SBAShK i përgjigjet kryeministrit: Deklarimet për zëvendësim të orëve janë tentim për presion

Aktuale

SBAShK i përgjigjet kryeministrit: Deklarimet për zëvendësim të orëve janë tentim për presion

Më: 27 janar 2019 Në ora: 14:09
Pamje nga greva

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBAShK) thotë se nuk është koha të diskutohet për kompensim të orëve, por duhet të bëhet zgjidhje. Sipas tyre, deklarimet se duhet të kompensohen orët e humbura, kanë për qëllim presionin ndaj mësimdhënësve në mënyrë që të ndërpritet greva.

Nesër punëtorët e sektorit të arsimit hyjnë në javën e tretë të grevës. Ata po bojkotojnë mësimindhënien për shkak që kërkesa e tyre për rritje të koeficientit nuk ka gjetur zbatim.

SBAShK ka zgjedhur grevën si presion për një ligj që sipas tyre rrit barazinë në paga.

Ymer Ymeri, menaxher i financave në SBAShK, thotë se grevën e ndalin vetëm nëse tërhiqet projektligji për pagat.

Ymeri: Zgjidhja mund të bëhet brenda buxhetit aktual

“Kaluan dhjetë ditë grevë, asnjëherë nuk jemi ulë me biseduar për mënyrën e gjetjes së zgjidhjes. Na u ka ofruar oferta e shkruar, ndaqi merrne, ndaqi lene, as për atë ofertë nuk kemi negociu. Nuk kanë tentue me na bindë, Qeveria, që oferta është e fundit siç po thonë dhe nuk ka mundësi zgjidhje. Jemi të bindur që ka mundësi zgjidhje brenda buxhetit aktual, pa rritë buxhet, pa kërkuar rritje të buxhetit. Nuk po kërkojmë rritje të pagave, por po kërkojmë rritje të vendit meritor, të koeficientit”, thotë ai.

E kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ditët e fundit është deklaruar disa herë për grevën, ku ndër të tjera ka thënë se këto orë të humbura duhet të kompensohen pastaj.

Sipas Ymerit, deklarime të tilla kanë për qëllim të bëjnë presion tek mësimdhënësit që të ndërpresin grevën.

Ymeri: U bëjnë thirrje institucioneve që mos të tentojnë t’i thyejnë mësimdhënësit

“Deklarimet se do t’i zëvendësoni ditët gjatë verës, janë deklarime të cilët tentojnë t’i bëjnë presion mësimdhënësve për me ndërpre. U bëj thirrje institucioneve që mos të tentojnë t’i thyejnë mësuesit, sepse nuk kanë shancë teorike me i thy për shkak se janë të vendosur, qoftë pa paga, pa nxemje, me shku deri në fund të realizimit të kërkesave të tyre”, thotë ai.

I pyetur se a do të kompensohen orët, Ymeri thotë se janë mësimdhënësit ata që thonë fjalën e fundit për këtë, por që nuk janë të obliguar ta bëjnë këtë.

Madje, sipas tij, nuk është koha të flitet për këtë.

Ymeri: Më së paku duhet të flasim për kompensim të orëve

“Më së paku duhet të flasim për kompenzimin e orëve, edhe kryeministri edhe ministri, sepse jemi ende në fazën kur po humbim ditë, jemi në fazën e grevës, jemi në fazën kur të hënën ish dashtë të filloi mësimi normal, e të hënën do të ketë grevë, dhe për atë arsye nuk jemi në fazë që duhet me bisedu çka ka me ardh në të ardhmen, më mirë t’i koncentrojmë bisedat tek zgjidhja. Sipas ligjit të grevave nuk na obligon me i zëvëndësu ditët. Asnjë institucion në Kosovë nuk i zëvendëson ditët e grevës. Ne si SBAShK sa herë kemi mbajt grevë janë zëvendësuar ditët me kërkesë të mësimdhënësve. Edhe për këtë  rast, fjalën përfundimtare kanë me dhënë mësimdhënësit”, thotë ai.

SBAShK ka vendosur të vazhdojë me grevën dhe të presë seancën për projektligjin.

Sipas tyre, nëse votohet në këtë formë, ata do të vazhdojnë tutje me grevën dhe do të kërkojnë nga presidenti që mos të nënshkruaj ligjin.

Kujtojmë se sektori i arsimit ka filluar grevën më 14 janar. Një javë më vonë Qeveria ka dalë me një ofertë që të rrisë buxhetin për këtë sektor për 20 milionë euro në vit.

SBAShK nuk e pranoi ofertën dhe deklaroi se nuk kërkojnë rritje të pagës, por të koeficientit. Nesër fillon java e tretë e grevës së përgjithshme në sektorin e arsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat