Dyzet përqind e shqiptarëve dhe serbëve ndihen keq me gjuhën e njëri-tjetrit?

Aktuale

Dyzet përqind e shqiptarëve dhe serbëve ndihen keq me gjuhën e njëri-tjetrit?

Më: 31 janar 2019 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë ndër marrëdhëniet më të tensionuara në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe komunat e Mitrovicës së jugut dhe asaj të veriut janë epiqendra e këtyre marrëdhënieve.

Kështu u tha sot në veri të Mitrovicës, gjatë lansimit të hulumtimit me temën ‘A mund ta kuptojmë njëri-tjetrin’, të realizuar në kuadër të projektit ‘Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë’, që u implementua nga Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve (ADRC) me bazë në Mitrovicë, ndërsa u mbështet nga ambasadat e Zvicrës dhe Norvegjisë në Kosovë.

Ky hulumtim që ka në fokus veçoritë e komunikimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, me theks në rajonin e Mitrovicës, u tha se ekzaminon rolin e gjuhës në komunikimin ndëretnik dhe synon të shqyrtojë pjesën e saj (gjuhës) në ndasitë ndërmjet komuniteteve.

Llazar Rakiq, menaxher i programit në ADRC, dha statistikat më të rëndësishme të këtij hulumtimi, duke thënë veç tjerash se rreth 40 për qind e shqiptarëve nga Mitrovica e jugut ndjehen relativisht keq kur dëgjojnë gjuhën serbe, kurse tek serbët prej moshës 16-25 vjeç, të cilët ndjehen keq për gjuhën shqipe përqindja arrinë rreth 41.

Rakiq: Rreth 41 % e serbëve ndjehen keq kur dëgjojnë gjuhën shqipe

“Rreth 40 për qind e shqiptarëve nga Mitrovica e jugut ndjehen relativisht keq kur dëgjojnë gjuhën serbe, kurse rreth 41 për qind e të rinjve serbë nga mosha 16-25 vjeç ndjehen keq ose relativisht keq kur dëgjojnë gjuhën shqipe. Vetëm rreth 14 për qind e banorëve nga jugu dhe veriu i Mitrovicës e flasin gjuhën e njëri-tjetrit…Kurse rreth 24 për qind e shqiptarëve dhe serbëve të anketuar nga jugu dhe veriu i Mitrovicës do të mësonin gjuhën e komunitetit tjetër”, ka thënë Rakiq.

Në anën tjetër edhe Zana Syla, po ashtu menaxhere e programit në ADRC, ka përmendur statistika rreth pyetjeve të ndryshme që u janë bërë të anketuarve nga të dyja komunitetet, siç janë sa shpesh komunikojnë mes vete, cilën gjuhë e përdorin gjatë komunikimit, a mendojnë se gjuha shqipe dhe serbe duhet të mësohen nëpër shkolla dhe pyetje të ngjashme.

Sipas saj, hulumtimi gjithashtu ka treguar se edhe pse mbi 40 përqind të të anketuarve nuk janë të gatshëm të mësojnë gjuhën e komunitetit tjetër, pak më shumë se 1/3 e tyre e dinë ose janë të gatshëm të mësojnë gjuhën tjetër.

Syla: Shumëgjuhësia duhet të promovohet si vlerë

“Këtij grupi dhe atyre të pavendosur rreth kësaj teme (afër 20 për qind), duhet t’u jepet një mundësi e përshtatshme për të vepruar mbi qëllimet e tyre, ndërsa shumëgjuhësia duhet të promovohet si vlerë, si nga organizatat e shoqërisë civile, ashtu edhe nga institucionet qeveritare, në mënyrë që të mënjanohen pjesë nga stigma sociale dhe perceptimi mbizotërues mbi gjuhën si mjet dominimi apo asimilimi”, tha ajo.                                  

Ndryshe, në fund të këtij prezantimi, disa nga pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje që ndërlidhen me rëndësinë e gjuhës së njëri tjetrit, ndërsa konfirmuan të dhënat e hulumtimit se në përgjithësi marrëdhëniet ndëretnike në mes të banorëve të jugut dhe veriut të Mitrovicës janë të tendosura dhe jo aq frekuente, sa ndoshta mund të pritet nga komunitetet të cilat jetojnë aq afër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat