Haradinaj tregon si mund të hiqet përkohësisht taksa ndaj Serbisë

Aktuale

Haradinaj tregon si mund të hiqet përkohësisht taksa ndaj Serbisë

Më: 25 janar 2019 Në ora: 12:38
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se komisionari po përgatit një opsion për kapitullin ekonomik me Serbinë por vendimi për këtë do të merret kur të dy palët dakordohemi edhe për temat tjera, gjithnjë ku përfshihet njohja në mes dy vendeve.

Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një konferencë për media ka thënë se nuk duhet shpresuar se do të ketë marrëveshje për secilin kapituj por marrëveshja do të shkruhet e përbashkët me të gjithë kapitujt tjerë për të cilët po punohet intensivisht.

Haradinaj: Taksen mund ta heqim përkohësisht vetëm nëse kemi para dakordim për një marrëveshje

“Nëse shkruhen krejt kapitujt si ky i komisionerit Hahn ne shkruhen edhe tjerët dhe ne besojmë që në këta kapituj të para dakorduar ka bazë për një marrëveshje, ne do të ishim në gjendje ta suspendojmë për një konferencë por jo për një proces pa kufi, pra me suspendu me afat kohor, nëse nënshkruhet marrëveshja, me ia dhënë shansin marrëveshjes për njohje po flasim, jo marrëveshje tjetër...... Nëse Serbia dëshiron që me suspendu taksën për një konferencë ku është marrëveshja për njohje,  dhe jemi ka shkojmë për njohje dhe jemi ka shkojmë me kry punë , jo një nga një e me dal në fotografi e me bo turizëm të çfarë do natyre, jo nuk ka dhe këtë suspendim nëse duan ata ta bëjmë është reciprocitet“, ka thënë ai.

Ai pati edhe një mesazh për Serbinë por edhe për LDK-në.

Haradinaj: Ata nikada, ne nuk e heqim kurrë

“Nëse Vuçiqi e Daçiqi e të tjerët thonë (nikada) në gjuhën e vet, kurrë nuk iu njohim, e çka po presin prej neve, ne me iu thënë po e heqim a , jo, ata ‘nikada’ edhe ne nuk e heqim kurrë. Edhe ka me shkuar kjo rrugë dhe unë mendoj me u bo gati, sidomos në LDK për t’u bërë gati për do politika ndryshe.  Me këto që kemi ardhe deri këtu e kemi parë ku e kemi pru vendin, nuk ka lidhje kush vjen në qeveri e Kosova s’po bëhet më e mirë dhe nuk guxojmë t’ia lëmë kështu brezave brezave tjerë “, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku është shprehur optimist se liberalizimi mund të ndodhë në muajin qershor të këtij viti, por se siç tha ai më e udhës është të mos jepen premtime.

Haradinaj: Liberalizimi i vizave, qershor është opsion real

“Presidenti ka të drejt, diku qershori është opsional por jemi marrë vesh që mos të flasim shumë, duam me kry punën, unë pres edhe më herët, insistoj dhe synoj edhe më herët...pra në qershor është opsion real sidomos kanë ndryshu pas pozicionit të Berlinit zyrtar që kanë thënë se do të angazhohemi për këtë”, tha ai.

Sipas tij, Kosova është ndal me masat në respekt të letrës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Haradinaj ka thënë se në zbatim të ligjit për Trepçën, kabineti qeveritar ka miratuar versionin e ri të Projekt-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça”.

Sipas tij, ky statut, që e shndërron gjigantin kosovar në kompani ligjore, sot i rikthehet Kuvendit për ta proceduar në seancën e 31 janarit.

“Në mbledhjen e sotme Qeveria ka aprovuar Strategjinë shtetërore kundër krimit të organizuar me planin e veprimit 2018-2022. Po sot, është aprovuar Raporti i Punës së vitit 2018 dhe Plani i Veprimit të koordinatorit nacional për Kulturë, Rini dhe Sport për vitin 2019. Me Programin Nacional për Rininë, i cili në qendër të vëmendjes ka nxënësin, synohet nxitja e kreativitetit dhe ideve të reja në sistemin tonë edukativ dhe kulturor, si dhe zhvillimi i aftësive garuese. Para kabinetit qeveritar, poashtu është prezantuar ideja për zhvillimin e Projektit “Ndërtimi i Kompleksit Qeveritar” në Prishtinë, pa shpenzime buxhetore”, ka shkruar ai.

Haradinaj: Taksa hiqet pas marrëveshjes për njohje

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka përsëritur se taksa mund të suspendohet vetëm me marrëveshje me njohje të Kosovës nga Serbia.

Ai ka treguar se komisioneri evropian  për Zgjerim, Johannes Hahn  do ta përgatisë  kontratën për tregti të lire mes dy vendeve, por që vendimi do të  merret kur bëhen gati edhe kapituj te tjerë, pra kur bëhet edhe marrëveshja për njohje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat