Konjufca: “Syri i Popullit”, përpjekja e radhës e Thaçit për ta shpallur terroriste VV-në

Aktuale

Konjufca: “Syri i Popullit”, përpjekja e radhës e Thaçit për ta shpallur terroriste VV-në

Më: 25 janar 2019 Në ora: 00:30
Glauk Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se organizata “Syri i Popullit” që po akuzohet se tentimvrasje dhe planifikim për vrasje të liderëve shtetërorë, është përpjekja e radhës e presidentit Hashim Thaçi që ta shpallë organizatë terroriste Vetëvendosjen.

I pyetur për të komentuar deklaratat e Thaçit në seancë gjyqësore se prapa “Syrit të Popullit” janë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, ky i fundit tha se “kjo tregon për krizën në të cilën është presidenti”.

“Në seancë kam thënë se duhet me e vra dikë? A më keni dëgjuar ju? Sepse unë flas vetëm me zë publikisht. Kjo tregon për krizën që është presidenti. Ai ka menduar gjithmonë ta vë si terroriste VV-në. Ai ka dashur gjithmonë ta shpallë organizatë terroriste Vetëvendosjen. Më 2007 e ka provuar të parën herë, më pas me Astrit Deharin me sulmin në Kuvend e ku aktivistët e VV-së janë liruar të gjithë. Tash ky është rasti i tretë me organizatë fantome. Mendoj se është organizatë e shpikur për ta goditur Lëvizjen Vetëvendosje. Është përpjekja e tretë, por që do të dështojë. Ky është gjykim politik me përpjekjen për të përfshirë Vetëvendosjen, Albinin dhe mua”, ka thënë ai në Interaktiv.

Më tej, Konjufca ka vazhduar se ka informata se çfarë ka folur Thaçi në seancën e mbyllur për media. Këtu ka thënë se ka shkuar në akuza deri në komunikata të UÇK-së.

“Mirë është që gazetarët të gjejnë transkriptin. Do të ishte interesante sepse presidenti gjithçka ka folur. Ka shkuar në akuza deri në komunikatat e UÇK-së se fajin e paska edhe VV-ja. Për ato komunikata me të cilat ai mund të përfundojë në Speciale. Por shpifjet nuk na shqetësojnë”, ka thënë Konjufca. “Nuk e kam takuar as nuk e di kush është Murat Jashari. As që e kam parë ndonjëherë”, ka shtuar Konjufca.

Sipas Konjufcës, sjelljet e Thaçit tregojnë se ai është në siklet të jashtëzakonshëm, duke e lidhur këtë me mundësinë që ai të përfundojë në Gjykatë Speciale.

“Prej sjelljeve të tij vërehet se ai ka pas siklet të jashtëzakonshëm. Nga dhjetori i vitit 2017 kur provuan të anulojnë Specialen. Ka menduar se VV-në e ka hazër, e çon dorën kundër Speciales, dhe mandej ulet me do ndërkombëtarë e më pas me njërën dorë e mban vendimin e Parlamentit që e fundos Specialen dhe në tjetrën të amnistisë që ky nuk do të thirret në Speciale. Kur të fortët do ia garantonin të dytën, votën e VV-së do ta gjuante në bërllok. Do ta kishte keqpërdor. Ne e njohim mirë. Që kur s’i ndezi kjo, ka kaluar në shkëmbim territoresh”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat