Bashkurti: Dorëzimi i Veselit për taksën, papjekuri politike

Aktuale

Bashkurti: Dorëzimi i Veselit për taksën, papjekuri politike

Më: 31 janar 2019 Në ora: 13:03
Lisen Bashkurti

Profesori i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, i cili tashmë është president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Lisen Bashkurti, e konsideron si papërgjegjësi dhe papjekuri politike dorëzimin e Kadri Veselit karshi presioneve ndërkombëtare për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Sipas tij, taksa është një vendim i qëlluar që duhet të qëndrojë dhe assesi nuk është në kundërshtim me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai thotë se vendosja e taksës ndaj Serbisë si kushtëzim e ka shpëtuar Kosovën nga rrëshqitja në idenë e rrezikshme të shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve.

Ndërkohë nuk e sheh si një ide të qëlluar propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për organizimin e një konference ndërkombëtare, në të cilën do të diskutohej për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas profesorit shqiptar, e kaluara ka treguar që konferenca të tilla nuk garantojnë ndonjë rezultat dhe një ide të tillë të Haradinajt për konferencë e sheh me mjaft skepticizëm.

“Bazuar në përvojat e kaluara ne kemi pasur të gjitha konferencat ndërkombëtare ku ka marrë pjesë Serbia dhe mbështetësit e saj, konferencat kanë shkuar të tjerra gjatë dhe nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje. Është i komplikuar termi "konferencë", varet nga kategoria e agjendës, kategoria e pjesëmarrësve, aleancat e brendshme që do të karakterizojnë këtë konferencë, dhe në fakt është relativisht skeptike si iniciativë”, ka thënë ish-ambasadori i Shqipërisë.

Për konferencën e Dejtonit thotë se pati sukses pasi ishte formatuar mirë, ndërkohë kujton konferencën e Rambujesë pas së cilës ishte dashur të ndërhynte NATO-ja ushtarakisht për ta zgjidhur situatën.

“Konferencë ndërkombëtare u bë edhe për Dejtonin në fakt, u vendos mirë formati, dhe u pranua mirë zgjidhja. Konferencë ishte edhe ajo e Rambujesë, por nuk u arrit të gjendet një zgjidhje, dhe u gjet zgjidhje e sforcuar nga NATO-ja. Konferencë ndërkombëtare ishin gjithashtu edhe negociatat për statusin final të Kosovës, të cilat rezultuan të pasuksesshme në zgjidhjen diplomatike mes dy palëve. Ka përvoja shumë kontroverse me konferencat ndërkombëtare, sidomos aty ku marrin pjesë aktorët kryesorë të politikës botërore”, thotë Bashkurti.

Ai potencon se një konferencë e tillë nuk do të zgjidhte asgjë, dhe këshillon që Kosova të fokusohet në vazhdimin e dialogut të Brukselit pasi tashmë është koha ideale.

“Më shumë sesa një konferencë, pra më shumë sesa një veprimtari, unë mendoj që procesi i dialogut është më i rëndësishëm. Vazhdimi i dialogut është më i rëndësishëm, sesa një konferencë. Një konferencë nuk e shoh që do të zgjidhte formatin e statusit, por një proces hap pas hapi, do të çonte drejt zgjidhjes. Ato që janë pozitive janë vendimet që ka marrë Kosova kohët e fundit sidomos krijimi i ushtrisë dhe vënia e tarifës për produktet serbe, të cilat e kanë faktorizuar Kosovën dhe ia kanë përmirësuar raportin e saj me Serbinë në procesin e negociatave. Tani është pikërisht koha për ta shtyrë dialogun përpara”, shprehet ai.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se statusi i Kosovës është përmbyllur më 17 shkurt, dhe një konferencë të re të propozuar nga Haradinaj e konsideron një hap prapa në bisedime. Për Bashkurtin në një konferencë të tillë nuk ka as çfarë të vendoset në agjendë.

“Statusi është përmbyllur pas një sakrifice të madhe më 17 shkurt, është mbyllë pas disa konferencave ndërkombëtare. Ka qenë Rambujeja, bisedimet ndërkombëtare për statusin që janë karakterizuar nga grupi i kontaktit, nga bisedimet intensive të Ahtisarit. Çfarë do të vendosë në agjendë kjo konferencë e re ndërkombëtare. S’ka çfarë vendos në agjendë. Kosova është konstituuar si shtet, është njohur mbi 100 vende si shtet. Statusi është definuar, Gjykata Ndërkombëtare ka dhënë opinion këshillimor që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Çdo konferencë do të ishte një rikthim mbrapa në këtë çështje. Është Serbia ajo që duhet ta njohë realitetin. Për një çështje të tillë nuk duhet të mblidhet një konferencë e dialogut, sepse është çështje e dialogut të ndërmjetësuar nga dialogu”, shton Bashkurti.

Për të është e paarsyeshme që të organizohet një konferencë ndërkombëtare për një qëndrim të njëanshëm të Serbisë.

“Unë nuk e shoh të dobishme, të arsyeshme e të drejtë, një konferencë ndërkombëtare për një qëndrim të njëanshëm të Serbisë. Serbia është ajo që nuk njeh dhe nuk pranon realitetin në Kosovë. Kosova i ka marrë të gjitha mbështetjet ndërkombëtare. Është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë qasjen. Kosova ka bërë shumë mirë me një tarifë që është sakrificë për Kosovën. Kjo tarifë nuk është pa sakrificë. Është e vetmja mënyrë për të imponuar që Serbia të pranojë realitetin e Kosovës”, potencon ai.

Sa u përket lëvizjeve konkrete drejt finales me Serbinë, diplomati shqiptar Lisen Bashkurti thotë se është më mirë të vazhdohet me idenë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vetëm me mbështetje dhe jo implikim direkt në negociata, pasi një gjë e tillë do të nxiste edhe lëvizjet paralele të Rusisë.

“Më pozitiv më është dukur qëndrimi që Kosova ka insistuar që në dialogun e Brukselit të rritet më shumë prezenca dhe kontributi i SHBA-së. Jo që SHBA-ja të jetë e përfshirë direkt si ndërmjetësues në proces, por më shumë të rritet mbështetja e SHBA-së, se në çdo rast çdo hap që SHBA-ja do hidhte drejt këtij procesi, dhe kjo ta komplikojë edhe më tepër krizën. E shoh me skepticizëm organizimin e kësaj konference duke pasur parasysh formatin që do të ketë një konferencë e tillë, cila do të jetë agjenda dhe pjesëmarrja”, shton profesori i shkencave politike dhe diplomacisë.

Taksa një vendim i duhur, nuk është kundër interesit të SHBA-së

Sipas Bashkurtit, vendosja e taksës ndaj produkteve serbe është një vendim i duhur, duke thënë se thirrjet e SHBA-së nuk janë kundër këtij vendimi, por më shumë i sheh si tentim për të mbajtur ekuilibër dhe balancë në Ballkan.

“Natyrisht që Serbia do ta kushtëzojë, sepse ajo ka vepruar direkt mbi të. Megjithatë, nuk është i arsyetuar dhe argumentuar qëndrimi se SHBA-ja është deklaruar kundër kësaj tarife, ndonëse ato për hir të ekuilibrit dhe balancave ballkanike shprehin qëndrim më të matur. Por Trump po përdor tarifat pikërisht në luftën e tij tregtare me Kinën dhe fuqitë e tjera tregtare. Është një nga sjelljet tipike të diplomacisë së presionit, është aplikimi i tarifave tregtare. Kosova po përdor këto tarifa për të rifaktorizuar pozicionin e vet, për të shtuar disa kushtëzime në procesin e dialogut me Serbinë. Kosova nuk ka rrugë tjetër dhe mjet tjetër presioni përveç tarifave në qasjen ndaj Serbisë, përndryshe do të bënim gabimin fatal për lëshimin e territoreve. I vetmi koncesion që mund të bëjë Kosova është që Serbia ta njohë Kosovën, të hiqet taksa, të njihet Kosova dhe të relaksohet kushtëzimi ekonomik”, shton profesor Bashkurti për express.

Sipas tij, nëse nuk do të vendosej kjo taksë, Kosova ishte gati të rrëshqiste në idenë fatale për falje të territorit dhe korrigjim të kufijve.

“Kosova arriti të gjejë një zgjidhje që kushtëzon shkëmbimin e interesave. Unë të ofroj shkëmbimin ekonomik dhe ju njihni realitetin politik të Kosovës. Pa këtë lloj tarife Kosova nuk kishte asnjë lloj shkëmbimi dhe balancimi përveç se t'i shkëmbejë territoret. Prandaj u ra në atë gabimin fatal që ishte një nga gabimet më të mëdha, që ishte ideja për shkëmbim dhe korrigjim të territoreve, që edhe sot e kësaj dite është e paqartë nga kush u nis dhe drejt kujt po shkonte”, ka thënë ndër të tjera Bashkurti.

Për Bashkurtin vendosja e taksës e ka faktorizuar pozitën e Kosovës në dialogun e Brukselit përballë Serbisë, dhe thotë së një veprim i tillë është një mjet diplomatik.

“Politika e tarifave është politikë e diplomacisë kohezive dhe presionit. Tarifat kanë lindur si mjete për të imponuar njohjen apo imponimin e zgjidhjeve politike. E ka ngritur pozicionin dhe e ka shtuar një argument plus për shkëmbim ‘exchange’, tash Kosova ka çfarë ofron, thotë më jep këtë - të jap këtë, është praktikë e njohur diplomatike. Unë të heq tarifën, dhe t’i njeh realitetin politik. Ti më pranon si shtet, unë pranoj tregje të hapura me ty, është një zgjidhje racionale e mundshme në rrethanat që është Kosova”, shton ai.

Kërkesa e SHBA-së për pezullimin e taksës 

Bashkurti thotë se edhe nëse do t’i kushtojë Haradinajt politikisht kjo rezistencë për heqjen e taksës, thotë se një vendim i tillë nuk rrezikon fare raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, dhe nuk është kundër interesit të këtij shteti në Kosovë.

“Edhe në qoftë se i kushton politikisht Haradinajt, ai e ka bërë një vendim politik në përputhje me interesin kombëtar të Kosovës. Është një sjellje shumë moderne dhe bashkëkohore dhe që nuk bie ndesh aspak interesave të SHBA-së dhe nuk rrezikon raportet me Amerikën, pavarësisht nga deklaratat diplomatike që mund të bëhen, e vërteta është që një tarifë e tillë nuk bie ndesh në raportet ndërmjet Kosovës dhe Amerikës, nuk ka asnjë lloj baze”.

Deklarimet e SHBA-së rreth taksës i quan tentime për t'i ruajtur ekuilibrat në Ballkan.

“Vendimi për taksën është vendim i drejtë, dhe nuk rrezikon aspak marrëdhëniet dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-të, pavarësisht deklaratave diplomatike që lëshohen duke pasur Kosovën dhe Serbinë, SHBA-në dhe Rusinë, duke pasur parasysh qëndrime të balancuara në planin diplomatik të SHBA-së në Ballkan. Deri tani SHBA-ja ka qenë haptazi dhe diplomatikisht pro Kosovës, tani është në një politikë më të ribalancuar. Taksa nuk është një sakrificë për hir të stabilitetit politik. Nuk është një tarifë që bie ndesh në asnjë pikëpamje me SHBA-në dhe procesin e integrimit në BE. Kosova nuk ka asnjë mekanizëm tjetër për t'u barazuar në dialogun e vet me Serbinë. Serbia po vazhdon të bëjë presion diplomatik për heqjen e njohjeve me hapa shumë agresivë, ndërsa Kosova duhet të tërhiqet nga një tarifë ekonomike. Absolutisht është e gabuar tërheqja nga një tarifë ekonomike, sepse është e vetmja masë që do të mundë ta përdorte në dialogun me Serbinë”, shton ai.

Ndërkohë, i pyetur rreth dorëzimit të Kadri Veselit dhe propozimit të kreut të PDK-së për pezullimin e vendimit për taksën, Bashkurti thotë se një qëndrim i tillë tregon papërgjegjësi dhe papjekuri politike.

“Do ta quaja një paqëndrueshmëri dhe papjekuri e madhe e politikanëve kosovarë. Interesi kombëtar i Kosovës është interesi më i madh strategjik i SHBA-së, të mbrosh statusin e Kosovës, pavarësinë dhe integritetin territorial është mbështetja më e madhe që i bëhet projektit amerikan në Kosovës. Edhe tarifa e vendosur për produktet serbe, është pikërisht në përputhje të plotë me strategjinë amerikane për projektin në Kosovë. Nuk ka asgjë antiamerikane aty, pavarësisht deklaratave. Nuk duhet të thyhen. Mua me pëlqeu shumë një deklaratë e Haradinajt, që tha: ata që dolën kundër Speciales, po dalin tani kundër tarifës”, përfundon Lisen Bashkurti.

Prej momentit të vendosjes së taksës Kadri Veseli e kishte mbështetur Ramush Haradinajn për vendimin e taksës ndaj Serbisë, duke i thënë se do ta kishte mbështetjen e PDK-së. Megjithatë, pas presioneve për heqjen e saj, Veseli është zmbrapsur duke e lënë vetëm Haradinajn dhe ka propozuar që taksa të pezullohet për 120 ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat