Kush o ma i forti? Rrahjet brenda Burgut të Dyzit edhe për arsye fetare

Aktuale

Kush o ma i forti? Rrahjet brenda Burgut të Dyzit edhe për arsye fetare

Më: 28 janar 2019 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Përleshjet në mes të burgosurve në Burgun e Sigurisë së Lartë, kanë filluar të bëhen të shpeshta. Kryesisht këto përleshje ndodhin në dhomën e rekreacionit, aty ku të burgosurit e kalojnë kohën e lirë. Dy rrahje masive kanë ndodhur së fundmi në këtë burg, njërën prej tyre i përfshirë është edhe i shumëkërkuari nga INTERPOL malazezi Marko Millosheviq. Pos të burgosurve, viktimë e përleshjes është edhe një oficer i burgut

Përleshjet në mes të burgosurve që gjenden në Burgun e Sigurisë së Lartë kanë filluar të shpeshtohen. Në rastin e fundit, që ndodhi në mëngjesin e 23 janarit, aq e fuqishme ishte përleshja sa që të lënduarit u dërguan në QKUK për trajtim.

Edhe në dhjetor të vitit të kaluar, ka ndodhur një përleshje, gjithashtu e rëndë, në mes të të paraburgosurve, ku protagonist i saj ishte malazezi Mario Millosheviq.

Përleshja e 23 janar 2019

U rrahën me mbajtëse të tavolinës së futbollit, në dhomën e rekreacionit. Pesë të burgosur dhe një oficer që tentoi t’i ndante, morën lëndime trupore dhe u dërguan në QKUK.

Protagonistët e kësaj përleshjeje, Express mëson se është i burgosuri Bujar Basha.

Protagonisti i arratisjeve më spektakolare në Kosovë, Bujar Basha, bashkë me shokët e tij të burgut, kanë rrahur Almir Susajn, shtetas i Shqipërisë që po vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Kosovë.

Nga burimet medias ka mësuar se Basha dhe Susaj ishin shokë të mirë, mirëpo ky konflikt u bë për shkak të ndasive fetare.

E përleshjen e tyre, e ka konfirmuar edhe drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Ilir Kelmendi.

“Një i burgosur ishte rrahur nga tre te burgosur tjerë, këta tre te burgosur me shpejtësi e kanë dëmtuar tavolinën futbollit dhe kanë përdorur mbajtësit e lojtarëve, ku me këto mbajtëse të lojtarëve i kanë përdor si mjete për ta goditur, ku i burgosuri ka marr goditje në kokë, ndërsa oficeri për ta parandaluar incidentin edhe ai është goditur i cili ka marr lëndime trupore...”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi ka treguar se nga kjo përleshje, të lënduarit më pas janë dërguar në QKUK me rekomandim të mjekut të burgut. Krejt kjo ngjarje ka ndodhur në orën 10:10 më 23 janar të 2019’s.

Bujar Basha tashmë është emër i njohur si i burgosur, pasi ai ka dalë shumë shpesh në media, ku ka rrëfyer për arratisjet e tij nga burgjet e Kosovës.

I dënuar me 30 vjet burg, në Burgun e Dubravës ai fillimisht kishte arritur të arratisej në mënyrë spektakolare vite më parë. Tash ai gjendjet në Burgun e Sigurisë së lartë, ku ka nisur të shkaktojë edhe probleme.

Por, për problemet që i përkasin besimeve, Almir Susaj ishte ankuar edhe në vitin 2013, por kësaj radhe kishte bërë ankesë në kohën kur ai ishte në Burgun e Dubravës.

Në 2013’ Susaj kishte parashtruar ankesë në Penalin për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar se po keqtrajtohet dhe po diskriminohet në Burgun e Dubravës, vetëm për shkak se i takon besimit të krishterë dhe ka nënshtetësi shqiptare.

“Ankuesi  pohon se është  keqtrajtuar në qendrën korrektuese në Dubravë gjatë një bastisje nga i ashtuquajturi Ekipi për Ndërhyrje më 21 mars 2013. Për më tej, ai pohon se është fyer dhe është vendosur në izolim pa ndonjë arsyetim. Kur kishte kërkuar ndihmë mjekësore, supozohet se ishte spërkatur me gaz lotsjellës dhe ishte rrahur derisa kishte humbur vetëdijen. Ankuesi  supozon  se  ishte  torturuar,  keqtrajtuar dhe  diskriminuar  nga autoritetet e burgut për shkak të religjionit dhe nënshtetësisë së tij”, thotë në vendimin e Panelit, që e posedon media.

Paneli, ankesën e Almir Susajt e ka shpallë të papranueshme për shkak se nuk ka kompetencë për të shqyrtuar atë. Paneli, i kishte rekomanduar Susajt më 2013’n, që ankesën e tij duhet ta ngrisë tek autoritetet kompetente të prokurorisë.

Përleshja e datës 29 dhjetor 2018

Kjo përleshje ka ndodhur në mesditën e 29 dhjetorit. Protagonist i saj ishte Mario Millosheviq, malazezi i cili është arrestuar në Prishtinë vitin e kaluar dhe tani po mbahet në Burgun e Sigurisë së Lartë në paraburgim.

Incidenti ka ndodhur në sallën e rekreacionit, ku të paraburgosurit e kalojnë kohën e lirë, sipas rutinës që e kanë të caktuar.

I paraburgosuri M.U, ishte duke luajtur shah me një të paraburgosur tjetër, ku Mario Millosheviq nisi konfliktin i pari.

Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Ilir Kelmendi ka treguar se si ka ndodhur kjo ngjarje, që më pas është paraqitur edhe në polici dhe të lënduarit kanë përfunduar duke marrë tretman mjekësor.

“Rrahja ka qenë spontane ndërmjet dy të paraburgosurve, gjatë shtyrjeve, kacafytjes janë rrëzuar në dysheme dhe gjatë përleshjes e ka dëmtuar rendë, gjurin (këmbën) i paraburgosuri M.U’, ka thënë Kelmendi.

E për shkak të lëndimit serioz që ka marrë M.U, është dërguar në ortopedi për tretman mjekësor nga specialistët.

Të dy të përleshurit, M.U dhe Mario Millosheviq, janë me status të paraburgosur dhe të njëjtit janë persona me të kaluar kriminale të rëndë.

M.U., që në këtë rast është i dëmtuar, është me dy identitete, në Serbi ka emër tjetër dhe në Kosovë ka emër tjetër.

Po në të njëjtin muaj, Mario Millosheviq ishte ndihmuar nga dy persona të tjerë të arratisej nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

Petrit Mustafa i cili njëherësh ishte zyrtar në Ministrinë e Diasporës, u dënua me 6 muaj burgim, dënim ky i cili me pëlqimin e tij zëvendësohet me gjobë në shumë prej 2800 eurosh. Mustafa, u akuzua se me qëllim të t’i mundësohet Millosheviqit arratisja nga burgu, ka ofruar dy herë nga 1500 euro dhe një telefon Nokia dhe një iPhone gardianit të burgut Stefan Veliqkoviq.

Gardiani në burgun e sigurisë së lartë Stefan Veliqkoviq, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Shtetit dhe u dënua me 6 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë.

Në aktakuzë thuhet Petrit Mustafa se ai pranoi dy herë nga 1500 euro dhe 2 telefona, një Iphone 5S, dhe një telefon Nokia.

Mario Millosheviq ishte arrestuar në korrik të këtij viti së bashku me tre persona të tjerë në një aksion në Prishtinë, si të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të substancave narkotike lidhur me kërkesën ndërkombëtare nga INTERPOL’i dhe armëmbajtje pa leje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat