Skijatori: I vdekuri në ortek ishte jashtë pistës së skijimit

Aktuale

Skijatori: I vdekuri në ortek ishte jashtë pistës së skijimit

Më: 26 janar 2019 Në ora: 18:49
Foto ilustrim

Lulzim Zhubi, themelues i organizatës “Scardus” që promovon skijimin dhe organizon gara në këtë sport, sot ishte në Brezovicë  dhe tha për Kallxo  që zëvendësministri Arian Daci bashkë me Ardian Bakallin ishin duke skijuar jashtë terenit të skijimit.

Daci që është edhe djali i Nexhat Dacit ( Kryetar i Akademisë së Shkencave), vdiq sot nga një ortek bore në Brezovicë sipas të dhënave zyrtare, ndërsa Ardian Bakalli u lëndua.

Skijatori Zhubi dha detaje mbi atë se çfarë ka ndodhur sot në Brezovicë.

“Të jemi të qartë, që këta skijatorë me përvojë janë kapur në ortek jashtë pistës, në vendin që ne e quajmë ‘Foleja e Shqiponjës’ – Bakalli ka pasur me veti air-bag, mjet që e mbajnë skijatorët për të dalur prej ortekut, andaj edhe ka shpëtuar” thotë Zhubi.

“Ekziston tabelë e qartë, të cilën e kam parë vetë kur isha aty para 4 dite, se kjo pjesë ku ai ka vdekur është pjesë në të cilën është rrezik të skijohet, tabela është vërë që t’i alarmojë skijatorët se është rrezik të shkohet ‘jashtë pistës’ apo jashtë terrenit të paraparë për skijim. Këta dy skijatorë kanë qenë duke skiju ‘free-ride’, që i bjen jashtë terenit.”, shtoi ai.

Sipas Zhubit, “para 8 vjetëve, në të njejtin vend ka qenë i mbuluar ‘snownjeri’ (Ben Islami) dhe kemi hjek me e nxjerr dhe ka shpëtu, pra është vend i njohur për orteqe ku nuk ban me shku askush para prillit. Andaj nuk po mund ta kuptoj as tash pse një skijator i pjekur si Ardian Daci ka shku andej në kësi moti”.

“Një gjë të jemi të qartë, nuk ka shansa me të nxan orteku në Brezovicë (s’ka ndodh kurrë) nëse rri në teren të paraparë për skijim dhe nuk shkon “jashtë- pistës”.

Lulzim Zhubi është njëkohësisht pronar i lokalit “Tifani” në Brezovicë dhe pronar i një makine të borës që shpesh shërben për t’i bartur skijatorët në maje të kodrave kur teleferiku nuk punon.

Ben Islami e konfirmoi që në 2006 në të njëjtin vend ka qenë i mbuluar dhe ka shpëtuar.

Islami lidhur me ngjarjen deklaroi  se “po më vjen çudi si kanë shku mu në atë shteg, që për mu prej sotit do të njihet si shtegu i vdekjes”.

” Parvjet, Fis Qerkini nga Ferizaji e ka humbur jetën në të njëjtin vend – por është vendim i pamatshëm sot, në këtë mot, me i ra qasaj rruge” , shtoi Islami.

Yllka Soba, një skijatore tjetër që ishte sot në Brezovicë dhe e ka parë Dacin disa minuta para se të ndodhë tragjedia, e konfirmoi që e ka parë shenjën e qartë që ka thënë që ndalohet të skijohet në atë terren të cilit ia kishin mësyrë ta mposhtin Daci me shokë.

Në anën tjetër klubi i skijimit “Snownjeri”, më 20 janar të këtij viti kishin postuar në Facebok njoftim duke alarmuar për rrezik nga orteqet.

“KUJDES, mos dilni jashtë shtigjeve zyrtare të skijimit këto ditë! Kjo më së shumti vlenë për “off piste” shtigjet e pjerrëta të Brezovicës.”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat