Haradinaj: Kosova do të forcojë partneritetin me NATO-n

Aktuale

Haradinaj: Kosova do të forcojë partneritetin me NATO-n

Më: 31 janar 2019 Në ora: 15:15
Ramush Haradinaj ka pritur në takim admiralin James Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe komandantin e KFOR-it, në Kosovë, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim admiralin James Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe komandantin e KFOR-it, në Kosovë, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario, me të cilët ka biseduar për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke e falënderuar atë dhe NATO-n për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset dhe për misionin e tyre në krijimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.

“U jemi mirënjohës përjetësisht për angazhimin dhe rolin tuaj dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke e siguruar atë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim me KFOR-in në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Duke konfirmuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë të Kosovës me KFOR-in, kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n.  

“Ne jemi popull që i takojmë popujve të lirë, të udhëhequr nga ShBA-të, në shërbim të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj në takim, duke shtuar se Kosova është e gatshme t’i bashkohet NATO-së në misionet paqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për periudhën e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë se kjo forcë do të jetë multietnike, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, në të cilën do të jenë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Nga ana e tij, admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat