Taksa ngriu raportet Thaçi- Haradinaj: Kush do ta pësojë nga “shkrirja e borës” dhe “skllota”?!

Aktuale

Taksa ngriu raportet Thaçi- Haradinaj: Kush do ta pësojë nga “shkrirja e borës” dhe “skllota”?!

Më: 27 janar 2019 Në ora: 19:06
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

“Bora do të shkrihet dikur”.

Këto ishin fjalët e kryeministrit Ramush Haradinaj para disa ditësh si kundërpërgjigje ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe aleatëve e kundërshtarëve të tij, të cilët që nga vendosja e taksës, kanë filluar me presione të ndryshme për heqjen e saj.

Këtë përgjigje duke përdorur simbolikën e borës, Haradinaj ka dhënë kur ai ishte pyetur se cili është qëndrimi i qeverisë pas presioneve të SHBA-së e BE-së për heqjen e taksës për mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Mirëpo, edhe pse presidenti Thaçi në forma të ndryshme kishte bërë presion për heqje të saj, gjatë ditës së sotme, ai i ka dhënë goditjen më të madhe kryeministrit Haradinaj.

Madje, ai u tall keq me të. Shkroi se “Bora ka zënë të shkrihet shpejt…Uroj të mos bëhet skllotë!”

Por pa kaluar as një orë e vetme, Thaçi sërish doli me një deklaratë. Kësaj radhe, presidenti ishte më i matur duke bërë thirrje për unitet ndaj vendimeve që mbështeten nga SHBA’ja.

“Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se të bashkuar dhe të përkrahur nga Amerika mund të shkojmë tutje në dialog.

“Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, ka shtuar ai.

Thaçi deri më tani gjithnjë ishte i rezervuar lidhur me këtë. Ai duke u ikur mediave dhe prononcimeve për mediet vendore, më 6 janar në një bisedë me “The Washington Post”, të realizuar në gjuhën angleze me shkëmbime elektronike ka thënë se është “gati të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”.

Por, ky nuk ishte paralajmërimi i parë i Thaçit ndaj Haradinajt. Ai edhe para një jave kërkoi nga Qeveria e Kosovës të respektojë këshillat amerikane që janë dhënë së fundmi për taksën ndaj produkteve serbe.

Ka shkruar se miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme, mirëpo sipas tij, përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë.

“Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane.

“Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit”, ka shkruar ai.

Ndaj këtij vendimi të qeverisë së vendit, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, SHBA dhe Serbia e Bosnje e Hercegovina që kanë kërkuar tërheqjen e këtij vendimi menjëherë.

Madje, të martën Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet u takua me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj.

U raportua se ky takim kishte të bënte me taksën 100% ani pse, pas daljes nga ky takim asnjëri prej tyre nuk u deklarua se për çfarë u bisedua brenda objektit të Kuvendit të Kosovës.

Kurse, nga Bashkimi Evropian u kërkuara sqarim për taksën. Zëdhënësja e BE’së, Maja Kocijançiq, ka kërkuar sqarim nga Qeveria e Kosovës për vendimin e marrë.

Reagime për këtë pati edhe nga Serbia ku thonë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka bllokuar dhe ka parandaluar vazhdimin e dialogut me Beogradin në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat