Ekonomistët: Privatizimi i Telekomit i papërshtatshëm në këtë kohë

Aktuale

Ekonomistët: Privatizimi i Telekomit i papërshtatshëm në këtë kohë

Më: 27 janar 2019 Në ora: 23:24
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën e gjelbër privatizimit të Telekomit, ku përmes një vendimi autorizoi Komisionin për privatizimin e  kësaj ndërmarrjes publike qendrore.

Komisioni i kryesuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, dhe në përbërje të Ministrit të Financave, Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale do t’i rekomandojë ofertuesin më të suksesshëm për privatizimin e kësaj ndërmarrje.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për Indeksonline ka thënë se Qeveria ka menduar që të ndërroj formën e pronësisë, pasi që nga viti i kaluar Telekomi është përballur me telashe të cilat kanë degraduar vlerën e kompanisë.

“Po mendojmë që duhet me bë zgjidhje me qëllim që të ngjallet dhe të jetë në funksion të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik , të mirëqenies, të ofrimit të shërbimeve më të mira për qytetarët. Është një prej aseteve më të mira që ka Kosova edhe deri tash për shkak të mos aktivizimit të saj dhe fushëveprimeve e keq menaxhimit e të tjera, kjo ka shku  duke u degradua vlera e saj”, ka thënë Shatri.

Ai ka shtuar se përmes ndonjë investitori serioz apo përmes partneritetit, kjo kompani mund të ringjallet.

“Ka fillu me punu me telashe prej vitit të kaluar, po punon me humbje dhe ne kemi mendu me bo diçka që me rikëmb, me ringjallë… e kjo ringjallje vihet duke e ndërruar formën e pronësisë, ose përmes partneritetit ose naj investitori serioz që mundet me ardh me ringjallë me teknologji, me shërbime e të tjera. Ne kemi marrë seriozisht këtë meqë e kemi shpallë vit të ekonomisë. Do të nisim angazhimet menjëherë për këtë”, ka shtuar ndër të tjerash Haki Shatri.

Por, ekonomistët vlerësojnë se nuk është momenti i përshtatshëm për privatizimin e Telekomit.

Për ekonomistin Lulëzim Beqiri, privatizimi i Telekomit në këtë kohë krize është jo i duhur pasi sipas tij Qeveria po shet ndërmarrjen në buzë të falimentimit, shitje kjo me e lehtë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Telekomit në situatën aktuale qe ndodhet telekomi është i papranueshëm, siç po duket qëllimisht Qeveria e Kosovës e ka sjelle këtë ndërmarrje buze falimentimit për te shitur sa me lehët e  duke përfituar privatisht persona qe janë të dëshmuar për kësi lloj situatash, e keni parasysh privatizimin e distribucionit me një vlerë shumë të vogël. Si pasojë e ndërhyrje se qeverise duke punësuar militant partiak dhe duke orientuar kontrata milionëshe ne drejtim te militantëve partiak, ka arritur situatë ne këtë gjendje”, ka thënë Beqiri.

Ai ka shtuar se në vend të privatizimit, duhet riorganizim total që për një përiudhë të shkurtër kohore t’i kthehet reputacioni Telekomit.

“Mendoj se nuk duhet lejuar privatizimi i telekomit me asnjë kusht, hapi i vetëm që duhet ndërmarr është të ndiqen penalisht ata që e kanë sjell postën në këtë situatë, pastaj riorganizim total, duke ia besuar menaxhimin personave kredibil e profesionale në mënyrë që për një periudhe të shkurtër kohore t’i kthehet reputacioni Telekomit”, ka shtuar Beqiri.

Të njëjtë gjë e potencon edhe ekonomisti Muhamet Mustafa. Sipas tij, në gjendjen aktuale se si është kjo kompani, nuk është e përshtatshme për privatizim.

“Do të ishte mirë të nxirret për privatizim. Në situata të tilla do të duhej që mundësisht të bëhet një plan urgjent për ristrukturimin dhe konsolidimin financiar dhe tek pas dy tri vitësh të bëhet privatizimi. Po qarkullon një informatë se EBRD është e interesuar të investojë për këtë qëllim rreth 20 milion Euro, dhe nëse arrihet që krahas kësaj të krijohet një Bord jo partizan politik dhe një menaxhment kompetent , kjo do të ishte rruga e duhur”, ka theksuar Mustafa.

Por, sipas tij, nëse bordi dhe strukturat menaxheriale vazhdojnë të zgjidhen dhe të caktohen në mënyrë partiake, atëherë asnjë infuzion nuk do të bëjë dobi.

“ Përndryshe nëse Bordi dhe strukturat menaxheriale vazhdojnë të zgjidhen dhe caktohen si deri tash as një infuzion i tillë nga EBRD nuk do të bënte dobi. Nëse Vendimi I Qeverisë , të cilin nuk e kam të njohur , ndjek këtë , e jo logjikën dhe praktikat e mëparshme, mendoj se është një qasje e duhur dhe duhet  të punohet në zbatimin e tij, por suksesi mund të ndodhë vetëm nëse interesat politike dhe partiake mbahen jashtë këtij procesi”, ka shtuar ai.

Ndryshe, dje në mbledhjen e kabinetit qeveritar është autorizuar Komisioni për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat