Sipas Thaçit, ky njeri ka gisht në vrasjet e pasluftës: I kam dëgjuar Kurtin dhe Konjufcën duke thënë...

Aktuale

Sipas Thaçit, ky njeri ka gisht në vrasjet e pasluftës: I kam dëgjuar Kurtin dhe Konjufcën duke thënë...

Nga: D.RR Më: 24 janar 2019 Në ora: 19:57
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pati shumë për të thënë aty ku po mbahej seanca “Syri i Popullit”. Por, prezenca e mediave tha se po i pengon të zbuloj shumë sekrete shtetërore, kështu që gjygjtarja Naime Krasniqi-Jashanica kërkoi që mediat ta lëshojnë sallën që Thaçit t’i ipet mundësia që të flas për ato që ai i quajti sekrete.

Gjithashtu, është siguruar proces verbalin e dosjes së seancës të mbajtur në fund të dhjetorit, ku shihet se Thaçi kishte pasur frikë nga atentati që mund t’ia organizonte “Syri i Popullit”.

“Sa i përket shqetësimit tim për vrasje ka qenë serioz, kurse sa i përket etiketimit si tradhtar është më i vogli shqetësim. S’jam ndier i shqetësuar sepse nuk e kam marrë as edhe si fyerje. Unë them se me veprimet e anëtarëve të kësaj organizate kriminale është cenuar rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi në seancë.

Thaçi në dëshminë e tij thotë se organizator kryesor i organizatës “Syri i Popullit” është ish anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja dhe krerët e kësaj partie.

“Njëri ndër organizatorët e kësaj organizate është i akuzuar Sadri Ramabaja, pasi vetë ky ka dalë publikisht me idenë për marrjen e pushtetit, qoftë me forcë, me dhunë, madje si aktivist i Vetëvendosjes. Dhe unë me veshët e mi i kam dëgjuar Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën duke thënë, “Këta do t’i vrasim se ndryshe nuk kemi si me i largu nga pushteti”, ishte shprehur presidenti Thaçi, mëson T7, transmeton “Bota sot”.

Organizata “Syri i Popullit”, sipas presidentit Thaçi, ka gisht edhe në vrasjen e aktivistëve dhe figurave të njohura të LDK-së.

“Sadri Ramabaja dhe dy-tre njerëz të tjerë nga diaspora, duke mos qenë të zotë me i dalë zot vendit në luftë për liri, por nga qyqarllëku i nxitur nga shërbimet antiliri dhe pavarësi të Kosovës, për të ngjallur armiqësi në mes shqiptarëve e për të kompromentuar UÇK-në, kanë lëshuar komunikata dhe deklarata që janë të përafërta. Pastaj duke vazhduar edhe së fundmi me pyetjet që i janë shkruar Murat Jasharit duke bërë thirrje për vrasjen e presidentit Ibrahim Rugova, Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit, Xhemajl Mustafës, Enver Malokut dhe shumë veprimtarëve të tjerë”, citohet të ketë thënë Thaçi.

E i akuzuar Sadri Ramabaja, thotë se nuk ka të bëjë me akuzat që ia bën presidenti Thaçi.

“Në këtë kontekst që flet dëshmitari, flasin dy libra: Libri i Gafurr Elshanit dhe i Muhamet Kelmendit, por unë nuk kam të bëjë me këto libra. Ky e ka hallin te Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Ramabaja.

Presidenti Thaçi kur është pyetur se pse nuk i ka shpalosur deri më tani këto akuza kundër Ramabajës, ka thënë se nuk ka dashur të krijojë spektakël në opinion.

“Unë nuk kam dashur të bëjë spektakël me destabilizuar opinionin, andaj këtu në gjykatë duhet vërtetuar faktet dhe këtu duhet të thuhen gjërat, e këtu u besoj organeve të drejtësisë, i besoj shtetit të Kosovës”, ka theksuar Thaçi në seancë.

Ndërsa dëshmitë e tyre i kanë dhënë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nënkryetari Xhavit Haliti, ish ministri i drejtësisë Hajredin Kuqi dhe deputeti i PSD-së Faton Topalli.

Seanca pritet të mbahet nesër (e premte, 24 janar).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat