Veseli: Ndërmarrësia dhe eksporti fuqizojnë ushtrinë dhe taksën

Aktuale

Veseli: Ndërmarrësia dhe eksporti fuqizojnë ushtrinë dhe taksën

Më: 25 janar 2019 Në ora: 14:35
Kadri Veseli

Kryeparlamentari Kadri Veseli është zotuar që së bashku me përfaqësuesit e sektorit privat të transformojë shoqërinë nga një ekonomi konsumuese në prodhuese.

Ai tha se javën që vjen do të funksionalizohet një zyrë e përbashkët, me qëllim të shtyrjes përpara të ndërmarrësisë.

Ky ishte premtimi i Veselit pas takimit që pati me drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës së Afarizmit të Kosovës, Odës Amerikane, Odës Gjermane, Odës Kosovare-Turke, AKB-në, Klubin e Prodhuesve si dhe shoqata të tjera ekonomike.

Sipas tij, ndërmarrësia fuqizon ushtrinë, taksën dhe patriotizmin.

Veseli: Ndërmarrësia fuqizon taksën dhe shtetin tonë

“Ndërmarrësia, prodhimi, eksporti, këto e fuqizojnë ushtrinë që po na bënë kaq shumë entuziazëm. E fuqizojnë patriotizmin, e fuqizojnë taksën, e fuqizojnë shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, u shpreh ai.

Veseli u tregua kritik ndaj atyre që po kërkojnë paga të mëdha, në vend se të fokusohen në zhvillim të vendit.

Veseli: Bashkë me odat do të transformojmë shoqërinë nga konsumuese në prodhuese

“Sot patëm një takim shumë të mirë dhe kemi marrë zotime se do të bëjmë disa hapa të cilët do të jenë konkret, që në javën e ardhshme do t’ju njoftojmë, do të mbahet një konferencë e shqetësimeve të odave ekonomike, të ndërmarrësisë. Jemi shumë larg atje ku duhet të jemi dhe do ta bëjmë bashkërisht këtë proces të transformimit, të modernizimit të Kosovës nga një shoqëri konsumuese në një shoqëri prodhuese, nga një shoqëri me shumë parazitë, të cilët shikojnë veç për pensione, veç për rroga të mëdha, në një shoqëri ku njerëzit në bazë të inovacionit, në bazë të meritokracisë, në bazë të prodhimtarisë arrijnë sukses, zhvillim dhe të mira materiale”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, u shpreh se ky takim shënon fillimin e një pune konkrete të odave me Parlamentin dhe strukturat e tij për të çuar përpara agjendën zhvillimore të vendit.

Sipas tij, përmes këtij koordinimi po tentojnë të eliminojnë pengesën e disa ligjeve për bizneset, duke përkrahur sektorin privat.

Rukiqi: Jemi koordinuar të shtyjmë përpara fuqizimin e sektorit privat

“Duke e ditur rolin e Parlamentit, në atë që është fundamentale për bizneset, që është pjesa e ligjeve. Pra, ligjet e mira e shtyjnë përpara edhe zhvillimin, edhe eksportin, edhe punësimin. Në të kundërtën, ligjet mund të bëhen pengesë për zhvillimin e vendit dhe këtë ne po tentojmë përmes këtij koordinimi ta eliminojmë. Dhe, këtu natyrisht nuk mungon aspak përkrahja e kryetarit Veseli, por në të njëjtën kohë ekziston zotimi ynë si përfaqësues të bizneseve që të kemi iniciativa dhe të jemi shumë më të zëshëm dhe, në të njëjtën kohë të jemi më të koordinuar për me qenë ata që realisht edhe jemi, bartës të zhvillimit ekonomik të vendit duke përkrahur rritjen e sektorit privat”, u shpreh ai.

Rukiqi tha se përmes Zyrës së përbashkët të odave me Kuvendin, do të shtyjnë përpara interesat e sektorit privat në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat