështimi iu vesh Serbisë me të drejtë, por për këtë dështim nuk u fajësua askush në Kosovë që nuk e bëri punën mirë. Që ta mund Serbinë. Taksa mbuloi çdo gjë, i mbuloi të gjitha dështimet dhe po vazhdon ti mbuloj edhe më tutje. 
 

LDK nuk e ka propozuar taksën, nuk ka ngarendë të merr merita dhe LDK nuk konsideron se i takon asaj të shprehet se çfarë duhet të bëjë Qeveria me taksën. Kryeministri i ka 35 këshilltarë e 80 zëvendësministra; sikurse edhe Kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri (që u ofruan të marrin merita) le të konsultohen me njerëzit e vet. Ata janë aty për të dhënë ndihmesën e tyre në punët e shtetit, jo që me para të shtetit ta sulmojnë opozitën. 
 

Serbia po vazhdon aktivitetin e ndyre për tërheqje të njohjeve, por me te nuk po merren ndërkombëtarët. Të gjithë po merren me taksën e Kosovës. 
 

Taksa është bërë kusht nga Serbia për vazhdimin e dialogut, pra një lloj laure. Ne nuk i kemi vënë laura Serbisë. Se çfarë duhet të bëjë apo të mos bëjë për të vazhduar dialogu. Në momentin që ngrihet laura e taksës, askush nuk e di se ku e qon dialogu Kosovën. Askush nuk ka marrë siguri se Serbia do ta njohë Kosovë, askush nuk ka marrë garanci se nuk do të cenohet shtetësia e Kosovës.

E vetmja gjë që vërehet është se dikujt po i ngutet?! Dhe e vetmja gjë që dihet është se punët e shtetit nuk bëhen me nguti.
 

Institucionet e Kosovës, çdonjëra për vete lobon në SHBA e vende tjera përmes firmave lobuese me kontrata të dyshimta të nënshkruara nga ministra e zëvendësministra, apo nga Presidenca, pa e ditur kush se për çfarë po lobojnë dhe si po shpenzohen këto para publike. Tani edhe këto po i mbulon taksa. Por, jo përgjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat