Oferta e Hahnit për ta hequr taksën, a do të lëshojë pe Haradinaj?

Aktuale

Oferta e Hahnit për ta hequr taksën, a do të lëshojë pe Haradinaj?

Më: 26 janar 2019 Në ora: 11:51
Thaç, Hanh, Vuçiq dhe Tusk

Komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i ka bërë një ofertë Kosovës dhe Serbisë, e cila do të ndihmonte që sipas tij të hiqet taksa që Qeveria e Kosovës i ka vënë produkteve serbe e boshnjake.

I pari që përmendi këtë ofertë është kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pasi kishte pritur javën e kaluar në zyrën e tij Hahnin, tha se ky i fundit po u ofron ndihmë.

Megjithatë, Haradinaj që këmbëngul për mosheqjen e taksës, ka thënë se pranon ndihmën e Hahnit, veçse pas ndonjë marrëveshjeje të mundshme, duhet të ketë reciprocitet mes Kosovës e Serbisë dhe Bosnjës.

“Komisionari Hahn është ofru për ndihmë edhe ne i kemi thënë se ai mund të na ndihmojë për ta përgatitur kapitullin e tregtisë së lirë. “Kapitulli i tregtisë së lirë nënkupton krejt marrëdhëniet Kosovë-Serbi në ekonomi. Sikur të merresh vesh për një ngjarje si Rambujeja, si ndonjë ngjarje tjetër, ku mblidhen edhe i mbyllin dyert dhe nuk i lënë të dalin derisa të arrihet zgjidhja”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Sipas shefit të ekzekutivit një marrëveshje arrihet, nëse Serbia dhe Bosnja heqin barrierat e tyre ndaj Kosovës.

Ai madje nuk i është bindur as deklaratës direkte të lëshuar dje nga Ambasada amerikane, në të cilën kërkohej që të pezullohej taksa.

Ndërkaq komisioneri Hahn nuk i ka përmbyllur përpjekjet për të bindur palën kosovare që të heqin taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Ai në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, ka takuar presidentin Thaci, i cili përkrah heqjen e taksës, si dhe presidentin serb, Aleksandër Vuciq.

Të dy liderëve Hahn u ka bërë një ofertë që do të conte në një marrëveshje të heqjes së barrierave. Në një intervistë për N7, ai tregoi se i ka njoftuar në hollësi se cka përmban pakti që, sipas komisionerit, palët duhet ta arrijnë.

“Propozova që të bashkërendohen të gjitha çështjet përkatëse tregtare që kanë të bëjnë me Serbinë dhe Kosovën. Unë jam i gatshëm që ta drejtoj këtë bisedë dhe kjo do të ishte bazë për të supozuar që është i mundur vazhdimi i dialogut i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë, Federtica Mogherini”, tha Hahn.

Komisioneri tregon se po e pret përgjigjen e Thacit e Vuciqit brenda ditëve.

Vetë presidenti Thaci ka dalë pro heqjes së taksës, madje përmes një shkrimi në Facebook ka thënë që për teket personale të liderëve, Kosova nuk mund të rrezikojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat