Konjufca: Qenia e Kurtit nuk lidhet me PSD-në

Aktuale

Konjufca: Qenia e Kurtit nuk lidhet me PSD-në

Më: 26 janar 2019 Në ora: 10:35
Glauk Konjufca

Si bazament tek populli i Kosovës, influenca e Albin Kurtit është e paprekshme prej asaj që ka ndodhur me PSD-në dhe qenia e tij nuk lidhet me ata.

Kështu ka deklaruar, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një intervistë.

Konjufca duke folur për popullaritetin e shefit të tij partiak, thotë se sondazhi i prezantuar pak ditë më parë e paraqet si liderin më të pëlqyer në Kosovë.

Kjo sipas tij është plotësisht objektive, pasi dhe në sondazhe të tjera të realizuara, Albin Kurti del të jetë dukshëm më i pëlqyer se të tjerët.

Konjufca: Qenia e Albinit nuk lidhet me PSD-në

“Ajo nuk është vetëm në sondazh të Lëvizjes Vetëvendosje, ka dhe sondazhe të tjera të cilat janë bërë prej mediumeve tjera, ku Albini, domethënë kjo është plotësisht objektive sepse si personalitet nëse e marrim, në vitin 2017, ai i ka mujtur dhe Kadri Veselin dhe Avdullah Hotin. Kadri Veseli kishte vota prej katërmbëdhjetë partive...si bazament tek populli i Kosovës, Albini influenca e tij është e paprekshme prej asaj që ka ndodhur me PSD-në, qenia e Albinit nuk lidhet me PSD-në”, deklaroi ai.

Edhe pse VV-ja ka dal e dyta në sondazhin e tyre, Konjufca thotë se këto diferenca nuk janë të mëdha me kalimin e kohës mund të tejkalohen.

Sipas tij, duke qëndruar parimore, kritikuar pushtetin, opozitën e rrejshme dhe dhënë alternativa për zgjidhje të problemeve në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë dukshëm në përparësi me partitë tjera.

Konjufca: Këto diferenca nuk janë të mëdha, shlyhen

“Këto diferenca nuk janë të mëdha, këto shlyhen me vet vazhdimin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rrugën e saj, parimore duke kritikuar pushtetin, regjimin politik, duke kritikuar opozitën e rrejshme dhe duke dhënë alternativa për zgjidhje të problemeve në Kosovë, duke qëndruar e pa korruptuar dhe duke qenë kurrë në pushtet deri më tash, unë e shoh Lëvizjen Vetëvendosje në përparësi të dukshme në krahasim me partitë e tjera politike”, tha Konjufca.

Në lidhje me akuzat dhe kallëzimin penal që aktivistë të tyre i kanë bërë kryetarit të Prishtinës, Konjufca tha se ka pretendime të qarta se Shpend Ahmeti ka bërë një keqpërdorim me tenderin e qumështit.

Konjufca: Po flitet për gjysmë milion euro

“Po tash prej kur nuk është në Vetëvendosje, mund të prisni më shumë gjeste dhe sjellje prej Shpend Ahmetit, të cilat tregojnë që ai do të përjetoj në shkëputje totale prej kryeqytetit, dmth, nuk do të ketë më interesim për me u marrë më shumë me Prishtinën... ka një grup prej aktivistëve që pretendojnë me argumente të qarta që ekziston një diferencë e pashpjegueshme e një tenderi shumë të madh, po flitet për gjysmë milion euro... diferenca prej 530 mijë eurosh në këtë tender i ka bërë me dyshuar aktivistët tanë, kanë shqyrtuar dokumentet, krejt çka i kanë në dorë argumentet i kanë prezantuar dhe natyrisht  që janë të bindur që prapa kësaj ekziston në keqpërdorim”, shtoi Konjufca.

Për KosovaPress, shefi i deputetëve të VV-së, foli dhe për miratimin e buxhetit ku u shpreh se ende ka dyshime se a do të kalojë.

Mirëpo pavarësisht kësaj, ai ka një cilësim interesant mbi pesë kërkesat e PSD-së karshi qeverisë. Konjufca thotë se këtu do shihet se sa është kapaciteti, siç e cilëson ai i përbirjes së fjalëve të ish-bashpartiakëve të tij.

Konjufca: Tash të shohim PSD-ja a i përbin fjalët e veta

“Mesazhet që dolën pastaj aty, tregojnë që ai nuk ka qenë projekt autentik, i menduar për interesa të popullit, po janë takuar Pali me Dardanin, Pali i ka thënë Dardan qeta mundem me ta dhënë, qeta nuk mundem...ende nuk jam i sigurt për buxhetin, për shembull, Ramush Haradinaj ende mundet të mos i plotësoj ndonjërin prej kushteve të PSD-së, e tash të shohim PSD-ja a i përbin fjalët e veta, cili është kapaciteti i përbirjes, të PSD-së ne nuk e dimë hala”, u shpreh, ai.

Ndër të tjera, Konjufca tha se ndoshta buxheti mund të miratohet me votat e PSD-në dhe pa u plotësuar kërkesat e këtyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat