Kosova dhe Shqipëria i njohin legjitimitetin Guaidos në Venezuelë

Aktuale

Kosova dhe Shqipëria i njohin legjitimitetin Guaidos në Venezuelë

Më: 25 janar 2019 Në ora: 08:27
Juan Guaido

Kosova dhe Shqipëria kanë njohur Juan Guaidon, rivalin e presidentit të kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, si president të këtij shteti, së bashku me shumë aleatë të tjerë të Shteteve të Bashkuara në botë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë përmes një postimi në Twitter, se Qeveria dhe populli i Kosovës mbështesin Guaidon në rikthimin e demokracisë në Venezuelë.

“Kosova e njeh zyrtarisht Juan Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës. Në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës për Guaidon dhe popullin e Venezuelës: ju urojmë të gjitha të mirat në rrugën drejt rikthimit të demokracisë dhe ju mbështesim derisa demokracia të rikthehet”, është shprehur Pacolli.

Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë po ashtu në një postim në Twitter se u uron “banorëve të Venezuelës që të fitojnë në të larguarit e një pushteti jolegjitim” që sipas tij ka kthyer shtetin në ferr për popullin e vet.

Guaido ka organizuar të mërkurën protesta masive nëpër rrugët e kryeqytetit të Venezuelës, Karakas, me ç’rast ka shpallur veten ushtrues detyre të pozitës së presidentit.

Megjithatë, presidenti i kontestuar tashmë, Nicolas Maduro ka vazhduar të deklarojë se e konsideron veten president dhe ka mbështetje nga ushtria.

Ai ka shkëputuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, meqë këto të fundit i kanë njohur legjitimitetin Guaidos.

Maduro ka udhëhequr në këtë shtet nga viti 2013 dhe është betuar për mandatin e dytë këtë muaj.

Ai ka fituar zgjedhjet në maj të vitit 2018, ndonëse ky proces është bojkotuar nga opozita.

Maduro është përballur me kritika të vazhdueshme ndërkombëtare si dhe nga opozita e brendshme për shkak të politikave të tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe si gjendjen ekonomike në Venezuelë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat