Haradinaj ultimatum ndërkombëtarëve: Këto janë pesë pikat që duhet përmbushur për t’u hequr taksa

Aktuale

Haradinaj ultimatum ndërkombëtarëve: Këto janë pesë pikat që duhet përmbushur për t’u hequr taksa

Nga: D.RR Më: 28 janar 2019 Në ora: 16:53
Doland Trump, Frederica Mogherini dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka ka dërguar një dokument ambasadorëve të Quint-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, dokument ky që përbëhet nga pesë pika.

Sipas Haradinajt, nëse ndërkombëtarët përmbushin këto pika, atëherë Kosova do të heq taksën 100% ndaj Serbisë.

Në mesin e pikave, Haradinaj ka kërkuar që të ketë një konferencë për zgjidhjen e çështjeve Kosovë-Serbi, e para kësaj konference, ai kërkon që të hiqen vizat për Kosovën, transmeton “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Ky është dokumenti që ua kam dërguar sot ambasadorëve të Quint-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë.

RH

Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) se
shpallja e pavarësisë nga ana e Kosovës në vitin 2008 nuk ishte e paligjshme,
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën nr. 64/298 (2010), e cila
njohu përmbajtjen e Opinionit të GJND-së dhe mirëpriti “gatishmërinë e
Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve”.
Ne kemi bindje të thelle që mund të arrihet në vitin 2019 një marrëveshje
gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e
cila do t’i adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë reparacionet e
luftës, të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet, si dhe çështjet e ndryshme
ekonomike, sociale dhe kulturore – duke shpjer në njohjen e ndërsjellë dhe
anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100% (‘taksa’) mbi
importin e mallrave me origjinë nga Serbia si dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.
Taksa ka ardhur si përgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme të Marrëveshjes për
Tregti të Lirë me Evropën Qendrore (CEFTA) dhe akteve të vazhdueshme të
agresionit që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës do të pezullojë menjëherë tarifën në rast se plotësohen
rrethanat e mëposhtme:

 

1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas
marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference
ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje
gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe
Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy
vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur pas
plotësimit të rrethanave të përshkruara në paragrafët 2 deri në 5 më
poshtë dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve:

 

2. SHBA-të dhe BE-ja do të japin zotime publike dhe do të garantojnë që në
Konferencë nuk do të ketë:
(i) Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të
Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre.
(ii) Dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për
asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje
tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
(iii) Masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para
datës 17 shkurt 2008.

3. BE-ja do të jep zotime shtesë publike dhe do të garanton se:
(i) Do të hyj në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së
Kosovës para fillimit të Konferencës.
(ii) Do të zbatohet dhe do të jetë plotësisht funksionale Marrëveshja
për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para
fillimit të Konferencës

4. Është verifikuar se Serbia ka larguar të gjitha barrierat jo-tarifore të
shkaktuara ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova, si dhe të gjitha kufizimeve
të paligjshme në tregtinë e shërbimeve dhe lëvizjen e njerëzve nga Kosova
në Serbi.

 

5. Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë
konfirmojnë publikisht se janë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha
politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të
Kosovës si shtet sovran qoftë nëse ato aplikohen në nivel lokal, rajonal apo
ndërkombëtar.
Tarifa do të ri-vendoset menjëherë nëse Konferenca nuk përfundon me një
marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila
siguron, ndër të tjera, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në
Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Tarifa do të ri-vendoset në një datë të
mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e
detyrueshme e arritur në Konferencë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat