Mustafa: Rritja e pagave përtej mundësive buxhetore dhe zhvillimit, e rrezikshme

Aktuale

Mustafa: Rritja e pagave përtej mundësive buxhetore dhe zhvillimit, e rrezikshme

Më: 24 janar 2019 Në ora: 22:30
Muhamet Mustafa

Sistemi i pagave që servisohen nga buxheti i Kosovës do reformë të thellë. Apetitet për rritje të fondit të pagave përtej mundësive buxhetore dhe nivelit të zhvillimit ekonomik rrezikojnë stabilitetin fiskal e ekonomik.

Eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se përfituesit e pagave nga sektori publik duhet ta kuptojnë se stabiliteti buxhetor dhe ofrimi i shërbimeve të mira publike nuk është i mundur për një afat të gjatë nëse Kosova ka rreth 60% të nivelit mesatar të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, por një mesatare më të lartë të pagave të sektorit publik.

Ai ka thënë se nëse do të mund të arsyetohej një efekt nxitës të pagës e edhe një korrektiv të kohezionit të domosdoshëm social, pagat në Kosovë nuk do të duhej të kalonin 80% të mesatares së rajonit e kurrsesi mesataren e rajonit.

“Të punësuarit në sektorin publik kanë një privilegj, atë të sigurisë më të madhe të vendit të punës në krahasim me ata në sektorin privat, po kurrsesi nuk duhet të pretendojnë për paga më të larta së sa që e lejon niveli i zhvillimit ekonomik dhe buxheti i konsoliduar i Kosovës, i cili krahas pagave për të punësuarit në këtë sektor duhet të sigurojë edhe zhvillimin e infrastrukturës publike, arsimit, shëndetësisë, përkujdesjes sociale”, ka thënë Mustafa.

“Sistemi i pagave në këtë sektor, pra sektori publik i servisuar nga buxheti, ka brenda për brenda shumë deformitete që duhet të tejkalohen brenda një programi dhe strategjie afatmesme. Do të duhej që për secilën kategori të merrej si masë mesatarja e rajonit dhe brenda një periudhe afatmesme të arrihej ky harmonizim pa goditje të menjëhershme që mund të jenë problematike në rastet kur duhet zvogëluar paga”, ka thënë më tej ai.

Mustafa ka thënë se “përkundër goditjeve ndaj menaxhimit të qëndrueshëm të Buxhetit të Kosovës, kryesisht nga politikave ad-hok të rritjes së pagave të ndërlidhur me ciklin elektoral (në këmbim favorizimi me vota) deri me tani ka qenë një sukses se është mbajtur stabiliteti buxhetor”.

“Por kjo sa po vjen e po vihet në sprovë. Përfitimet nga pakoja e transfereve sociale, pensioneve dhe përfituesve të shumtë të skemave sociale (rasti i listave për veteranë p.sh.) por tash edhe rritja e pagave tek sektori publik ka marrë përmasat e një euforie për grabitje nga buxheti. Pa marrë parasysh se ka disa kërkesa që janë të drejta, si ajo e e mjekëve specialistë (me pagë 600 Euro), që nëse nuk adresohen do ta rrezikojnë seriozisht edhe më shumë cilësinë shërbimeve në QKU, ngarendja për pagat po merr tipare te një epidemie”, ka thënë Mustafa.

“Shkollat janë mbylle ka gati 10 ditë. Por po shohim kërkesa një pas një në Qeveri, në Kuvend dhe të shumë sindikatave për rritje të pagës. Po rrezikohet ajo që është vënë si rregull që rritja e pagave ta përcjellë përqindjen e rritjes ekonomike dhe të produktivitetit. Si u tha nuk mund të jetë e qëndrueshme që Kosova me 60% të mesatares së nivelit të zhvillimit të rajonit (GDP për një banorë), por pagat e sektorit publik dhe liderëve dhe shumë kategorive tjera janë dukshëm mbi mesataren e rajonit”, ka thënë më tej ai.

Sipas Mustafës, nëse sektori publik vazhdon kështu të gërryeje nga pasuria kombëtare edhe kjo e rrezikon shtet ndërtimin dhe stabilitetin e vendit.

“Është koha që këtu gjithçka të bëhet transparente dhe t’i nënshtrohet një debati të angazhuar dhe presioni publik. Buxheti dhe sektori publik nuk është pronë e partive në pushtet dhe e liderëve të tyre, e as e te punësuarve që marrin pagë nga ky buxhet. Prandaj duhet të fillohet me ketë proces ristrukturimi dhe përshtatje graduale të pagave, pse jo nga liderët e institucioneve, ministrat, deputetët që të fillojnë nga pagat e tyre në nivele mesatar me rajonin, dhe pastaj të bëjnë harmanizimet për punë të njëjte (kategori) paga përafërsisht e njëjtë se secilin institucion”, ka thënë më tej Mustafa.. “Loja e strucit me pagat e shërbyesve publikë dhe funksionarëve të zgjedhur duhet të përfundojë disi”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat