Kosnett: Politika s'ka vend në arsim, Agjencia e Akreditimit duhet të jetë e pavarur

Aktuale

Kosnett: Politika s'ka vend në arsim, Agjencia e Akreditimit duhet të jetë e pavarur

Më: 29 janar 2019 Në ora: 17:37
Philip Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka thënë se në sektorin e arsimit në Kosovë nuk duhet të ketë vend politika, duke mbështetur kështu fuqishëm qëndrimin e përfaqësueses së BE-së, Natyalya Apostolova, se Agjencia Kosovare e Akreditimit duhet të jetë e pavarur në mënyrë që të sigurohet arsim cilësor në Kosovës.

“Sektori i edukimit nuk ka vend për politikë. Unë e mbështes plotësisht qëndrimin e Apostolovës se Agjencia kosovare e akreditimit duhet të jetë e pavarur  në mënyrë të sigurohet arsim cilësor në Kosovë”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Ky reagim i Kosnett ka ardhur pas takimit që Apostolova ka pasur me zyrtarë të kësaj Agjencie, ku kanë diskutuar rreth reagimeve të Universiteteve kundër vendimeve të kësaj agjencie.

Një ndër temat e diskutuara ka qenë edhe ndërhyrja e politikës në punën e pavarur të kësaj agjencie, akuzë që është ngritur nga drejtuesit e universiteteve në Kosovë.

Ajo ka kujtuar se ndërhyrjet e politikës i kanë kushtuar kësaj agjencie me përjashtim nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në rrezik anëtarësimin e kësaj agjencia edhe në institucionet tjera.

“Sot pata nderin të takohem me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe të informohen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Zotimi i tyre ndaj misionit që kanë është mbresëlënës dhe duhet të shërbejë si shembull.

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave. Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AKA-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.  Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit.

BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor.

U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe puna e saj për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike”, kishte shkruar Apostolova pas atij takimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat