Familja Knushi fal gjakun e djalit në praninë e Haradinajt

Aktuale

Familja Knushi fal gjakun e djalit në praninë e Haradinajt

Më: 30 janar 2019 Në ora: 14:21
Akademia përkujtimore

(E plotësuar) - Në shënimin e 22 vjetorit të rënies së heronjve të kombit Zahir Pajazitit, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu një familje ka vendosur që të fal gjakun e djalit.

Familja e Bashkim Knushit sot në Junik ka falur gjakun e djalit familjes së Ahmet Shehu duke i dhënë fund armiqësisë.

Të dy familjet kanë shtrënguar duart në praninë e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili me këtë rast ka thënë se kjo është vepra më shqiptare që mund të bëhet sot.

Haradinaj: Kjo është vepra më shqiptare që mund ta bëjmë sot

“Sot më të nderuarit janë familjet e heronjve Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha se në nderim të flijimit për atdhe të heronjve pra bashkëkombësi ynë, një shqiptar i mirë Bashkimi e ka fal gjakun e djalit të vet famijes Ahmeti. Qofshi të nderuar, kjo është vepra më shqiptare që mund ta bëjmë sot”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Junikut Agron Kuçi, ka thënë se familja Knushi fal gjakun e djalit në emër të dëshmorëve dhe martirëve të kombit, por edhe në emër të kryeministrit Haradinaj.

Kuçi: Bashkim Knushi fal gjakun e djalit

“Bashkim Knushi një bashkëqytetar i joni bashkë me djem, vëllezër dhe familjen e gjerë Knushi fal gjakun e djalit të tij Ardianit familjes së Ahmet Shehut, në emër të dëshmorëve, martirëve, heronjve të kombit, në emër të bashkëqytetarëve të Junikut, në emër të familjes Haradinaj dhe në emër të vet kryeministrit Haradinaj”, tha ai.

Falja e gjakut ka ndodhur pas përfundimit të akademisë përkujtimore që është mbajtur sot në Junik me rastin e shënimit të 22 vjetorit të rënies së heronjve Zahir Pajazitit, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu.

‘Për hir të gjakut të tre heronjve, liderët politikë të bëhen bashkë’

Në 22 vjetorin e rënies se heronjve të kombit Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, është thënë se të tre këta heronj do të mbeten përjetësisht udhërrëfyes për kombin shqiptar.

Në akademinë përkujtimore që këtë vit është mbajtur në Junik, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, vlerësoi se 31 janari do të mbetet datë e pashlyeshme në histori si rezultat i flijimit, sakrificës më sublime, të Zahirit, Edmondit dhe Hakifit.

Duke çmuar lart kontributin e të gjithë të rënëve për liri, ai tha se Juniku, është vend i atdhetarëve të zotë dhe i përpjekjeve për liri.

Haradinaj: Rënia e Zahirit, Hakifit e Edmondit, bëri kthesë në kalkulimet tona

 “Rënia e Zahirit, e Hakifit dhe e Edmondit, në mënyrë aq heroike, në përballje, duke rezistu dhe luftu, bëri kthesë në kalkulimet tona, në mënyrën që ne kishim planifiku se çka duhet të ndodhë. Deri atëherë, kishim mendu me aksione të caktume, të shpërndara, veç e veç, por në këtë rrethanë të krijume, me rënien e tyre, u krijua një bindje se duhet të veprojmë jo veç kur kemi mundësi të planifikimit shumë të madh e të përgatitur, por duhet të veprojmë më shpesh, më shumë, gjithkund. Në këtë rrugëtim ndodhën edhe ngjarjet që pasuan më vonë... Me këta heronj ne e konfirmojmë se e dimë rrugën tonë deri këtu dhe e dimë rrugën tonë më tutje”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Junikut Agron Kuçi, është shprehur se të rralla janë lëvizjet ushtarake e politike për çlirim kombëtar gjatë gjithë historisë të cilat nuk janë përkundur e rritur në djepin liridashës të Junikut.

Kuçi: Zahiri, Edmondi e Hakifi bënë bashkimin e të gjithë rajoneve të Kosovës

 "Pushka lajmëtare e lirisë së Edmondit, Zahirit, Hakifit në Pestovë të Vushtrrisë paralajmëroj se Juniku, Dukagjini, Llapi e Gollaku, jo vetëm që nuk e kanë harruar amanetin e të parëve të tyre, porse veçsa kanë përkundur e kultivuar për ditët që nuk do të vononin shumë. Zahiri, Edmondi e Hakifi duke qenë prej themeluesve të UÇK-së dhe pishtarëve të parë të rënë ata u bënë edhe sinonim i bashkimit të të gjitha vlerave, pra edhe të bashkimit të Llapit e të Gollakut, Drenicës e Rugovës, Shalës e Pashtrikut, Dukagjinit dhe krejt Kosovës", tha ai.

Po ashtu, ai tha se rënia e tyre Junikun, Llapin e Gollakun, i forcon përjetësisht në rreshtin e parë të vlerave sublime kombëtare, duke i dhënë vulën e lavdisë. Ndërkaq, në emër të Shoqatave të Dala nga Lufta ka folur Nimon Tofaj.

Tofaj: Çështjet e shqiptarëve u realizuan me gjakun e dëshmorëve

"Për vuajtje, mjerim, lot, jemi përplasur nëpër shekuj, për liri, demokraci dhe avancim të çështjeve tona jemi sot. Gjithmonë populli shqiptar e ka shikuar rrugën e bisedave të buta, të urta, të mira, duke mos qitur në pah dhunën, terrorin dhe çështje tjera sikur të tjerët i kanë qitur. Nuk kanë mundur t'i realizojnë është mbetur punë e pakryer. Janë realizuar me gjakun e heronjve dhe dëshmorëve që sot i përkujtojmë", tha ai.

Kurse, në emër të familjarëve të tre heronjve ka folur mbesa e Hakif Zejnullahut, Floreta Zejnullahu, e cila ka thënë se ata të tre e kanë dashur vendin dhe lirinë e vendit të tyre më shumë se veten.

Ndërsa ka kritikuar udhëheqësit e vendit se duke qenë të përçarë dëmi më i madh po u bëhet të rinjve.

 Zejnullahu: Liderët politikë të bëhen bashkë për hirë të gjakut të dëshmorëve

 "Ne sot e kemi këtë liri që na e kanë sjell këta dëshmorë, por ne sot jemi të përçarë, jemi të ndarë mes vete. Unë prej kësaj akademie në këtë 22 vjetor iu bëjë thirrje presidentit të Kosovës, kryeministrit dhe të gjithë krerëve të shtetit që të afrohen me njëri tjetrin, të bëhen bashkë. Ti lënë inatet se këto politika po na bëjnë dëme veç neve, veç gjeneratave të reja. Po na krijojnë një pasiguri të madhe e po na humbin shpresat për të ardhmen. Ju lutemi që të na krijoni kushte më të mira në vendin tonë, që mos me mendua pas studimeve në cilin shtet të botës me ik për një jetë më të mirë", u shpreh ajo.

Ajo tha se duhet të bëhen bashkë për hir të gjakut të tre heronjve dhe shumë të tjerëve që ta dërgojnë në vend amanetin e tyre.

Komuna e Junikut ka ndarë çmimin "Kuvendi i Junikut" për të tre heronjtë e kombit. Po ashtu, në këtë akademi përkujtimore,  Bashkim Knushi i ka falur gjakun e djalit të tij familjes së Ahmet Shehut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat