Konjufca: Thaçi i ka 23 deputetë në koalicionin qeverisës

Aktuale

Konjufca: Thaçi i ka 23 deputetë në koalicionin qeverisës

Më: 24 janar 2019 Në ora: 23:59
Glauk Konjufca

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Ekipi shtetëror për dialogun me Serbinë, të cilit i prinë Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, ia ka rehabilituar legjitimitetin e munguar presidentit Hashim Thaçit.

“Ndaj një projekti që ai e shpiku, e gjithë skena politike doli kundër", ka thënë Konjufca.

"Për shkak të kërcënimit apo shantazhit që mund t’ia ketë bërë partnerëve të koalicionit, kur dihet se Thaçi i ka 23 deputetë në koalicionin qeverisës, këta u munduan që ta gjejnë një modalitet”, është shprehur ai në Interaktiv.

“Modalitetin që e gjetën ishte se thoshin se do t’ia marrin nga dora Thaçit drejtimin e dialogut, duke ia marrë temën që ai e proklamoi që prej fillimit verës, e që është lëvizja e kufijve”, ka thënë Konjufca.

Ajo që u pa mandej, sipas Konjufcës, e sidomos pas letrës së Federica Mogherinit, që drejton dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nxorën të vërtetën.

“Ajo që doli nga letra e Mogherinit, është ashtu siç e kemi shpjeguar ne, që dialogu drejtohet nga Mogherni, dhe në letrën e saj e falënderoi Kosovën që e formoi një ekip ndihmues për Hashim Thaçin, e që është ajo që ne në fakt i frikësoheshim”, ka thënë Konjufca. 

“Aty thuhet se presidentët goxha shumë janë marrë vesh, dhe shumë afër është një marrëveshje. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse i bie që ata janë marrë vesh për temën e shkëmbimit të territoreve. Gjatë muajve, unë jam bindur se mes Thaçit dhe Vuçiqit ka një marrëveshje”, ka thënë më tej ai.

Konjufca është kthyer te fjalimi i Thaçit në Kuvend, e ku thotë se ai i falënderoi deputetët që e ndalën ‘Zajednicën’. 

Sipas Konjufcës, me këtë “Thaçi e bëri të qartë se është i interesuar për ta vazhduar projektin e tij të rrezikshëm të lëvizjes së kufijve”.

Ai ka thënë se kjo do të ishte fatale për shkak të dallimit të ndikimit të shteteve në territoret e njëra-tjetrës.

“Nëse e analizoni pjesën veriore të Kosovës dhe substancën e kontrollit të Serbisë në Luginë, ngritja e një ideje të tillë është fatale për Kosovën. Sepse ndryshe është po ta zëmë se Kosova do të kishte kontrollin e njëjtë që e ka Serbia në veri. Por kjo s’është as për së afërmi. Nëse futemi në këto principe, atëherë nuk ia doni të mirën Kosovës. Kjo ka ndodhur me Thaçin”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat