Letra e Valbona Markut para se të vritej nga bashkëshorti

Aktuale

Letra e Valbona Markut para se të vritej nga bashkëshorti

Më: 25 janar 2019 Në ora: 21:12
Familja Ndrecaj

Vrasja e Valbona Marku Ndrecaj si dhe e vajzës së saj 9 vjeçare nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj, nga njohës të drejtësisë u cilësua si neglizhencë e institucioneve të drejtësisë në Rajonin e Gjakovës. Edhe pas paralajmërimit të saj për disa muaj se Pjetri ishte i rrezikshëm, dhe e kërcënonte atë, Policia dhe Prokuroria nuk arritën ta parandalojnë vrasjen. Se do të mund të përfundonte e vdekur e kishte parandjerë edhe vetë Valbona, prandaj edhe pretendohet se ajo kishte shkruar një letër.

Emisioni “Udhëve”, ka siguruar atë letër. Në të ka disa informata se Pjetri kishte lidhje me zhdukjen e disa personave për të cilët Valbona e dinte, ndërsa ato që janë shkruar në letër mund të jenë edhe shkaku që ajo u vra nga Pjetri.

Kjo letër për shkak të ndjeshmërisë së asaj që është shkruar, nuk do të paraqitet e plotë në publik as në këtë emision.

“Dëshmin temë e keni me shkrim në katër vende të ndryshme edhe nëse unë nuk kom me kanë e nuk kanë mem gjet, e keni dokumentin të vulosur në Polici”, thuhet në përfundimin e letrës së Valbonës.

Për këtë letër, nuk kishte njohuri në atë periudhë prokuroria në Gjakovë e cila nuk është e përfshirë as në aktakuzën për vrasje të Valbonës. Në atë aktakuzë, gjithashtu askund nuk ceket motivi i vrasjes së Valbona Marku Ndrecajt si dhe vajzës së saj Klara Ndrecaj.

Por, edhe pas dy muajve të paraqitjes së kësaj letre në publik nga emisioni UDHËVE, Prokuroria nuk është marrë me të. Ata asnjëherë për këta dy muaj nuk e kanë kontaktuar redaksinë e emisionit “Udhëve” së paku për ta pyetur se çka përmban letra që pretendohet të jetë shkruar nga e ndjera Valbona Marku Ndrecaj si dhe të mirren pastaj me vertetësinë e saj.

Vëllau i Valbonës shprehet shumë i zhgënjyer me institucionet e drejtësisë në Kosovë. Ai thotë se për herë të tretë, as Policia e as Prokuroria nuk u interesuan me lajmërimet e Valbonës.  Ata kanë dyshimet e veta rreth kësaj neglizhence.

“Shteti i Kosovës nuk ka marrë kurrfar të dhëne për këtë letër, as nuk ka nxjerr kurgjo. Nuk e dim se për çfar arsyesh nuk i japin të dhënat, na nuk kemi mujt vet me e lexu komplet hala vetëm çka kemi pa prej mediave. Është cekë që është në 4 vende në Polici e dorëzuar, ku janë nuk e di, dikush flitet që është në Prokurori, dikush flitet që është dikund tjetër por ne nuk e dimi hala asgjë për të”, thotë ai.

Ai thotë se familja e tyre dyshojnë që qëllimisht po fshihen provat që pretendohen të jenë të shkruara nga e ndjera.

“Nuk jemi në ngjarje se çka është t’u ndodh, a janë duke i fshehur faktet a çka është kjo punë nuk e di. Normal motra jeme është vrarë se ka ditë diçka për Pjetrin dhe familjen e tij, dhe kjo ka qenë edhe arsye që unë mendoj se ajo është vrarë, tash shtetit duhet me hec, me i zbulu faktet e gjërat se per çka u bo”.

Mosinteresimi nga ana e Policisë dhe Prokurorisë për këtë letër, familjarët i bënë të dyshojnë edhe më shumë në ndikimin që Pjetri mund të kishte në Polici.

“Pjetri na e dimi se ka pas gjithmonë gisht ne Polici, i ka pas njerëzit e vet, dhe gjatë gjithë kohës e ka ndihmu Policia, e ka ndihmu kur ka bërë dhunë në familje, kur e ka lajmru motra jeme dhe e ka bo denoncimin”, thot vëllau i Valnonës, Kujtimi.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në as një pjesë të aktakuzës nuk e ka cekur shkakun e vrasjes së Valbonës dhe vajzës së saj, nga Pjetër Ndrecaj.

Ndërsa, ata e pranojnë që nuk janë interesuar për një letër të tillë edhe pse ka dalë në media, e e cila do të mund të çonte tek arsyeja e vrasjes së Valbonës nga ana e Pjetrit.

Vetëm pasi që ne kemi pyetur që edhe pas dy muajve të publikimit, a kanë zhvilluar ata ndonjë hetim, ata kanë thënë që do të fillojnë të interesohen për të.

“Unë e kam pa edhe atë emision, unë si prokuror i çështjës, kam bisedu me Hajdar Sadikun i cili është shef i hetimeve për këtë vepër, për këtë rast, dhe ai me ka thënë që nuk posedon Policia ndonjë letër, andaj në këtë drejtim unë nuk kamë ndërmarrë asgjë”, thotë Prokurori i krimeve të rënda, Agron Matjani.

Ndërsa ai thotë që tash do të fillojnë të interesohen për të.

“Ne si Prokurori duhet me u interesu për atë letër, por ne nuk kemi pas qasje. Rasti në shkallën e parë ka përfundur por ne prap do të merremi me të dhe do ta analizojmë se mos ka ndonjë element tjetër të vepres penale, mos është i përzier dikush tjetër sepse ne përmbajtjen nuk e dimi”, thot Matjani.

Ne kemi pyetur edhe Inspektoratin Policor të Kosovës si dhe Policinë Rajonale të Gjakovës për këtë rast, por asnjëra palë gjithashtu nuk kanë iniciuar as një hetim në lidhje me letrën e publikuar në emision.

“Sa i përket letrës së përmendur në emisionin e RTK-së ju njoftojmë se zyrtarët e IPK-së nuk kanë hasur në ndonjë letër të tillë por për detaje ju lutem i referoheni me pyetje policisë apo prokurorisë kompetente”, thuhet në emailin e IPK-së.

Njejtë kanë thënë edhe Policia Rajonale e Gjakovës.

“ Siç ju kemi informuar, stacioni policor i Gjakovës nuk ka pranuar asnjë letër të tillë dhe po ashtu në fazën e hetimeve nuk është prezantuar nga familjarët e viktimës. Që nga koha e  dorëzimit të  kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ne nuk kemi pranuar autorizime të tjera për hetime shtesë për rastin në fjalë”.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu, mendon se Prokuroria dhe Polica duhet ta marrin shumë më seriozisht të gjithë rastin e  Valbonës, si dhe me letrën që pretendohet se u shkrua nga e ndjera.

Ai thotë se është shqetësuese që edhe pas dy muajve të publikimit të asaj letre, askush nuk u interesua për të..

“ Tingëllon si diçka e keqe. Pa dyshim se kur dalin prova të reja, është obligim i çdo shërbimi policor e prokurorial në gjithë Evropën që ta hapin një hetim dhe t’i kontrollojnë gjërat. Nuk e di se çka ka ndodhur me këto informata të caktuara, brenda strukturave policore dhe prokuroriale, na duhet të pyesim dikë, por nuk tingëllon mirë, madje tingëllon si diçka shumë shqetësuese”, thotë Braathu për

Ariana Qosaj nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës thotë se një sjellje e tillë  është e papranueshme nga ana e Prokurorisë dhe Policisë. Ajo thotë se këto institucione do të duhej të merreshin me një informatë të tillë e jo ta neglizhonin atë, sikur të mos kishte ekzistur fare.

“Do të ishte edhe në mandat të Prokurorisë kur të vjen një informacion që jepet nga mediat dhe sidomos kur është nje media kredibile siç është RTK –ja, të merret me seriozitet hetimi i asaj letre si informacion dhe dyshim i asaj vepre penale e edhe të faktit që Valbona tregon me ketë fakt se gjithmonë ka qenë nën kërcenim dhe ka qenë e frikësuar për të ardhmen e vet pranë ish bashkëshortit të saj”.

Ehat Miftari nga Instituti për Drejtësi në Kosovë, thonë se Prokuroria e ka për obligim të merret me provat e reja që ju shfaqen. Sipas tij nuk ka rëndësi se kush i dorëzon ato prova, dhe kur, por që ato duhet të hulumtohen, sidomos kur kanë të bëjnë me raste kaq të ndjeshme.

“Prokurori i Shtetit e ka për obligim t’i hetoj dhe t’i zbardhë të gjitha veprat penale që dyshohet që i ka kryer. Në rastin konkret të gjitha dyshimet që janë ngritur në letrën e publikuar ne RTK…Në këtë drejtim nëse Prokurori nuk ndërmerr asgjë, ateherë sigurisht që i njëjti vepron në kundërshtim me misionin për të cilin është themeluar, dhe këtu ka përgjegjësi disiplinore qoftë për prokurorin qoftë për kryeprokurorin e asaj prokurorie që nuk ndërmerr veprime të duhura”.

Përveç mosinteresimit për letrën që pretendohet se është e shkruar nga Valbona, Prokuroria në Gjakovë ende nuk ka marrë as një masë për Policët e supendur për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, policë të cilët kishin shkuar bashkë me Pjetrin t’ia merrnin Valbonës fëmijët disa javë para vrasjes.

Për këta policë, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar kallzim penal në Prokurorin e Gjakovës, por kjo prokurori nuk ka kthyer përgjigje nëse ata kanë ngritur një kallëzim të tillë ose jo.

“Përveç suspendimit që është rekomanduar nga IPK ne shtator te 2018, në muajin janar të këtij viti IPK ka proceduar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë ndaj tre zyrtarëve policorë, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale  Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në përgjigjet e Inspektoratit Policorë të Kosovës.

Gjithashtu, as IPK-ja e as Prokuroria nuk kanë treguar nëse është duke u ndërmarrë ndonjë hetim edhe për ditën tragjike, ndaj zyrtyarëve që atë ditë u morën me lajmërimin e Valbonës, e që nuk e parandaluan vrasjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat