Pasi mori dekretin nga Presidenti Meta si ministër i Jashtëm, Edi Rama i delegoi kompetencat, zv. ministrit Genti Cakaj.
Por teksa Rama ka dekret presidencial, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka dërguar një letër përfaqësive diplomatike të akreditura në Shqipëri, ku i vë në dijeni për përbërjen e re të Këshillit të Ministrave.
Në hyrje të letrës thuhet se Edi Rama është Kryeministër dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, por ‘de fakto’ kompetencat ia ka kaluar Gent Cakajt.
“Gjithashtu prej datës 23 janar 2019, Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama i delegon zyrtarisht zotit Gent Cakaj kompetencat e plota të ministrit për drejtimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe për përfaqësimin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë”- thuhet në letër.
Në letër thuhet se Cakaj është më kompetenca të plotë si ministër, ndërsa e vërteta është se atij i janë deleguar, pasi Presidenti Meta ka dekretuar si ministër Edi Ramën.