Kajtazi: AKI dhe Prokuroria e Shtetit kanë argumente të mjaftueshme për ta hetuar Thaçin, siç bëri FBI rrethin e Presidentit Trump

Aktuale

Kajtazi: AKI dhe Prokuroria e Shtetit kanë argumente të mjaftueshme për ta hetuar Thaçin, siç bëri FBI rrethin e Presidentit Trump

Nga: D.B Më: 29 janar 2019 Në ora: 19:23
Fadil Kajtazi

 

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe Inteligjencës, Fadil Kajtazi, konsideron se dokumentimi i veprimtarisë antikushtetuese të kategorisë së profilit të lartë, në këtë rast i presidentit, nuk kërkon ndonjë dije të stërholluar, pasi ai këtë veprimtari është duke e bërë në mënyrë shumë transparente. Këtë deklaratë Kajtazi e ka shkruar në profilin e tij në Facebook, duke marrë shembull hetimet që po i bën FBI, në SHBA ndaj rrethit të Presidentit Trump për mundësi të bashkëpunimit me Rusinë.

Postimi i plotë:

FBI po heton rrethin e Presidentit Tramp për mundësi të bashkëpunimit me Rusinë.

Një hetim i këtij niveli dhe i kësaj natyre përket me kategorinë e shkaktimit të krimit tradhti ndaj atdheut qe ne SHBA është e rregulluar ne mënyrë strikte me ligj (Ligji USC & 793, U.S.Code, Title 22, chap. 11 Sub. 11. sec 611-2008).

Dihet që bashkëpunimet me shërbimet inteligjente të këtij niveli dhe të kësaj kategorie janë shumë të sofistikuara, sidomos kur bëhet fjalë për shërbimet ruse dhe, vërtetimi i fajësisë është shumë i vështirë. Në punën e shërbimeve inteligjente-pjesa e kundër inteligjencës, punën më të vështirë e ka dokumentimin e tradhtisë; fiksimin e kontaktit të tradhtarit (spiunit) me shërbimin armik. Historia e shërbimeve inteligjente e vendeve demokratike njeh shumë raste që spiunët janë ditur, por në pamundësi të dokumentimit, nuk janë penalizuar. Prandaj FBI e ka të vështirë t'i vë kapakun kësaj çështje në të dy drejtimet si për të dokumentuar tradhtinë eventuale, ashtu edhe për ta hequr dilemën ndaj administratës së Trampit. Mos dokumentimi në çdo rrethanë do t'i lë hije të keqe administratës Tramp. Fatkeqësisht, në kushtet kosovare, dokumentimi i veprimtarisë antikushtetuese të kategorisë së profilit të lartë, në këtë rast i presidentit, nuk kërkon ndonjë dije të stërholluar, pasi ai këtë veprimtari është duke e bërë në mënyrë shumë transparente. Presidentin e vendit kushtetuta e obligon që të jetë gardian i ruajtjes së tërësisë territorialë dhe integritetit të vendit. Presidenti i vendit në mënyrë transparente lobon dhe krijon opinion ndërkombëtar për copëtimin e vendit në favor të një shteti që ka qëllime armiqësore ndaj Republikës së Kosovës. Të mjaftueshme janë deklaratat e tij publike për të konstatuar dhe vërtetuar krimin ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe AKI-s. Prokuroria e Shtetit ka argumente të mjaftueshme për të vepruar ngjashëm sikurse FBI-ja në rastin e Roger Stone. Nëse nuk veprohet shpejt, atëherë Kosova do të përballet me dëme të pariparueshëm, ku tradhtia ndaj atdheut do të shndërrohet në mode.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat