A do ta rrëzojë Kadri Veseli, Ramush Haradinajn brenda natës siç e bëri me Isa Mustafën?

Aktuale

A do ta rrëzojë Kadri Veseli, Ramush Haradinajn brenda natës siç e bëri me Isa Mustafën?

Më: 28 janar 2019 Në ora: 23:24
Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

Më 10 maj të vitit 2017, Isa Mustafa e pa vetën të rrëzuar në Kuvendin e Kosovës. Ish kryeministri pati thënë më vonë se deri në atë moment nuk e dinte që PDK-ja dhe Kadri Veseli do ta rrëzonin qeverinë e përbashkët LDK-PDK.

Me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime, deputetët e patën dërguar vendin në zgjedhje të parakoheshme.

PDK-ja dhe Kadri Veseli aso kohe patën thënë se ishte demarkacioni të cilin nuk e votonin disa deputetë të LDK-së që e rrëzoi Qeverinë Mustafa.

Ndërkaq, sonte, kryeministri aktual, Ramush Haradinaj e përmendi si opsion që qysh këtë javë të bie qeveria.

Ai tha se nëse PDK-ja dhe Kadri Veseli tërhiqen nga koalicioni, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakoheshme.

E si shkak për rënien e mundshme të qeverisë po bëhet taksa ndaj mallrave serbe. Haradinaj po këmbëngulë që taksa mos të hiqet pa garanci nga BE-ja dhe Amerika që do të mbahet një konferencë ndërkombëtare ku do të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.

Në anën tjetër, Veseli sot e ka pritur ambasadorin amerikan, Philip Kosnett ku ka thënë se pajtohet që taksa të pezullohet për afat të caktuar prej 120 ditësh në mënyrë që t’i jepet mundësi arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Kjo javë pritet që të jetë vendimtare edhe sa i përket taksës edhe Qeverisë Haradinaj.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ia ka rikujtuar paralajmërimin që i kishte bërë kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Kryeministër, t’kam pas paralajmëru që me ata që rrënojnë ura nuk mundet me pasë sukses bashkëpunimi. Qysh po shihet, shumë shpejt ka me t’lanë n’lloç shefi i PAN’it, edhe atë natën, qysh din veç ai”, ka shkruar Haziri, duke komentuar deklaratën e fundit të Haradinajt se qeveria mund të bie qysh këtë javë nëse tërhiqet PDK-ja.

“Edhe ashtu kjo Qeveri po kushtëzohet nga 22 parti, që veç po e dijmë të gjithë. Por, kushtrimi nga PSD është postë e porositur dhe vështirë e lexueshme… Shefi i PAN’it në kundërshti të letrës tuaj, ka premtu suspendim 4 mujor, edhe atë pa e pyetur Enver Hoxhajn fare. Katundi që shihet, nuk do kallauz!”, ka thënë në fund Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat