Qeveria miraton draftin e ri të statutit të “Trepçës”

Aktuale

Qeveria miraton draftin e ri të statutit të “Trepçës”

Më: 25 janar 2019 Në ora: 12:15
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar draftin e ri të statutit të Trepçës, draft të cilin ditë më parë Komisioni për Zhvillim Ekonomik ia pati kthyer Qeverisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se statuti i Trepçës i plotëson të gjitha kriteret, si dhe ka përkrahjen e të gjitha palëve.

Lluka: Ky dokument  gëzon mbështetje të gjerë

 “Ky dokument mundëson zbatimin e ligjit për Trepçën si dhe adreson çështjet kryesore për konstituimin dhe funksionalizimin e ndërmarrjes. Në pajtim me dispozitat e ligjit për Trepçën  gjegjësisht neni 6 pika 2 ky statut propozohet nga bordi i ndërmarrjes dhe i njëjti aprovohet nga Kuvendi i Kosovës. Gëzon mbështetje të gjerë prandaj më lejoni që të kërkojë nga Qeveria e Kosovës ta aprovoj plotësim ndryshimin e këtij projekt statuti dhe i njëjti të procedohet sipas dispozitave ligjore në fuqi në Kuvendin e Kosovës për miratim final”, ka thënë ai,

Për statutin e Trepçës foli edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili tha se ndonëse është punuar mirë në këtë dokument,  përsëri duhen përmirësime dhe qasje profesionale nga Kuvendi.

Ndërsa, Ministri i Financave Bedri Hamza u shpreh se ky dokument do të gjejë vështirësi gjatë zbatimit.

Hamza: Ky dokument i statutit të Trepçës do gjej vështirësi gjatë zbatimit     

“Ky dokument është dashur të ketë standardin e një dokumenti se si është statusi i një ndërmarrje. E dyta me qenë dhe me u marr praktikat të ndërmarrjeve, korporatave, gjithandej edhe jashtë Kosovës me pa edhe me krahasua edhe me statutin e korporatave edhe financiare edhe të kompanive të tjera në Kosovës, dhe pastaj me i vendos edhe specifikat e Trepçës si një ndërmarrje e veçantë. Gjatë zbatimit të tij në praktik me përgjegjësi e them se ka me pas vështirësi dhe problem edhe tek vendimmarrja edhe tek mënyra e organizimit, edhe tek mënyra e funksionimit të Trepçës, por unë besoj se gjatë trajtimit të tij në Kuvend në mënyrë shumë profesionale do të trajtohet ky dokument”, ka thënë Hamza.

Para kabinetit qeveritar poashtu është prezantuar ideja për zhvillimin e Projektit “Ndërtimi i Kompleksit (Rezidencave) Qeveritar” në Prishtinë.

Eksperti Uragan Alija i cili edhe e prezantoi planin u shpreh se rreth 1 milion metra katror do i takojnë institucioneve qeveritare dhe investimi do mund të bëhej me 0 kosto për Qeverinë.

Ai shtoi se do të ndikojë edhe në shtimin e vendeve të punës, si dhe tregoi se për realizimin e këtij projekti do të duheshin deri shtatë vite.

Alija: Rreth 1 milion metra katror i takojnë Qeverisë

 “Rreth 1 milionë metra katror i takojnë Qeverisë, në planifikime duke u bazuar prapë në koston e tregut parashihen diku 1.5 miliardë investime, ndërsa vlerë e tregut 2.25 miliardë. Qeveria përfiton 1 milionë metra katror ose diku orientimisht rreth 1 miliardë euro vlerë aktuale të tregut. I gjithë ky përfitim për Qeverinë me zero kosto. Në arsyeshmëri dhe burime të financimit jemi nisur nga parimi se vetëm në regjionin e Prishtinës dhe komunat përcjellëse diku brenda vitit jepen leje ndërtimit për rreth 500 mijë metra katror, në këtë rast ky projekt do të hapte mundësinë për investime direkte vendore si dhe të marrim një plan të çartë“, ka shtuar ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se do ishte e dhimbshme nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi që të gjitha institucionet e Kosovës të vendosen në një zonë në mënyrë të dinjitetshme.

Haradinaj: Do ishte e dhimbshme të mos shfrytëzohej kjo mundësi

 “Jemi të vetëdijshëm më kujtohet nga shtatori i vitit 2017 ne jemi në Qeveri, mandatin e kemi deri në 2021 nëse e mbajmë këtë mandat deri në 21 kur shkojmë ne e lëmë Kosovën në gjendjen e njëjtë të infrastrukturës institucionale, ndoshta jo të njëjtë por edhe më keq që do të thotë ne vazhdojmë me marr me qira, vazhdojmë me i pas institucionet e shpërndara në një mënyrë jo aq të dinjitetshme, pra nëpër plot objekte dhe kësisoj ngufatjen që ia bëjmë kryeqytetit. Do të ishte e dhimbshme që Kosova prapë të mos e shfrytëzoj këtë mundësi që vërtetë me i bartë institucionet në një zonë edhe në mënyrë të dinjitetshme”, ka shtuar kreu i Qeverisë.

I pari i Qeverisë gjatë kësaj mbledhjeje ka njoftuar se të hënën do të takohet me një investitor strategjik që do investojë në Kosovë.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka aprovuar raportin e punës të vitit 2018 dhe Planin e Veprimit të koordinatorit nacional për Kulturë, Rini dhe Sport për vitin 2019. Raporti paraqet të përmbledhura aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2018, ndërsa Plani i Veprimit për vitin 2019 adreson disa problematika që ndërlidhen me kapacitetin e mësim nxënies.

Po ashtu Qeveria ka aprovuar Strategjinë shtetërore kundër krimit të organizuar me planin e veprimit 2018-2022.

Qeveria miraton version të ri për projekt-statutin e Trepçës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në zbatim të ligjit për Trepçën, kabineti qeveritar ka miratuar versionin e ri të Projekt-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça”.

Sipas tij, ky statut, që e shndërron gjigantin kosovar në kompani ligjore, sot i rikthehet Kuvendit për ta proceduar në seancën e 31 janarit.

“Në mbledhjen e sotme Qeveria ka aprovuar Strategjinë shtetërore kundër krimit të organizuar me planin e veprimit 2018-2022. Po sot, është aprovuar Raporti i Punës së vitit 2018 dhe Plani i Veprimit të koordinatorit nacional për Kulturë, Rini dhe Sport për vitin 2019. Me Programin Nacional për Rininë, i cili në qendër të vëmendjes ka nxënësin, synohet nxitja e kreativitetit dhe ideve të reja në sistemin tonë edukativ dhe kulturor, si dhe zhvillimi i aftësive garuese. Para kabinetit qeveritar, poashtu është prezantuar ideja për zhvillimin e Projektit “Ndërtimi i Kompleksit Qeveritar” në Prishtinë, pa shpenzime buxhetore”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj përsërit deklaratën e Thaçit: Qershori muaj i liberalizimit, por pres të ndodh më herët

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një konferencë për media kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku është shprehur optimist se liberalizimi mund të ndodhë në muajin qershor të këtij viti, por se siç tha ai më e udhës është të mos jepen premtime.

 "Qershori është opsional për vizat por jemi marrë vesh mos me folë shumë, por pritet që në atë kohë. Gjendja është krejt tjetër pas qëndrimit të Berlinit zyrtar. Qershori është real", ka thënë ai.

E për grevën në arsim tha se nuk ka çka të bëjë më, derisa ritheksoi se orët e humbura duhet të kompensohen.

"Nuk guxojmë me i lënë të pakompensuara këto orë. Nuk kam çka të bëjë më shumë. Fëmijët tanë po pësojnë", tha ai.

Haradinaj optimist se vizat liberalizohen në qershor

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë.

Ai ka përsëritur atë që presidenti Hashim Thaçi ka thënë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

“Sa i përket liberalizimit, presidenti ka të drejt, qershori është opsional real, por jemi marr vesh mos me fol shumë. Unë pres edhe më herët të ndodh, pasi shumë gjëra kanë ndryshuar pas qëndrimit të Berlinit”, ka thënë Haradinaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat