Kurti: Nuk ka kuptim dialogu i ri me Serbinë, Thaçi është i delegjitimuar

Aktuale

Kurti: Nuk ka kuptim dialogu i ri me Serbinë, Thaçi është i delegjitimuar

Më: 30 janar 2019 Në ora: 11:27
Lideri i VV-së, Albin Kurti

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e sotme ka kërkuar edhe njëherë që taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës të mos largohet, por të largohet qeveria Haradinaj.

Kurti u shpreh se nuk ka kuptim dialogu i ri kur çdo ditë ka ftesa të reja nga Gjykata Speciale.

Kurti: Duhet të largohet kjo Qeveri, por të mbetet taksa

“Ne kemi qëndrim të kundërt si Lëvizjes Vetëvendosje, me presidentin dhe kryeparlamentarin ata duan që të hiqet tarifa 100 për qind me Serbinë dhe të mbetet Haradinaj kryeministër, ne kërkojmë të kundërtën të largohet kjo Qeveri dhe Haradinaj e të mbetet kjo tarifë. Skandalet e pa numërta të keq qeverisjes dhe korrupsionit nuk mbulohen me një tarifë. Mbi të gjitha nuk ka kuptim dialogu i ri me Serbinë përderisa për çdo ditë kemi ftesa të reja për Gjykata Speciale për luftëtarët e UÇK-së, nuk ka kuptim dialogu i ri përderisa ky Kuvendi i yni ndodhet në Gjykatën Kushtetuese tek e cila presidenti ka pyetur se a mund të na anashkaloj neve deputetëve”, ka thënë Kurti.

Kreu i VV-së ka deklaruar se tani nuk kemi dialog me Serbinë, por siq e quan ai, ‘pazar me Serbinë’.

Kurti: Presidenti Thaçi është i delegjitimuar

“Një rrezik tjetër po na dominon, ndarja e Kosovë që emërohet herë si shkëmbim territorial e herë si korrigjim i kufirit në vitin e kaluar presidenti i Kosovës paralajmëroi kompromis të dhimshëm ndërsa në këtë vit e filloi duke shprehur gaditshmëri dhe vullnet për kompromiset  e nevojshme me Serbinë në marrëveshjen e cila na qenka afër. Presidenti Thaçi ose bënë bllof me idenë e zgjidhjes finale dhe pajtimin historik me Serbinë, ose tashmë ka marrëveshje të fshehtë me Serbinë, shpjegim tjetër nuk ka, por edhe dilema nuk ka sepse në secilin rast ky president është delegjitimuar dhe diskredituar. Ajo çfarë kemi sot nuk është dialog por Pazar sepse nuk është dialog me Serbinë ku Kosova do të ishte subjekt, por veç se Pazar me Serbinë, ku Kosova është bërë objekt”, ka shtuar ai.

Ai ka paralajmëruar protesta të tjera nëse nuk ndalet presidenti Hashim Thaçi.

Ndryshe, në seancën plenare të sotme në rend të ditës janë gjithsej 30 pika, ndër të cilat: votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave.

***

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e parë për sesionin pranveror.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, në fjalimin e tij tha se Qeveria Haradinaj do të njihet vetëm për dështimet e saj.

Ai përmendi grevat e punëtorëve dhe korrupsionin në vend.

“Në vitin që shkoi papunësia te gratë ka mbetur njësoj. Sot lajm po bëjnë punëtorët që nuk janë në grevë se ata që janë në grevë. Sot është rritur korrupsioni tek sa rendi tek ambasadat po rriten”, tha ai.

Kurti foli edhe për deklratat e presidentit Thaçi për marrëveshjen me Serbinë, duke thënë se aktualisht nuk mund të flasim për dialog, por për një Pazar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në vitin e kaluar presidenti paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Thaçi ose bën blof me idenë e pajtimit final me Serbinë ose tash ka marrveshje të fshehtë me Serbinë. Ajo çfarë kemi sot nuk është dialog por pazar”, tha ai.

Duke shpalosur qëndrimin e Vetëvendosjes, Kurti tha se subjekti që ai udhëheq është kundër heqjes së taksës ndaj Serbisë.

“Thaçi po do ta sjellë Rusinë në lojë sepse ajo është në OKB. Se çka don Serbia e dijmë mirë. Ne kemi qëndrim të kundërt me presidentin dhe kryeparlamentarit. Ne kërkojmë largimin e qeverisë Haradinaj dhe mbetjen  e tarifës. Nuk ka kuptim dialogu përderisa kemi çdo ditë ftesa nga Gjykata Speciale”, tha Kurti.

“Protesta e 29 shtatorit ishte madhështore, por ajo do të jetë e vogël krahasura me protestat tjera nëse nuk nalet ky president”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat