I shkoi në ‘odë’, por si e kishte refuzuar Sylejman Selimi, dekoratën nga presidenti Thaçi

Aktuale

I shkoi në ‘odë’, por si e kishte refuzuar Sylejman Selimi, dekoratën nga presidenti Thaçi

Më: 26 janar 2019 Në ora: 21:25
Pamje nga ndeja në Skendera

Sonte i shkoi në konakun e tij, në fshatin Burojë të Skenderajt, por këso mendimi dhe disponimi, ish-komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, nuk e kishte pasur për presidentin Thaçi, më datën 19 shkurt të vitit të kaluar.

Selimi, pati refuzuar dekoratën e presidentit Thaçi, duke thënë se po e bënte këtë që të mos dilte hipokrit.

Thoshte se nuk mund të pranonte dekoratë për kontributin e tij në UÇK, përderisa, pati thënë po mbahej “padrejtësisht në burg, gjoja për krime lufte”.

“Kam pasë nderin të marr dekorata dhe mirënjohje nga personalitete të ndryshme vendore e ndërkombëtare, nga presidentë të Kosovës, nga presidentë të Shqipërisë. Pastaj, nga personalitete ndërkombëtare si sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, nga admiralë dhe gjeneralë të NATO-s, nga shumë komandantë të KFOR-it, nga kryeadministratori i Kosovës, nga Komandanti i Gardës i Shtetit të Ioëas – SHBA, nga ambasadori amerikan si dhe shumë nga personalitete tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë. Sa herë jam dekoruar ose nderuar me mirënjohje, jam ndjerë krenar që është vlerësuar kontributi dhe puna ime në shërbim ndaj vendit. Por, sot në media pashë emrin tim në mesin e shumë emrave të dekoruar nga Presidenti i Kosovës, në 10 vjetorin e pavarësisë. Si mund të dekorohem për merita lufte, kur unë po mbahem padrejtësisht në burg, gjoja për krime lufte? Prandaj, dekorata e tillë për mua është e papranueshme, për aq sa unë mbahem dhe dënohem padrejtësisht. Unë refuzoj këtë dekoratë, duke mos pranuar kështu të jam i fyer nga hipokrizia”, thuhej në letrën e Selimit, të shkruar me datën 19 shkurt 2018, teksa refuzonte dekoratën e presidentit Thaçi.

Por, sonte ai së bashku me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, kanë qëndruar në odën e presidentit Thaçi, në fshatin Burojë të Skenderajt.

Ish-komandanti i TMK-së dhe ish ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, është liruar gjatë ditës së djeshme nga burgu. Ai do të jetë nën mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 30.10.2020.

Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës çivile nga Gjykata Themelore në Mitroviçë më 27 maj 2015 duke u dënuar më 6 vjet burg.

Ndërsa, më 7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Dreniça 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Dreniça 1”. Për këtë edhe avokati i tij, Tomë Gashi, pati thënë ditë më parë se pa asnjë të drejtë ligjore po vazhdon të mbahet në burg Sylejman Selimi tash e tre muaj.

Gjatë periudhës së kishte qëndruar në burg, Selimi, ishte transferuar disa herë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Vuante nga disa sëmundje.

U shtri në spital edhe para 19 ditëve, disa ditë pasi u raportua se ai tashmë ishte në mesin e dhjetëra personave që kishin marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit Speçial, me seli në Hagë.

Ende nuk dihet se kur pritet që Selimi të udhëtojë në Hagë, për t’u intervistuar nga ana e Prokurorisë Speçiale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat