Grevat në Kosovë, FMN thotë se rritja e pagave pamundëson zbutjen e papunësisë

Aktuale

Grevat në Kosovë, FMN thotë se rritja e pagave pamundëson zbutjen e papunësisë

Më: 30 janar 2019 Në ora: 08:47
FMN

Projektligji i ri për pagat ka shkaktuar një kaos grevash në Kosovë. Pas grevës së nisur nga SBASHK-u, edhe shërbyesit civilë kanë hyrë në grevë, të cilët po kërkojnë nivelizim të pagave dhe njohjen e përvojës së punës.

Ndërsa, sistemi arsimor tashmë ka hyrë në javën e tretë të cilët po kërkojnë ngritje të koeficientit për 30 për qind, ku kanë paralajmëruar se nëse nuk plotësohen këto kërkesa, grevës nuk do t’i shihet fundi.

Mirëpo, ky projektligj po vlerësohet se rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore si dhe rritë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen për Indeksonline ka thënë se FMN po ndjek më shqetësim debatin që po behët për pagat.

Sipas tij, rritja pagave prej 10 për qind që ofroi qeveria për mësimdhënësit do të kushtonte 13-14 milionë euro, ndërsa ajo prej 30% edhe më shumë.

Ai ka theksuar se nëse rriten pagat ashtu siç po kërkohen, atëherë nuk mund të pritet punësim dhe zbutje të papunësisë.

“Ne jemi duke e ndjekur diskutimin me shqetësim pasi që kërkesat për pagat janë të larta dhe nuk mund të akomodohen nga buxheti. Për shembull, në mënyrë të izoluar, rritja e pagave prej 10 për qind për mësuesit që ofroi Qeveria do të kushtonte rreth 13-14 milionë euro ose rreth 0.2 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm. Rritja e pagave për 30 për qind që po kërkojnë mësuesit do të kushtojë tre herë më shumë. Kjo krahasohet me një rritje të faturës së pagave prej rreth 26 milionë euro për punësimin shtesë në sektorët prioritare dhe një rritje modeste në pagat e sektorit publik për të llogaritur përvojën e punës, të parashikuar në projekt buxhetin e vitit 2019. Rritja e pagave për 10 për qind do të konsumonte hapësirë për punësimin shtesë në sektorët prioritarë, siç janë shëndetësia dhe gjyqësori. Një rritje prej 30% ka gjasa të pamundësonte punësim të ri ose rritje të pagave për të tjerët dhe do të prishte rregullën e pagave”, ka thënë Vermeulen në një përgjigje me e-mail për redaksinë.

Sipas tij, nëse nëpunësit civilë dhe grupet e tjera kërkojnë rritje të ngjashme të pagave, kostoja do të ishte shpejtë e fryrë (e lartë).

Vermeulen thotë se plotësimi i kërkesave të grupeve të caktuara për rritje pagash do të jetë i kushtueshëm dhe mund të shkel rregullin e pagave.

“Por ne nuk mund të shohim ndonjë rritje të tillë të pagave pa vëmendje, pasi kërkesat për rritje më të larta nga një grup ka të ngjarë të shkaktojnë kërkesa legjitime nga të tjerët, siç po dëshmojnë sot. Nëse nëpunësit civilë dhe grupet e tjera gjithashtu kërkojnë një rritje të ngjashme të pagave, kostoja do të ishte shpejt e fryrë. Natyrisht, në këtë moment nuk mund të vlerësojmë ndikimin fiskal, pasi nuk mund të parashikojmë rezultatin e bllokimit midis Sindikatave dhe Qeverisë. Megjithatë, plotësimi i këtyre kërkesave do të jetë i kushtueshëm dhe ka të ngjarë të shkelë rregullin e pagave. Kujtojnë se ky rregull ka hyrë në fuqi vetëm vitin e kaluar. Ajo ka për qëllim parandalimin e rritjes së tepruar të pagave të sektorit publik që kemi parë në të kaluarën dhe për të siguruar që pagat të lëvizin në hap me përformancën që tregohet në punë”, ka thënë ndër të tjerash ai.

Ai ka shtuar se rritja e pagave në sektorin publik do të bëjë presion mbi pagat e sektorit privat.

“Shkelja e rregullit për paga të barabarta, jo vetëm që shkel ligjin, por edhe dobëson në mënyrë të konsiderueshme kredibilitetin e politikës fiskale. Përveç kësaj, rritjet e mëdha në pagat e sektorit publik do të bëjnë presion mbi pagat e sektorit privat, duke ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës për të reduktuar papunësinë e lartë në Kosovë”, ka thënë Vermeulen, duke theksuar se projektligji për pagat ka shumë mangësi.

Përfaqësuesi i FMN-së ka thënë se kanë këshilluar autoritetet kosovare që të ridizajnojnë projektligjin për pagat në atë mënyrë që shpenzimet të mbahen brenda kufijve dhe që respektojnë rregullin ‘pagë të barabartë për punë të barabartë’.

“Përtej rregullimeve ad hoc që po shqyrtohet tani, projektligji për pagat ka shumë mangësi tjera, siç është kosto e madhe fiskale e cila tashmë vë në rrezik pagat, përhapjen e lejimeve diskrete duke përfshirë këtu edhe për mësuesit, gjë qe minon integritetin e rregullës së pagave dhe vazhdon pagesat jo te barabarta për shkak te klauzolës se pagesave të fryra dhe përjashtimeve për grupe të veçanta. Prandaj, ne kemi këshilluar autoritetet që të ridizajnojnë projektligjin për pagat për të siguruar që shpenzimet të mbahen brenda kufijve të rregullave të të pagave dhe që përmbush qëllimin e deklaruar të pagës së barabartë për punë të barabartë”, ka thënë mes të tjerash Vermeulen.

Përveç mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë, edhe universitetet publike janë në grevë. Rektorët e universiteteve publike kanë njoftuar se prej të martës (dje) të gjitha universitetet publike do të fillojnë grevë të përgjithshme dhe do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, për shkak të veprimeve të fundit të Agjencisë Kosovare për Akreditim për mbylljen e programeve.

Ndërsa, tani për tani greva në sistemin shëndetësor është pezulluar ku kryesia e Federatës Sindikale të Shëndetësisë po negocion për arritjen e marrëveshjes që kanë premtuar qeveritarët për ngritje pagash.

Ndërsa, dje Komisioni për Administratë Publike ka miratuar amandamentet e projektligjit për paga përsektorin publik, ku ka miratuar edhe uljen e koeficienteve nga 12 sa ishte, në 10.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat